Republika e Kosovës ka shënuar një arritje të rëndësishme në fushën e inovacionit kundër korrupsionit. Nisma e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), “Shkolla për Integritet dhe Parandalim të Korrupsionit: Fuqizimi i të Rinjve për të Ndërtuar një Kulturë të Integritetit”, u përzgjodh ndër pesë projektet më inovative në Evropë dhe pas procesit të votimit nga institucionet pjesëmarrëse të rrjetit, u rendit në vendin e dytë.
“Kjo arritje u bë e ditur sot pas vlerësimeve që janë bërë në kuadër të Konferencës së 25-të Vjetore Profesionale dhe Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit Evropian kundër Korrupsionit (EPAC) dhe Rrjetit Evropian të Pikave të Kontaktit kundër Korrupsionit (EACN), të mbajtur nga 5 deri më 7 tetor 2026 në Budva të Malit të Zi”, njofton Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Në konferencë, APK-ja u përfaqësua nga delegacioni i kryesuar nga Drejtori Yll Buleshkaj, së bashku me Udhëheqësin e Divizionit për Sinjalizim, Milot Shala.
Ngjarja mblodhi autoritete anti-korrupsion, organe të mbikëqyrjes së policisë, institucione të BE-së dhe organizata ndërkombëtare për të shkëmbyer përvoja rreth mbrojtjes së interesave financiare të BE-së, Inteligjencës Artificiale dhe mbrojtjes së sinjalizuesve.
Ky sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën në inovacionin anti-korrupsion është arritur pasi nisma e APK-së, “Shkolla për Integritet dhe Parandalim të Korrupsionit: Fuqizimi i të Rinjve për të Ndërtuar një Kulturë të Integritetit”, e zbatuar në bashkëpunim me D+, u zgjodh në mesin e 5 projekteve më inovative nga 114 institucione në Evropë. Pas procesit të votimit, projekti u kurorëzua në vendin e dytë nga institucionet pjesëmarrëse të rrjetit.
“Gjatë Asamblesë së Përgjithshme u miratua edhe Deklarata e Budvës, e cila thekson rëndësinë e bashkëpunimit praktik kundër korrupsionit dhe shpreh shqetësimin për tendencat e kufizimit të pavarësisë së institucioneve të parandalimit të korrupsionit në disa vende. Deklarata nënvizon rëndësinë e ruajtjes së autonomisë operacionale të këtyre institucioneve dhe të mbrojtjes së sinjalizuesve. Përmes kësaj nisme me të cilën Kosova u rendin e dyta në Evropë, APK-ja riafirmon rëndësinë e edukimit të të rinjve si një nga shtyllat e parandalimit të korrupsionit dhe të ndërtimit të një kulture të integritetit në shoqëri”, thuhet në komunikatën e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Burimi: RTKLive
