Author: Momenti

  • Veliaj letër Gjykatës për operacionin: S’po kërkoj botoks dhe mbjellje flokësh, dua ta zgjedhë familja ime mjekun që më fut në narkozë

    Veliaj letër Gjykatës për operacionin: S’po kërkoj botoks dhe mbjellje flokësh, dua ta zgjedhë familja ime mjekun që më fut në narkozë

    Veliaj letër Gjykatës për operacionin: S’po kërkoj botoks dhe mbjellje flokësh, dua ta zgjedhë familja ime mjekun që më fut në narkozë

    Sot po mbahet sot seanca për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin.

    Veliaj nuk është paraqitur në seancë, por përmes avokatit i është drejtuar gjyqtarëve të posaçëm me një letër, ku kërkon që të vendosë të operohet për këmbën në një spital që do ai dhe familja e tij, dhe jo ku e përcakton Drejtoria e Burgjeve.

    Veliaj thotë se nuk mund të vendosë çdokush se cili mjek do ta fusë në narkozë.

    “Me gjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të Prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore. Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botoks, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime. Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, shkruan Veliaj.

    Avokati i tij, Plarent Ndreca kërkoi ndërkohë shtyrjen e seancës.

    “Nuk jemi në kushtet për të vijuar seancën pasi Veliaj ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë. Tentova dje ta takoja dhe nuk jam lejuar nga IEVP Fier. Kam kërkuar shpjegime dhe nuk më janë dhënë. Jam i pamundur ta vazhdoj mbrojtjen pa u konsultuar me klientin. Janë disa elementë që duhet ti konfirmoj me klientin. Ne e kemi bërë të qartë të gjithë kronologjinë e situatës shëndetësore të Veliajt. Kemi kërkuar nga ju të vendosni për këtë histori çnjerëzore”, tha ai.

    Ndërkohë, prokurori Altin Dumani tha se Në letër, Veliaj nuk e kushtëzon vijimin e seancës dhe se shtyrja me një javë e herës së parë është e mjaftueshme.

    “Në letër, Veliaj nuk e kushtëzon vijimin e seancës. Herën e fundit për këtë u shty seanca që mbrojtja të konsultohej me të. Një javë ishte e mjaftueshme që avokati të konsultohej. Nuk më duket situatë serioze, as ligjore. E kemi dërguar çështjen që në shtator 2025. Shtyrjet janë bërë për shkaqe të të pandehurve apo mbrojtjes. Asnjëherë nuk është bërë shkak SPAK. Ne jemi këtu që të gjykohet çështja”, ka deklaruar ai./TCh/

    Burimi: Insajderi

  • Rikthimi i Jensen Huang në Nvidia bëhet viral, rrjeti shpërthen me reagime dhe meme

    Rikthimi i Jensen Huang në Nvidia bëhet viral, rrjeti shpërthen me reagime dhe meme

    Reagimet dhe memet humoristike për Jensen Huang po qarkullojnë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke e kthyer emrin e tij në një nga temat e diskutuara online.

    Burimi: Dukagjini

  • Rrezikohet zhvillimi i super ndeshjes në Ligën e Kampionëve, një luan pranë stadiumit ka angazhuar gjithë policinë dhe dronët në ndjekje të tij

    Rrezikohet zhvillimi i super ndeshjes në Ligën e Kampionëve, një luan pranë stadiumit ka angazhuar gjithë policinë dhe dronët në ndjekje të tij

    Përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve midis Galatasarayt dhe Aston Villas, një situatë e pazakontë u zhvillua në Stamboll. Rreth 16 kilometra larg stadiumit ku ekipet janë planifikuar të luajnë sonte (e martë), u pa një luan, i cili thuhet se endej i lirë në një zonë të pyllëzuar në pjesën veriore të qytetit.

