Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës së Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit të palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të akuzuarve, duke lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë, të shpallur më 6 korrik 2026.
Sipas aktgjykimit, Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Kushtrim Kokalla për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale. G.P. është dënuar edhe për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar drejt gjendjen faktike dhe se nuk ka pasur shkelje esenciale të procedurës penale apo zbatim të gabuar të ligjit penal.
Gjykata ka theksuar se gjatë caktimit të dënimeve janë marrë parasysh rrethanat rënduese, përfshirë planifikimin e veprës, mënyrën e kryerjes së saj dhe faktin se vrasja ishte kryer në praninë e dy fëmijëve të viktimës.
Sa i përket dënimit prej 30 vjetësh për Kushtrim Kokalla, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se ky dënim është në përputhje me ligjin, pasi ai është dënuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale, për të cilën parashihet dënim më i butë sesa për kryerësit e saj.
Ndërkaq, pjesa refuzuese e aktgjykimit për Kushtrim Kokalla, lidhur me akuzën për moslajmërimin e veprave penale apo kryesve të tyre, mbetet e pandryshuar, pasi prokuroria ishte tërhequr nga kjo akuzë gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Burimi: RTKLive
