Arrestohet i dyshuari për plagosjen me armë zjarri në Suharekë

Arrestohet i dyshuari për plagosjen me armë zjarri në Suharekë

Written by

in

Është arrestuar i dyshuari për rastin e të shtënave me armë zjarri që ndodhi sot në Suharekë, ku një person mbeti fillimisht i plagosur rëndë dhe më pas ndërroi jetë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se i dyshuari, që ishte larguar nga vendi i ngjarjes pas incidentit, tashmë është arrestuar.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti është raportuar më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:20, në qytetin e Suharekës, ku një person i panjohur kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër.

Si pasojë e të shtënave, viktima kishte pësuar lëndime trupore dhe në gjendje të rëndë ishte transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencë, por më vonë nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

Pas rastit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia kishte nisur veprimet për identifikimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet përkatëse, ndërsa hetuesit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për mbledhjen e provave dhe dëshmive që ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. /Telegrafi/