    Të hënën, shërbimet turke të zbatimit të ligjit dhe të kafshëve të egra nisën një kërkim për kafshën. Rreth 70 persona u angazhuan për operacionin, përfshirë oficerë policie dhe ndihmës të emergjencës, së bashku me shtatë dronë. Luani u pa për herë të parë në lagjen Sariyer, ku ndodhet edhe stadiumi ‘RAMS Park’ i Galatasarayt.

    Sipas raportimeve lokale, rreth orës 21:00 të së dielës, oficerët në një stacion policie në lagjen Zekeriyakoy, në pjesën veriore të anës evropiane të Stambollit, vunë re në kamerat CCTV një kafshë që i ngjante një luani.

    Masa të rrepta sigurie u vendosën rreth zonës së pyllëzuar ku besohet të jetë dhe vilave ngjitur. Lëvizja në zonë po monitorohet dhe banorët vendas janë paralajmëruar të tregojnë kujdes.

    “Vendndodhja e luanit është përcaktuar dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për ta kapur atë të gjallë”, deklaroi Zyra e Guvernatorit të Stambollit.

    Situata shkaktoi një sërë reagimesh të pazakonta. Një kanal televiziv turk madje solli në studio një burrë me kostum luani që mbante veshur një fanellë të Galatasarayt për të diskutuar arratisjen e kafshës. Vetë klubi mban nofkën ‘Luanët’, ndërsa një luan është paraqitur edhe në stemën e Aston Villas.

    Mbrojtësi i Galatasarayt, Abdulkerim Bardakci, u pyet gjithashtu për situatën. Ai u përgjigj: “Dua të them diçka, meqenëse i gjithë vendi po flet për këtë tani. I vetmi luan që mbaj në shtëpi është djali im”.

    Në të njëjtën kohë, raportet për luanin nuk kishin të bënin fare me riplanifikimin e seancës stërvitore të Aston Villas. Ekipi anglez u përgatit për ndeshjen në fushën e tyre stërvitore Bodymoor Heath dhe jo në ‘RAMS Park’ për shkak të gjendjes së fushës. Përpara kësaj, kishin dalë spekulime që sugjeronin se klubi e kishte anuluar seancën e tyre në Stamboll pikërisht për shkak të kërkimit për kafshën. /Telegrafi/

  • Bella Hadid: Suksesi për mua është të jetosh në paqe me burrin që dua, me një fëmijë dhe me kafshë shtëpiake

    Bella Hadid: Suksesi për mua është të jetosh në paqe me burrin që dua, me një fëmijë dhe me kafshë shtëpiake

    Modelja amerikane Bella Hadid u fotografua në Aspen të mërkurën me të dashurin e saj Nathan Lacy. Çifti, të kapur për dore, shëtitën qenin e tyre dhe shkëmbyen një puthje gjatë rrugës.

    Ajo tha se është krenare për gjithçka që ka arritur si modele, por që tani qëllimet e saj në jetë janë të ndryshme.

    “Suksesi për mua mund të nënkuptojë të jetoj në paqe, në një qytet të vogël, me burrin që dua, me fëmijën tim dhe kafshët”, tha ajo.

    Ajo zbuloi se donte të hapte një furrë buke me ushqime direkt nga ferma, me lule dhe produkte nga komuniteti vendas, por edhe t’i përkushtohej më shumë hobive të saj.

    “Dua të bëj gjëra që ma plotësojnë shpirtin: të kem një serë ku mund të kultivoj kopshtin, studion time për fryrjen e qelqit dhe qeramikës, të kem shumë fëmijë dhe të jem nënë”, tha ajo.

    Ajo shtoi se nuk ishte një ëndërr që e kishte pasur gjithmonë, por se kjo dëshirë tani është shumë e fortë.

    “Intuita ime e bërtet këtë shumë me zë të lartë,” tha ajo.

    Hadid është në një lidhje me Nathan Lacy, me të cilin u fotografua duke ecur në Aspen më 18 nëntor. Çifti mbajti duart dhe shëtiti qenin e tyre të racës Golden Retriever, dhe madje ndanë edhe një puthje gjatë rrugës, raporton People.

