Artisti pikturon Statujën e Lirisë për 43.5 sekonda, vendos rekord Guinness

Artisti pikturon Statujën e Lirisë për 43.5 sekonda, vendos rekord Guinness

Written by

in

Guinness World Records ka shënuar të enjten edicionin e 22-të të Ditës së Rekordeve Botërore, duke prezantuar një sërë rekordesh të reja, mes tyre edhe kohën më të shpejtë për të pikturuar një statujë monumentale.

Artisti David Garibaldi arriti ta realizojë një pikturë të Statujës së Lirisë për vetëm 43.5 sekonda, duke vendosur një rekord të ri botëror, transmeton Telegrafi.

“Diçka e tillë nuk ishte bërë më parë. Këtë herë donim ta lëmë anash performancën dhe të përqendroheshim vetëm te shpejtësia”, tha Garibaldi. Ai shtoi se shpreson që arritja e tij të frymëzojë fëmijët dhe të rriturit që të synojnë më shumë dhe të mos kenë frikë të provojnë.

Pikturën ai e realizoi nga një pikë në New York, prej nga kishte pamje të papenguar drejt monumentit të famshëm.

Michael Empric, gjyqtari i Guinness World Records që mbikëqyri përpjekjen, tha se Dita e Rekordeve Botërore synon të festojë arritjet e jashtëzakonshme.

“Guinness World Records ka të bëjë me përpjekjen për të bërë diçka më të madhe se vetja. Të festosh këtë ditë në New York, buzë ujit, me Statujën e Lirisë si pjesë të ngjarjes, është e përkryer”, u shpreh ai.

Dita e Rekordeve Botërore festohet çdo vit që nga viti 2004.

Mes rekordeve të tjera të shpallura për edicionin e vitit 2026 janë parkimi më i ngushtë paralel i një veture me dy rrota, në distancën prej 6.53 metrash, dhe koha më e shpejtë për të kryer 10 rrotullime me një kart drift, prej 17.14 sekondash.

Rekorde të tjera përfshijnë parkimin paralel më të ngushtë mes dy veturave të pasqyruara, me 210 centimetra, 10 salto të njëpasnjëshme BMX, saltoja më e lartë prapa me biçikletë, në lartësinë 3.13 metra, si dhe 12 vetura që kryejnë rrotullime në të njëjtin rreth njëkohësisht.

Gjithashtu, u regjistrua rekordi për qëndrimin më të gjatë në pozicionin “human flag” mbi një veturë në drift, prej 25.96 sekondash, si dhe numri më i madh i kërcimeve me litar brenda një minute, duke veshur shapka verore, me gjithsej 249 kërcime. /Telegrafi/