Disa modele të iPad-it janë bërë dukshëm më të fuqishme vitet e fundit, falë procesorëve të serisë M të zhvilluar nga vetë Apple.
Kjo ka shtuar kërkesat e përdoruesve për një sistem operativ më të avancuar, i cili do të shfrytëzonte më mirë kapacitetet harduerike të pajisjeve.
Megjithatë, pavarësisht përmirësimeve të vazhdueshme të iPadOS-it, ai ende nuk ofron të njëjtin nivel funksionaliteti si macOS, transmeton Telegrafi.
Sipas një burimi të Mark Gurman, Apple tashmë po teston macOS-in në disa modele të iPad-it, por kjo nuk do të thotë se kompania planifikon ta sjellë sistemin operativ të Mac-ëve në tabletët e saj së shpejti.
Testimet po zhvillohen vetëm brenda kompanisë dhe synojnë përmirësimin e përvojës së përdorimit të iPadOS-it, si dhe ofrimin e një fleksibiliteti më të madh, të ngjashëm me atë që ofron macOS.
Ndërkohë, Apple vazhdon të punojë edhe për një iPad gjigant me ekran të palosshëm, pavarësisht vonesave në zhvillim. Pajisja pritet të ketë ekran prej 19 ose 20 inçësh, pa ekran të jashtëm, ndryshe nga koncepti i përfolur për iPhone Duo.
Megjithatë, rritja e kostove të komponentëve dhe problemet me rendimentin e prodhimit mund ta rrezikojnë realizimin e projektit, të njohur me emrin e koduar “Project J312”. /Telegrafi/