    Ata e bënë publike lidhjen e tyre më 7 nëntor në një ndeshje hokeji në Denver, dhe tre ditë më vonë Hadid postoi një seri fotosh të tyre së bashku në Instagram. Lacy jeton në Kolorado, dhe sipas profilit të Deux Moi në Instagram, ai punon si kauboj në fermën familjare.

  • Letra e Ali Khameneit dërguar Ramizë Alisë, për të refuzuar kredencialet e Izraelit në OKB

    Letra e Ali Khameneit dërguar Ramizë Alisë, për të refuzuar kredencialet e Izraelit në OKB

    Nga: Dashnor Kaloçi

    Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik, me të cilët Tirana zyrtare i kishte ndërprerë të gjitha marrëdhëniet zyrtare, përkatësisht në vitin 1946 e 1961, duke i konsideruar ato si “dy superfuqi imperialiste dhe revizioniste”, apo “xhandarë të popujve” (ShBA-në), regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, të tretin në “hierarkinë” e armiqve kishte shtetin e Izraelit. Edhe pse e njohu zyrtarisht shtetin e Izraelit që nga krijimi i tij, (16 prill 1949), apo më saktë rreth një vit pas shpalljes së pavarësisë më 15 maj 1948, gjë e cila më shumë ishte nën ndikimin dhe në sinkron me Bashkimin Sovjetik të Josif Stalinit, qeveria komuniste e Enver Hoxhës refuzoi të vendoste marrëdhënie diplomatike, tregtare, apo kulturore me shtetin hebraik. Po kështu, që nga mesi i muajit maj të vitit 1948, kohë në të cilën një koalicion vendesh fqinje arabe, si Egjipti, Jordania, Siria, Libani dhe Iraku, ndërhyri ushtarakisht duke shënuar nisjen e Luftës së Parë Arabo-Izraelite, Tirana zyrtare filloi të mbante anën e vendeve arabe, gjë e cila vijoi deri në vitin 1990, pak kohë para rrëzimit të regjimit komunist.

    Jo vetëm kaq, por pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, gjatë gjithë kësaj periudhe kohe gati 40-vjeçare, e konsideronte Izraelin një shtet armik apo “vegël në duart e imperializmit amerikan”, si kundërvënie ndaj tij ndihmoi e mbështeti financiarish pothuaj të gjitha partitë dhe grupet komuniste marksiste-leniniste të vendeve arabe (përfshirë dhe Partinë Komuniste të Izraelit), duke i përkrahur publikisht ato shtete edhe në arenën ndërkombëtare, deri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku votonte pro të gjitha rezolutat në favor të vendeve arabe e kundër Izraelit.

    Shumë më e ndjeshme dhe më e madhe ishte ndihma e Tiranës zyrtare ndaj Organizatës për Çlirimin e Palestinës me në krye Jaser Arafat-in, ku përveç mbështetjes materiale e financiare, (batanije leshi, stofra, ushqime, medikamente etj.) pranoi dhe stërviti ushtarakisht në Shqipëri në mënyrë të fshehtë edhe grupe palestinezësh, apo duke pritur në Shqipëri krerët më të lartë të saj, siç ishte delegacioni i Organizatës për Çlirimin Kombëtar të Palestinës, i kryesuar nga anëtari i udhëheqjes së përgjithshme të forcave të Al Alifa-s, Khalid al-Wazir (i njohur me pseudonimin “Abu Xhihad”), i cili ishte zëvendëskryetar dhe bashkëthemelues i Al Fatah-ut dhe gjithashtu krahu i djathtë i Jaser Arafatit, të cilët më 1 gusht 1970 u pritën nga vetë kryeministri Mehmet Shehu në vilën qeveritare të Durrësit (ish-vila e Mbretit Zog).

