
Apple mund të shënojë 20-vjetorin e iPhone-it me një model të veçantë, i cili pritet të sjellë ndryshime të mëdha në dizajn dhe përdorimin e materialeve premium.
Sipas burimit kinez të informacioneve teknologjike Fixed Focus Digital, kompania amerikane po shqyrton përdorimin e komponentëve prej qeramike për iPhone 20 Pro, model që pritet të prezantohet në vitin 2027.
Burimi pretendon se ka siguruar disa komponentë qeramikë që dyshohet se janë të destinuar për këtë pajisje. Sasia e planifikuar e prodhimit është e vogël, duke ngritur mundësinë që Apple të sjellë një edicion të kufizuar.
Megjithatë, ende nuk dihet se cilat pjesë të telefonit do të përbëhen nga qeramika dhe nëse materiali do të përdoret për pjesën e pasme, trupin apo elemente të tjera të jashtme.
Përveç materialeve të reja, iPhone-i jubilar pritet të ketë një ridizajnim të rëndësishëm, me xham që dominon pamjen e jashtme, ekran të lakuar në të katër anët dhe kornizë prej titani.
Prezantimi i tij parashikohet për vjeshtën e vitit 2027, ndërsa emërtimi përfundimtar ende nuk është konfirmuar. Apple mund të kapërcejë emrin iPhone 19 dhe të përdorë iPhone 20 për të theksuar 20-vjetorin e pajisjes.
Deri më tani, kompania nuk ka konfirmuar zyrtarisht këto informacione, të cilat mbeten në nivelin e raportimeve dhe thashethemeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali