Asamblisti Gërvalla kërkon verifikimin e punimeve në dy rrugë të Pejës para asfaltimit

Asamblisti Gërvalla kërkon verifikimin e punimeve në dy rrugë të Pejës para asfaltimit

Written by

in

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Pejës, Ardit Gërvalla, ka ngritur shqetësime lidhur me cilësinë e punimeve në rrugët “Mulla Mustafa” dhe “Bal Alija”, në lagjen “Xhemajl Kada”.

Pas ankesave të disa qytetarëve, Gërvalla ka dalë në terren për të parë nga afër gjendjen e punimeve, ndërsa ka kërkuar nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe mbikëqyrësi i projektit që të verifikojnë disa çështje para fillimit të asfaltimit.

Ai ka kërkuar kontrollimin e përgatitjes dhe nivelimit të bazës rreth pusetave, si dhe zëvendësimin e disa prej tyre, në mënyrë që të mundësohen intervenimet e nevojshme në kanalizim në të ardhmen.

Gërvalla ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen e murit mbrojtës anësor në rrugën “Bal Alija”, për të cilin ka kërkuar ndërtimin e një muri të ri para asfaltimit.

Sipas tij, dëmtimi apo shembja e këtij muri mund të rrezikojë edhe qëndrueshmërinë e rrugës dhe asfaltit të ri.

“Asfaltimi pritet të bëhet javën e ardhshme. Kërkoj që të kryhen paraprakisht të gjitha përgatitjet e nevojshme, në mënyrë që trashësia përfundimtare e asfaltit të jetë 8 centimetra, sipas asaj që është raportuar si kërkesë e kontratës”, ka shkruar Gërvalla.

Ai ka theksuar se trajtimi me kohë i këtyre çështjeve është i domosdoshëm për të garantuar cilësinë dhe jetëgjatësinë e investimit. /Telegrafi/