Pesë persona janë arrestuar në Itali, në kuadër të një hetimi për një rrjet të dyshuar të trafikimit të kokainës, i cili vepronte mes Triestes dhe Lombardisë. Në mesin e të arrestuarve janë edhe dy shtetas shqiptarë që jetojnë në Lombardi, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se ishte furnizuesi kryesor i drogës për grupin.
Karabinierët e Njësisë Operacionale dhe Radiomobile të Kompanisë Aurisina në Trieste kanë arrestuar pesë persona, tre nga Trieste dhe dy shtetas shqiptarë me banim në Lombardi, të dyshuar për vepra të ndryshme penale që lidhen me posedimin dhe shpërndarjen e narkotikëve, në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Arrestimet u kryen në zbatim të një urdhri për paraburgim, të lëshuar nga gjyqtari hetues i Triestes me kërkesë të prokurorisë lokale, e cila ka koordinuar hetimet, raporton agjencia italiane e lajmeve Ansa.
Hetimi nisi në shkurt, pas sekuestrimit të disa gramëve kokainë te përdoruesit vendas, të cilët kishin blerë dozat në shtëpinë e një burri 59-vjeçar nga Duino Aurisina.
Pas këtij rasti, karabinierët zhvilluan operacione vëzhgimi, ndjekjeje dhe kontrolli, të mbështetura nga përgjimet telefonike dhe mbikëqyrja mjedisore.
Gjatë hetimeve u sekuestruan sasi të tjera narkotikësh dhe u identifikuan personat që shërbenin si korrierë, furnizues dhe financues të kokainës që mbërrinte në provincën e Triestes.
Dy burra nga Trieste, të moshës 59 dhe 62 vjeç, të cilët ishin në mesin e personave të përfshirë në hetim, u arrestuan në flagrancë pasi u kapën duke transportuar kokainë në automjetet e tyre. Njëri prej tyre kishte me vete 100 gramë, ndërsa tjetri 33 gramë të kësaj lënde narkotike.
Sipas hetimeve, grupi e shpërndante drogën duke ua dërguar personalisht blerësve të rregullt në shtëpitë ose vendet e tyre të punës. Blerësit, të gjithë nga Trieste, u identifikuan dhe u raportuan gjatë hetimit.
Furnizuesi kryesor i kokainës dyshohet se ishte një 49-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili ishte gjithashtu në mesin e personave ndaj të cilëve ishte marrë masa e paraburgimit.
Ai ishte ndaluar më parë në Bergamo, ku kishte qëndruar për disa muaj në lidhje me posedimin e 94 kilogramëve kokainë me qëllim shpërndarjeje. Një pjesë e kësaj sasie droge ishte e destinuar për tregun e Triestes./Telegrafi/