    Gjatë asaj pritje dhe bisedimeve me delegacionin e lartë palestinez, bashkë me kryeministrin Mehmet Shehu, asistuan edhe ministri Mbrojtjes Popullore dhe zëvendëskryeministri Beqir Balluku, ministri i Jashtëm Nesti Nase, nënkryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Xhafer Spahiu, drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, Hito Çako, kryetari i Komitetit të Veteranëve të Luftës Antifashiste të popullit shqiptar, Shefqet Peçi etj. Po kështu, tre ditë më vonë (3 gusht 1970), delegacionin e lartë palestinez e priti edhe vetë Enver Hoxha në vilën e tij qeveritare në Ujin e Ftohtë në Vlorë, ku asistonin edhe Hysni Kapo, Beqir Balluku, sekretari i parë i Komitetit Partisë së Vlorës, Petro Dode, zëvendësministri i Mbrojtjes, Rrahman Parllaku, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Frontit Demokratik të Shqipërisë, Ramadan Xhangolli etj.

    Lidhur me ardhjen e delegacionit të lartë palestinez në Shqipëri, në ditarin e tij politik, Enver Hoxha midis të tjerash do të shkruante: “Këto ditë vjen te ne për vizitë zyrtare, një delegacion i Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar të Palestinës, Al Fatah”. “Dërgimin e këtij delegacioni e kërkoi në ambasadën tonë të Kajros vetë Jaser Arafati. Ne kemi simpati dhe respekt për popullin arab të Palestinës, pse është një popull i mjeruar dhe trim. Ai është i vetmi popull arab, që lufton aktualisht në të katër anët e kufijve të Izraelit, kurse udhëheqësit arabë, që nga ata të Egjiptit dhe deri tek ata të Libanit, bëjnë llafe, mbajnë konferenca, përgatiten … për kompromise etj. Palestinezët, të dëbuar nga tokat e tyre, nga qeveria kolonialiste angleze, nga OKB-ja, në favor të Izraelit, rrojnë në çadra e në mjerim të madh në kampe, në Jordani, në Liban, në Siri e gjetkë. Agresioni i fundit izraelit bëri që refugjatët palestinezë të shtohen. Atëherë rruga e vetme e shpëtimit për ta mbeti ajo e luftës partizane. Dhe, ia filluan asaj, duke goditur izraelitët agresorë, si nga jashtë, nga Jordania, nga Siria, nga Libani dhe brenda, në territorin e pushtuar nga Izraeli. Kështu që çështja palestineze, në sajë të luftës së palestinezëve, u bë një problem i rëndësishëm kombëtar dhe ndërkombëtar, problem që miqtë dhe armiqtë e popullit palestinez duhet ta kenë parasysh dhe nuk mund të mos e llogaritin. Organizata Al Fatah me gjithë prirjet nacionaliste, është demokrate përparimtare dhe më e madhja e më e fuqishmja organizatë që ka një vijë të drejtë, të luftës revolucionare për çlirimin e Palestinës, për shkatërrimin e shtetit të Izraelit, të alambikuar nga sionizmi ndërkombëtar dhe të mbështetur nga imperialistët”.

    Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve të asaj kohe dhe mbështetjes e ndihmës që Tirana zyrtare u jepte vendeve arabe (në konfliktin e tyre me shtetin Izraelit), në vitin 1979, Enver Hoxha mbështeti dhe përkrahu publikisht pa rezerva revolucionin islamik Iranian, i cili çoi në rrëzimin e shahut Muhamed Reza Pahlavi dhe solli në pushtet një Republikë Islamike të udhëhequr nga Ajatollah Ruhollah Khomeini. Kështu, në kuadër të luftës kundër “imperializmit amerikan”, Enver Hoxha e përshëndeti rrëzimin e Pahlavit, të cilin e cilësonte si një kukull dhe vegël të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në janar 1979, në ditarin e tij politik (me titullin “Lavdi popullit iranian”), Enver Hoxha vlerësonte atë revolucion, duke e parë revoltën si “një fitore të popullit, kundër shfrytëzuesve dhe interesave amerikane në Lindjen e Mesme”.

