Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta mori tri pikët në Çeki, falë golave të Noni Maduekes dhe Viktor Gyökeres në pjesën e parë.
Megjithatë, londinezët u përballën me vështirësi pas pushimit, pasi vendasit rritën presionin dhe arritën të shënonin në minutën e 90-të përmes Wiktor Nowak, duke e bërë përfundimin e ndeshjes më dramatik.
Pavarësisht fitores, Arteta nuk ishte plotësisht i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, duke pranuar se Arsenali ka ende shumë për të përmirësuar.
Me këtë triumf, Arsenali ka arritur në kuotën e 10 pikëve pas katër ndeshjeve në fazën e ligës, ndërsa gjendet në mesin e skuadrave kryesuese të tabelës, pas Real Madridit dhe Paris Saint-Germainit.
Përveç rezultatit, londinezët kanë një arsye tjetër për të festuar. Ata kanë regjistruar ndeshjen e 19-të radhazi pa humbje në Ligën e Kampionëve, duke barazuar serinë më të gjatë të këtij lloji, të arritur më parë nga Bayern Munichu dhe Ajaxi.
Tashmë, skuadra e Artetës do të synojë ta zgjasë këtë ecuri në 20 ndeshje, kur në fund të nëntorit do ta presë Borussia Dortmundin.
Megjithatë, objektivi i Arsenalit është edhe më ambicioz. Rekordi absolut në këtë drejtim mbahet nga Manchester City, me 26 ndeshje radhazi pa humbje në periudhën 2022-2024, ndërsa Manchester Unitedi kishte regjistruar 25 të tilla nga viti 2007 deri në vitin 2009.
Kështu, Arsenali ka mundësinë të vazhdojë ngjitjen drejt historisë së Ligës së Kampionëve, në një sezon ku skuadra londineze po dëshmon vazhdimësi të lartë në arenën evropiane.
Burimi: RTKLive
