Një 34-vjeçar me shtetësi shqiptare është arrestuar nga policia në Savona të Italisë, nën akuzën e mbajtjes së lëndëve narkotike me qëllim shitjen.
Operacioni u zhvillua nga efektivët e Skuadrës së Lëvizshme, me mbështetjen e njësisë kinologjike të Policisë Bashkiake, pas një denoncimi të mbërritur përmes aplikacionit YouPol, ku raportohej për një aktivitet të dyshuar të shpërndarjes së drogës në lagjen Villapiana.
Gjatë një shërbimi vëzhgimi, policët e kanë kapur shqiptarin në momentin kur po i shiste një dozë kokaine një personi tjetër, shkruan media italiane ANSA, transmeton Telegrafi.
Pas kësaj, efektivët ushtruan kontrolle personale dhe në banesën e tij, ku zbuluan dhe sekuestruan më shumë se 40 gramë kokainë, 450 euro para të gatshme dhe materiale që dyshohet se përdoreshin për paketimin e dozave të drogës.
Gjatë kontrollit në banesë u gjet edhe një sasi hashashi që i përkiste një bashkëbanuesi të 34 vjeçarit.
Ky i fundit, së bashku me personin që kishte blerë dozën e kokainës, u raportua në prefekturë si konsumues i lëndëve narkotike. I arrestuari është vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore./Telegrafi/