    Në kuadrin e kësaj ndihme dhe mbështetjeje që Tirana zyrtare u jepte vendeve arabe dhe kryesisht Iranit (dy-tri parti komuniste dhe grupe marksiste-leniniste iraniane i mbështeste prej vitesh edhe financiarisht), në tetor të vitit 1984, presidenti i asaj kohe i Republikës Islаmike të Iranit, Seyed Ali Khamenei, me anë të një letre dërguar kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, i kërkonte ndihmë dhe mbështetjen e Shqipërisë për propozimin e tyre në mosnjohjen e kredencialeve të Izraelit në sesionin e 39-të të OKB-së. (Seyed Ali Khamenei, i cili u vra nga një sulm ajror amerikano-izraelit në kompleksin qeveritar në Teheran më 28 shkurt të këtij viti, është babai Mojtaba Khameneit, i cili aktualisht mban funksionin e Udhëheqësit Suprem ‘Rahbar’ të Iranit, që është autoriteti më i lartë politik dhe fetar në vend. Ai është udhëheqësi i tretë suprem i Republikës Islamike, që nga revolucioni i vitit 1979). Lidhur me këto na njeh dokumenti në fjalë i cili është nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili publikohet për herë të parë me faksimilet përkatëse nga Memorie.al

    ***

    (Dokumenti arkivor me shkresën përcjellëse të ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile, dërguar Ramiz Alisë, lidhur me letrën që i dërgon atij presidenti i republikës islamike të Iranit, Seyed Ali Khamenei, më 13 tetor 1984)

    Shokut Ramiz Alia

    Bashkëlidhur ju dërgojmë letrën që ju drejton presidenti i Republikës Islаmike të Iranit, Seyed Ali Khamenei, dorëzuar Misionit tonë në OKB, me të cilën kërkon mbështetjen e vendit tonë për propozimin e tyre për mosnjohjen e kredencialeve të Izraelit, në sesionin e 39-të të OKB-së.

    Për mirësjellje, mendojmë që letrës në fjalë t’i jepet një përgjigje e shkurtër, projektin e së cilës do t’ua dërgojmë së shpejti.

    Reiz Malile

    Tiranë, më 13 tetor 1984

    ***

    (Dokumenti arkivor me letrën e presidentit të Republikës Islamike të Iranit, Seyed Ali Khamenei, dërguar kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia)

    Presidenti i Republikës Islamike të Iranit

    Në emër të Zotit, të plotfuqishëm

    Shkëlqesisë së Tij, Zotit Ramiz Alia

    Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të

    Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë

    Shkëlqesi,

    Siç e dini mirë, regjimi që sundon në Palestinën e pushtuar, i vendosur me anën e komplotit të përbashkët të fuqive me mentalitet perandorak, gjatë 36 vjetëve vetëm ka materializuar pikësynimet e tij antinjerëzore dhe të ulëta, që rrjedhin nga natyra raciste e sionizmit, nga karakteri ekspansionist dhe qëllimet e tij kolonialiste.

    Ekzistenca dhe veprimtaria e kaluar e këtij regjimi uzurpator, si pjellë e paligjshme e imperializmit global dhe si mjeti kryesor dhe ekzekutues i politikës militariste agresive dhe ekspansioniste të imperializmit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në zemër të rajonit të ndërlikuar të Lindjes së Mesme, i kanë shërbyer vetëm agresionit, gjakderdhjes, krijimit të mosmarrëveshjeve dhe paqëndrueshmërisë politike.

