Dy persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni të Policisë së Kosovës, pas disa muajsh hetime lidhur me rastin e koduar “MALI”.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar më 16 tetor, rreth orës 21:40, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Gjatë kontrollit të dy shtëpive dhe objekteve përcjellëse, në bagazhin e njërës veturë është gjetur dhe konfiskuar substancë që dyshohet të jetë marihuanë, me peshë prej 53 kilogramësh dhe vlerë në tregun vendor rreth 80 mijë euro.
Policia njofton se si prova materiale janë sekuestruar edhe dy telefona mobilë dhe dy automjete me targa vendore.
Të dyshuarit, me inicialet B.A., i lindur më 1988, dhe S.H., i lindur më 1971, janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës teksa me vendim të prokurorit të shtetit, të dy janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.
Sipas hetimeve, të dyshuarit dyshohet se janë përfshirë në blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, si dhe në përgatitjet për transportimin e tyre jashtë vendit.
Burimi: Dukagjini
