“Atmosferë” sjell festë në edicionin e 26-të të Festivalit të Filmit Frankofon

“Atmosferë” sjell festë në edicionin e 26-të të Festivalit të Filmit Frankofon

Written by

in

Një ngjarje e rëndësishme kulturore kushtuar kinemasë franceze, historisë dhe kujtesës vjen përmes Festivalit të Filmit Frankofon, që këtë vit shënon edicionin e 26-të. “Atmosferë”, që është edhe moto e këtij festivali, përgjatë një jave sjell një festë të vërtetë stilesh, ngjyrash dhe temash të ndryshme përmes kinematografisë franceze.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, u shpreh se “Ne kemi një histori të gjatë bashkëpunimi me Kosovën, duke shpresuar që edhe Kosova të bëhet anëtare e asociuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Franca do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e industrisë kinematografike në Kosovë”. Gjithashtu, ai theksoi takimin me tri drejtoreshat e RTK-së, ku gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në realizimin e projekteve të ndryshme kulturore.

Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, është shprehur se “Frankofonia dhe kinemaja janë elemente të rëndësishme të kulturës sonë, përfshirë edhe kulturën zvicerane. Kinemaja është gjithashtu një hapësirë dialogu, ajo na fton ta zbulojmë tjetrin, të kemi një këndvështrim të ri mbi botën dhe ta njohim njerëzimin tonë të përbashkët, përtej kufijve dhe gjuhëve”.

Bashkëpunimi në fushën e kinematografisë ndërmjet Kosovës dhe Francës ka sjellë rezultate të suksesshme viteve të fundit, duke u shpërblyer edhe me çmime ndërkombëtare.

Regjisorja Zana Hoxha, duke e vlerësuar ndikimin që ka kultura franceze në botë, theksoi se “Ky festival është unik, sepse feston kulturën frankofone, por edhe e afron publikun me këtë kulturë”.

Për herë të parë në Kosovë është shfaqur filmi “Beteja e Charles de Gaulle – Epoka e Hekurit”, një vepër historike kinematografike.

Atasheu për kulturë në Ambasadën Franceze, Valon Ibraj, theksoi se “Ky festival me logon ‘Atmosferë’ ka arritur ta bëjë publikun për vete, një publik që është rritur me ne. Gjithnjë mundohemi të sjellim filma që sapo janë shfaqur premierë botërore”.

Festivali i Filmit Frankofon, që po mbahet nga 4 deri më 10 nëntor në Kino Armata, organizohet nga Ambasada e Francës në Kosovë dhe Instituti Francez në Prishtinë, në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës, Kanadasë dhe Luksemburgut. 

 

Burimi: RTKLive