
Pavarësisht urdhrit mbrojtës të lëshuar nga Gjykata, një 29-vjeçare nga Podujeva ka denoncuar se është kërcënuar nga bashkëshorti i saj përmes aplikacionit WhatsApp. Pas denoncimit të gruas, Prokuroria ka urdhëruar që i dyshuari të vendoset në kërkim policor, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është S.K., rreth 30 vjeç, ndërsa viktima është E.K., rreth 29 vjeçe.
Gruaja është paraqitur në Polici të premten, më 27 nëntor, rreth orës 16:00, ku ka denoncuar se bashkëshorti e kishte kërcënuar më 18 nëntor, rreth orës 11:00.
Në prani të një zyrtari të Qendrës për Punë Sociale, 29-vjeçarja ka deklaruar para hetuesve se kërcënimet i kishte pranuar përmes aplikacionit WhatsApp, ndonëse ndaj bashkëshortit ekzistonte një urdhër mbrojtës.
Urdhri mbrojtës ishte lëshuar nga Gjykata më 15 shtator të këtij viti, rreth dy muaj përpara incidentit të denoncuar.
Pas intervistimit të viktimës, për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Me udhëzim të Prokurorit, 30-vjeçari është vendosur në kërkim policor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali