Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kanë trajtuar rastin, i cili fillimisht ishte raportuar si “vjedhje e rëndë”.
“Në vazhdën e hetimeve të rastit, hetimet kanë rezultuar me ngritjen e dyshimit të arsyeshëm se raportimi i pronarit të depos-poligonit, ka qenë inskenim i vjedhjes dhe se armët në këtë poligon të licencuar janë keqpërdorur përkatësisht janë shitur për palët e treta nga vet pronari i poligonit”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se më 3 nëntor, njësitë policore kanë zhvilluar kontrolle në tri lokacione në rajonin e Gjakovës, me qëllim të sigurimit të provave shtesë lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Deklarimi i rremë”.
“Është arrestuar i dyshuari V.C., mashkull kosovar, janë sekuestruar dëshmi të cilat do të përdoren në procedurën penale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Burimi: RTKLive
