Dy persona janë arrestuar në Mitrovicë nën dyshimin për mashtrim lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar, përmes dy granteve në vlerë prej rreth 575 mijë eurosh.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, të dyshuarit janë një ish-drejtor dhe një menaxher i një kompanie, të cilët dyshohet se kanë përfituar dy grante të dedikuara për furnizim me makineri dhe pajisje në fushën e hortikulturës.
Rasti lidhet me periudhën 2022-2023, ndërsa dëmi i dyshuar financiar vlerësohet në rreth 62 mijë e 902 euro.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, njëri ish-drejtor, tjetri menaxher të një kompanie, pasi që dyshohet që kanë pranuar dy grante në vlerë rreth 575,736 euro të cilat kanë qenë të dedikuara për furnizim me makineri dhe pajisje në fushën e hortikulturës, ku dyshohet se kanë shkaktuar dëm në vlerë rreth 62,902 euro”, thuhet në raportin e Policisë.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Rasti është iniciuar si “Mashtrim lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar”. /Telegrafi/