Një 47-vjeçar shqiptar, i cili ishte arratisur nga mbikëqyrja e autoriteteve australiane gjatë funeralit të vëllait të tij, është arrestuar pas afro shtatë muajsh kërkimesh në një zonë të largët të Australisë.
O.R u arrestua të premten në qytetin Bamaga, pranë gadishullit Cape York, në veri të shtetit Queensland. Arrestimi i tij u realizua nga policia e Queenslandit, në bashkëpunim me hetuesit e policisë së Victoria-s.
Rukaj ishte në paraburgim në qendrën korrektuese Marngoneet, pranë qytetit Geelong, kur më 25 prill ishte lejuar të merrte pjesë në funeralin e vëllait të tij në varrezat Keilor, në Melbourne.
Ai shoqërohej nga zyrtarë korrektues dhe ishte i prangosur, por pavarësisht masave të sigurisë arriti të largohej gjatë ceremonisë mortore.
Sipas policisë, në funeral merrnin pjesë rreth 300 persona. Ai ishte edhe njëri nga personat që ndihmonin në bartjen e arkivolit, para se të arrinte të zhdukej pa u vënë re nga zyrtarët që e shoqëronin.
Pas arratisjes, policia australiane kishte nisur një operacion të gjerë kërkimi, por për muaj të tërë nuk kishte arritur të siguronte informacione të konfirmuara për vendndodhjen e tij, shkruan ABC News edicioni në Australi, transmeton Telegrafi.
Hetuesit kishin kontrolluar edhe rreth 20 adresa në zonën metropolitane të Melbournet dhe kishin marrë në pyetje persona të afërt me të.
Në kohën e arratisjes, i dyshuari ndodhej në paraburgim për akuza të rënda që lidhen me importimin e drogës.
Policia australiane kishte bërë të ditur më herët se ai dyshohej për lidhje me grupe të organizuara kriminale shqiptare, pretendime që nuk përbëjnë vendim fajësie.
Pas arrestimit, ai është dërguar në paraburgim në Queensland. Policia e Victoria-s pritet ta marrë në pyetje dhe të kërkojë ekstradimin e tij në këtë shtet, ku duhet të përballet me procedurat gjyqësore.
Rasti kishte tërhequr vëmendjen e mediave australiane për shkak të mënyrës së pazakontë të arratisjes, pasi ai kishte arritur të largohej nga një funeral ku ishte dërguar nën mbikëqyrjen e autoriteteve./Telegrafi/