“ARBK kërkon noter që pronari ta emërojë vetveten drejtor!” – Besnik R. Berisha denoncon absurdin burokratik dhe i kërkon ministres Kusari-Lila të ndërhyjë

“ARBK kërkon noter që pronari ta emërojë vetveten drejtor!” – Besnik R. Berisha denoncon absurdin burokratik dhe i kërkon ministres Kusari-Lila të ndërhyjë

Written by

in

“ARBK kërkon noter që pronari ta emërojë vetveten drejtor!” – Besnik R. Berisha denoncon absurdin burokratik dhe i kërkon ministres Kusari-Lila të ndërhyjë

E ke kompaninë tënden. Je pronari i vetëm. Vendos ta emërosh vetveten drejtor, nënshkruan vendimin dhe e dorëzon përmes profilit elektronik ku shteti tashmë ta ka verifikuar identitetin. Por, për Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, as kjo nuk mjafton. Duhet të shkosh te noteri për të vërtetuar vendimin që e ke marrë vetë, për veten, në kompaninë tënde!

Këtë praktikë, sa të pazakontë aq edhe të diskutueshme juridikisht, e ka denoncuar avokati dhe kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik Berisha, i cili ka ngritur alarmin për barrët burokratike që, sipas tij, vazhdojnë t’ua vështirësojnë bizneseve në Kosovë edhe procedurat më elementare.

Përmes një reagimi publik, Berisha ka shpjeguar se një shoqëri tregtare me vetëm një pronar ka dorëzuar në ARBK vendimin e nënshkruar për emërimin e pronarit si drejtor menaxhues.

Aplikimi është bërë personalisht, përmes profilit elektronik të pronarit, të krijuar dhe të verifikuar me letërnjoftim dhe adresë elektronike.

Pra, sipas Berishës, nuk ekziston dilemë se kush e ka marrë vendimin, kush e ka nënshkruar dhe kush po kërkon regjistrimin e tij.

Megjithatë, ARBK-ja ka kërkuar që vendimi të noterizohet, duke paralajmëruar se, nëse kjo kërkesë nuk përmbushet brenda dhjetë ditësh, aplikimi do të fshihet automatikisht.

“Kur shteti të njeh si pronar, ta verifikon identitetin, ta pranon aplikimin, por të kërkon noter për ta besuar vendimin që ia ke marrë vetvetes!”, ka shkruar Berisha, duke ironizuar praktikën administrative.

Ai ka ngritur një pyetje të drejtpërdrejtë për institucionin:

“Çfarë sigurie juridike shtesë prodhon kjo vulë? Cilin rrezik konkret e parandalon?”

Por ajo që Berisha e konsideron edhe më shqetësuese është baza juridike mbi të cilën ARBK-ja e mbështet këtë kërkesë.

Sipas tij, Ligji nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare e njeh vendimmarrjen e aksionarit të vetëm, ndërsa neni 40 parasheh bashkëngjitjen e kopjes së vendimit për ndryshimin e të dhënave të shoqërisë, pa e përcaktuar shprehimisht noterizimin si kusht.

Ndërkaq, kërkesa e ARBK-së, sipas reagimit, mbështetet në një vendim administrativ.

“Ku e gjen autorizimin ligjor për t’u imponuar bizneseve një detyrim shtesë që nuk rezulton nga këto dispozita të ligjit?”, ka pyetur Berisha.

Ai ka theksuar se vendimet administrative duhet t’i shërbejnë zbatimit të ligjit dhe jo të shndërrohen në burim të detyrimeve të reja për qytetarët dhe bizneset pa autorizim e arsyetim të mjaftueshëm.

Për Berishën, problemi nuk është vetëm një noterizim apo një pagesë shtesë, por mënyra se si funksionon administrata ndaj atyre që krijojnë vende pune dhe kontribuojnë në ekonomi.

“Nuk është fjala vetëm për një vulë, një pagesë apo një vizitë te noteri. Është fjala për një filozofi të gabuar administrative, ku qytetari dhe biznesi vazhdojnë të trajtohen sikur ekzistojnë për t’u shërbyer procedurave, e jo anasjelltas”, ka theksuar ai.

Një tjetër kritikë e fortë e Berishës lidhet me digjitalizimin e shërbimeve publike.

Sipas tij, shteti nuk mund të pretendojë se ka lehtësuar procedurat vetëm pse aplikimi bëhet në internet, nëse bizneset vazhdojnë të detyrohen të shkojnë fizikisht nga një zyrë në tjetrën për formalitete të panevojshme.

“Kemi digjitalizuar aplikimin, por jo edhe mendësinë burokratike”, është mesazhi i tij.

Për këtë çështje, Berisha i është drejtuar publikisht ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, duke kërkuar që institucioni që ajo drejton të ndërhyjë për rishikimin e praktikës.

“Zonja Ministre, ky rast meriton vëmendjen dhe ndërhyrjen tuaj institucionale, jo për të favorizuar ndonjë biznes, por për t’i mbrojtur bizneset nga barra administrative që mund dhe duhet të shmangen”, ka shkruar ai.

Berisha i ka kërkuar ministres që nga ARBK-ja të kërkohet identifikimi i bazës konkrete ligjore për detyrimet shtesë dhe eliminimi i formaliteteve që nuk janë të domosdoshme.

Ai ka shtuar se për ndryshime të tilla nuk nevojiten domosdoshmërisht reforma të mëdha, por vullnet institucional për t’i parë procedurat nga këndvështrimi i qytetarëve dhe bizneseve.

“Bizneset nuk kërkojnë favore, por një administratë që ua respekton kohën, paranë dhe të drejtat”, ka theksuar Berisha.

Në fund, ai ka përcjellë një mesazh që përmbledh kritikën ndaj mënyrës së funksionimit të administratës publike:

“Një shtet serioz nuk e mat ligjshmërinë me numrin e vulave që kërkon, por me aftësinë për të garantuar siguri juridike pa prodhuar burokraci të panevojshme.”

Reagimin e ka përmbyllur me thirrjen që shteti, përpara se të premtojë nxitjen e ndërmarrësisë dhe zhvillimin ekonomik, të fillojë duke mos ua vështirësuar bizneseve edhe punët më të thjeshta.

Tani mbetet të shihet nëse Ministria do të kërkojë rishikimin e praktikës së ARBK-së dhe sqarimin e bazës ligjore për noterizimin e vendimeve të tilla.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali