
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka shprehur shqetësimin për ndarjen (projeksionin) e buxhetit prej 908 milionë eurosh për komunat për vitin 2027, duke thënë se, pavarësisht rritjes së shumës monetare, pjesëmarrja e nivelit lokal në buxhetin e përgjithshëm të shtetit ka shënuar rënie.
Ibrahimi deklaron për KosovaPress se nga 21.7 për qind sa ishte pjesëmarrja e komunave në buxhetin e vitit 2026, sipas planifikimit për vitin e ardhshëm ajo do të ulet në 21.3 për qind.
Ai ka theksuar se rritja e buxhetit nuk duhet të vlerësohet vetëm përmes shifrave, por edhe me mundësitë reale për realizimin e projekteve kapitale.
“Buxheti si shumë monetare ka rritje, mirëpo përqindja e cila ndahet për komuna nga buxheti total i Kosovës ka zbritje. Këtë vit nga buxheti total, komunave u ka dhënë nga 21.7 përqind. Vitin e ardhshëm në bazë të këtij planifikimi buxhetor shihet se ka rënie në përqindje 21.3 përqind. Loja me fjalë se ka buxhet rekord, duhet shikuar realizimin e tyre në praktikë dhe fuqinë monetare të projekteve që zbatohen me këtë buxhet. Duhet marrë parasysh se qeveria ka paraparë ngritjen e koeficientit për paga mujore, gjithashtu ajo do të ketë ndikim në buxhetin e komunave. Problemi është se niveli qendror nuk po e merr parasysh normën e inflacionit ndër vite, këtë vit në bazë të statistikave norma e inflacionit në disa muaj ka qenë rreth 7 përqind”, ka thënë ai, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Ibrahimit, ulja prej 0.4 pikësh përqindjeje në pjesëmarrjen e komunave në buxhetin e përgjithshëm përkthehet në dhjetëra miliona euro. Ai ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit të merren parasysh nevojat financiare të pushtetit lokal, duke vlerësuar se ndarja aktuale nuk është e mjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Ibrahimi është ekzekutimi i vendimeve gjyqësore që lidhen kryesisht me kontratat kolektive. Ai ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti komunave u janë marrë rreth 100 milionë euro përmes këtyre vendimeve, duke kërkuar që barra financiare të kompensohet nga niveli qendror.