Aprilia shkëlqen në Katar, Bezzecchi triumfon dhe vendos rekord në MotoGP

Aprilia shkëlqen në Katar, Bezzecchi triumfon dhe vendos rekord në MotoGP

Written by

in

Aprilia Racing e ka mbyllur fundjavën në Katar me një fitore dhe dy pilotë në podium. Marco Bezzecchi ishte protagonisti kryesor i garës, duke dominuar nga xhiroja e parë deri në të fundit, pasi ishte nisur nga pozita e parë.

Për italianin kjo ishte fitorja e gjashtë në këtë sezon, pas triumfeve në Buriram, Goiania, Austin, Mugello dhe Indonezi, si dhe e 12-ta në kategorinë më të lartë të MotoGP-së.

Bezzecchi vendosi gjithashtu një rekord të veçantë, duke u bërë piloti i parë në histori që i realizon 12 fitoret e para në kategorinë kryesore në 12 qarqe të ndryshme. Me këtë sukses, ai arriti në kuotën e 30 podiumeve në karrierën e tij në MotoGP, ndërsa ky ishte podiumi i 12-të sezonal.

Në anën tjetër, Jorge Martin e përfundoi garën në pozitën e shtatë, pas një paraqitjeje me shumë karakter.

Spanjolli ishte nisur nga rreshti i katërt dhe, pavarësisht dhimbjeve dhe rikuperimit ende të paplotë nga rrëzimi në garën sprint në Phillip Island, arriti të qëndronte konkurrues gjatë gjithë fundjavës. Ai kishte siguruar edhe vendin e tretë në garën sprint.

Podiumin e Aprilias në Katar e kompletoi Raul Fernandez, i cili u rikthye në garë pas lëndimit, duke përfunduar në pozitën e tretë për ekipin SuperFile Trackhouse MotoGP. Ndërkohë, piloti tjetër i këtij ekipi, Ai Ogura, zuri vendin e katërt.

Kështu, katër motoçikleta Aprilia RS-GP26 u renditën në dhjetëshen e parë në Katar, duke konfirmuar formën e shkëlqyer të prodhuesit italian.

Fitorja e Bezzecchit e çoi Aprilia Racing në kuotën e nëntë triumfeve këtë sezon dhe 17 në historinë e saj në kategorinë kryesore. Ndërsa për prodhuesin nga Noale, ky ishte triumfi i 311-të në Kampionatin Botëror të Motoçiklizmit FIM.

Ky sukses kishte edhe një domethënie të veçantë për Aprilian, pasi ishte rezultati më i mirë i saj në historinë e garave në pistën e Lusailit, ku më parë nuk kishte arritur të ngjitej në podium në garën kryesore.

Pas triumfit, Bezzecchi u shpreh i kënaqur me paraqitjen, duke theksuar se në xhirot e para kishte tentuar të krijonte një shkëputje nga grupi, ndërsa më pas ishte përqendruar në menaxhimin e gomave.

“Jam shumë i lumtur me këtë fitore. Kemi bërë një punë të shkëlqyer dhe po e shijojmë këtë moment. Tani do të kthehemi në shtëpi për të pushuar dhe për t’u përgatitur për garën në Portimão”, deklaroi italiani.

Ndërkohë, Martin foli për vështirësitë fizike me të cilat u përball gjatë garës, duke bërë të ditur se rikuperimi nga fraktura po ecën mirë dhe se pret të jetë pranë formës së tij më të mirë në Portimao.

“Fraktura po përmirësohet çdo ditë dhe jam i bindur se në Portimão do të jem afër 100 për qind. I dhashë të gjitha në garë, por duke u nisur nga aq prapa ishte e vështirë të përsërisja rikthimin e së shtunës. Fizikisht ende nuk kisha forcën e nevojshme për ta kontrolluar motoçikletën ashtu siç duhej”, u shpreh spanjolli.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Aprilias vlerësuan paraqitjen e pilotëve, duke veçuar edhe sakrificën e Martinit, i cili garoi pavarësisht frakturës në radiusin e djathtë.

Tashmë vëmendja e ekipit italian është përqendruar te gara e radhës në Portimao, ku Aprilia synon ta vazhdojë serinë e rezultateve pozitive.

Në Kosovë, Ventoro Motors by Auto Mita është distributor i autorizuar i markës Aprilia, duke përfaqësuar zyrtarisht këtë prodhues italian të motoçikletave në tregun vendor. /Telegrafi/