Auditori gjen se Komuna e Prishtinës shpenzoi 2.18 milionë euro të kredisë për projekte jashtë destinimit

Auditori gjen se Komuna e Prishtinës shpenzoi 2.18 milionë euro të kredisë për projekte jashtë destinimit

Written by

in

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Mehmeti Spanca, ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka shpenzuar 2.18 milionë euro nga fondet e një kredie prej pesë milionë eurosh, për aktivitete dhe projekte që nuk ishin pjesë e qëllimit për të cilin ishte marrë financimi.

Përmes një postimi në Facebook, Mehmeti Spanca ka njoftuar se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të pajtueshmërisë për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesat Publike në Komunën e Prishtinës”, i financuar përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Sipas gjetjeve të auditimit, gjatë periudhës 2024–2026, Komuna e Prishtinës kishte realizuar 21 pagesa, në vlerë prej 2.18 milionë eurosh, për projekte që nuk përputheshin me destinimin e përcaktuar në marrëveshjet e financimit.

Në vend se mjetet të përdoreshin për investime në efiçiencën e energjisë në shkolla, kopshte dhe objekte të kujdesit shëndetësor, ato ishin orientuar për ndriçim publik, fasadim të ndërtesave, rrethoja të sigurisë në komunikacion dhe menaxhim të mbeturinave, ndër të tjera.

Auditimi ka evidentuar gjithashtu mangësi në kontrollin e brendshëm, mungesë të formalizimit të strukturave përgjegjëse për zbatimin e projektit, devijime nga mekanizmi i pagesave i përcaktuar në marrëveshje, si dhe probleme në monitorim dhe raportim.

“Këto gjetje ngrenë çështje serioze të ligjshmërisë, përgjegjësisë institucionale dhe mbrojtjes së interesit financiar të shtetit. Huamarrja publike nuk është thjesht një burim financimi. Ajo krijon obligime për shtetin dhe kërkon respektim të plotë të kushteve të dakorduara me institucionet financiare ndërkombëtare”, ka shkruar Mehmeti Spanca.

Për këto gjetje, Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar Komunës së Prishtinës që të ndërpresë përdorimin e fondeve jashtë destinimit, të identifikojë dhe dokumentojë plotësisht mjetet e përdorura, si dhe të ndërmarrë veprime për kthimin e tyre.

Ndërkaq, Ministrisë së Financave i është rekomanduar forcimi i mekanizmave të monitorimit dhe kontrollit të huamarrjes publike.

“Sepse çdo euro publike është përgjegjësi ndaj qytetarëve”, ka përfunduar Auditorja e Përgjithshme. /Telegrafi/