Arkivat e Kosovës dhe Shqipërisë ruajnë dokumente me vlerë historike

Arkivat e Kosovës dhe Shqipërisë ruajnë dokumente me vlerë historike

Written by

in

Arkivat e Kosovës dhe Shqipërisë ruajnë dokumente me vlerë të veçantë historike, që dëshmojnë zhvillimet ndër shekuj. Drejtuesit e këtyre institucioneve theksojnë rëndësinë e ruajtjes, përpunimit dhe digjitalizimit të materialeve arkivore, për t’i bërë ato më të qasshme për studiuesit dhe publikun. Deri më tani, Arkivi i Kosovës ka digjitalizuar rreth 11 milionë kopje dokumentesh, që përbëjnë afërsisht 12 për qind të fondeve arkivore.

Dokumentet arkivore janë dëshmi autentike të së kaluarës. Në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës thonë se ruajtja dhe përpunimi i këtyre materialeve u mundëson studiuesve të hulumtojnë përmes dokumenteve origjinale.

“Ne posedojmë dokumente të vitit 1437 që është dorëshkrim i asaj kohe, poashtu është të vitit 1608 është dokument noterial i cili është shit-blerje prej asaj kohe. Kështuqë posedojmë edhe dokumente të vjetra por qëllimi është të jemi sa më afër qytetarit”, thotë Mehmet Xhemajli, drejtor ekzekutiv i ASHAK-së.

Edhe Arkivat e Shqipërisë ruajnë dokumente me rëndësi për historinë e shtetit shqiptar dhe zhvillimet ndër shekuj.

“Dokumenti më i vjetër është një nga kodikët, kodiku i Korçës që është i shek. VI. Pak arkiva mund të mburren që të kenë një dokument kaq të vyer e kaq të rrallë”, thotë Auron Rrokaj, drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë.

Krahas ruajtjes dhe sistemimit të dokumenteve, drejtuesit e të dy institucioneve e vlerësojnë digjitalizimin si një proces të rëndësishëm për ruajtjen dhe qasjen në materialet arkivore.

“Jemi shteti i dytë ose i tretë në botë për sasinë e fondeve arkivore të digjitalizuara, na e kalon India me 50%, ne kemi arritur te 25%, arrijmë në fund të këtij viti, me këto ritme. Duke pasur parasysh se vendi më i mirë në Europë ka 8% të digjitalizuara kurse SHBA ka vetëm 5%”, thotë Rrokaj

“Kemi arrit diku rreth 11 milion kopje që i kemi digjitalizuar deri më tani, me kilometra është pak a shumë sepse i kemi diku rreth 11 km në total në të gjitha arkivat e Kosovës, kështu që i bie diku rreth 12% e digjitalizimit të dokumenteve”, thotë Xhemajli.

Përmes ruajtjes, përpunimit dhe digjitalizimit të dokumenteve, arkivat kontribuojnë në mbrojtjen e kujtesës historike dhe në përcjelljen e trashëgimisë dokumentare te brezat e ardhshëm.

 

Burimi: RTKLive