    Pushtimi i paligjshëm i Palestinës, duke lenë pa strehë palestinezet e privuar e të shtypur, shkelja e të gjitha të drejtave themelore të banorëve të territoreve të pushtuara, zaptimi dhe aneksimi i paraplanifikuar i territoreve arabe, vazhdimi i politikës së shpallur dhe zyrtare të sionistëve për shtrirjen e kufijve të shtirur të Izraelit nga Nili në Eufrat, të gjitha këto janë në kundërshtim të hapët me Kartën e Kombeve të Bashkuara, me ligjet dhe rregullat ndërkombëtare, veçanërisht me dispozitat e Konventave të Gjenevës të vitit 1949.

    Veprimtaria e kaluar e regjimit sundues në Palestinën e pushtuar, provon plotësisht se ky regjim nuk është ndër anëtarët paqedashës të Kombeve të Bashkuara dhe nuk i ka plotësuar detyrimet dhe zotimet e tij të përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara.

    Duke pasur parasysh faktet e lartpërmendura dhe përjashtimin e mëparshëm të regjimit racist të Afrikës së Jugut nga Kombet e Bashkuara, si dhe miratimin e domosdoshmërisë për të bërë një luftë të vazhdueshme në të gjithë botën, kundër sionizmit dhe politikës së tij çnjerëzore, prania e vazhdueshme e regjimit sionist në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, konsiderohet si një fyerje e rëndë që u bëhet etikës, parimeve dhe normave ndërkombëtare, si dhe nderit e dinjitetit të popujve liridashës e paqedashës të botës.

    Duke shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen për votën pozitive të vendit përkatës vitin e kaluar, kemi besim se Shkëlqesia e Juaj do t’i kushtojë vëmendje të veçantë propozimit për refuzimin e kredencialeve të përfaqësuesve të regjimit sionist, në sesionin e 39-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kështu, duke mbështetur ketë iniciativë, në parim ne do të përmbushnim zotimet tona etike, njerëzore dhe ndërkombëtare ndaj popullit martir palestinez.

    Seyed Ali Khamenei

    President i Republikës Islamike të Iranit

    /Memorie.al/

  • Ekskluzive | Këta janë dy të arrestuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Arlindës – dyshohen se ndihmuan Albert Sylajn pas krimit

    Ekskluzive | Këta janë dy të arrestuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Arlindës – dyshohen se ndihmuan Albert Sylajn pas krimit

    Ekskluzive | Këta janë dy të arrestuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Arlindës – dyshohen se ndihmuan Albert Sylajn pas krimit

    Zbulohen edhe identitetet e dy personave të tjerë të arrestuar në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë. Ata dyshohen se kanë ndihmuar Albert Sylajn, të dyshuarin për vrasjen e 49-vjeçares, pas kryerjes së krimit, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

    Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se dy të arrestuarit janë Gëzim Bobi dhe Metë Pepaj.

    Ndaj tyre po zhvillohen hetime për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.

    Me arrestimin e Bobit dhe Pepajt, tashmë janë zbuluar identitetet e të katër personave të arrestuar në kuadër të intensifikimit të hetimeve për vrasjen e Arlindës.

    Siç raportoi më herët ekskluzivisht Sinjali, dy të arrestuarit e tjerë janë Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj, përkatësisht vjehrra dhe kunati i Arlindës, të cilët dyshohen për shtytje në vrasjen e saj.

    Në kuadër të veprimeve të fundit hetimore janë realizuar bastisje dhe janë sekuestruar prova.

    Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, vetëm pak minuta pasi ishte kthyer nga Stacioni Policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje.

    Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e saj, ishte arrestuar dy ditë më vonë, më 27 tetor.

    Gati një muaj pas vrasjes që tronditi Kosovën, hetimet janë shtrirë edhe në drejtim të personave që dyshohet se nxitën kryerjen e krimit dhe atyre që mund ta kenë ndihmuar kryerësin pas vrasjes.

    Gazeta Sinjali do të sjellë në vazhdimësi detaje ekskluzive për këtë rast.

    Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose familjarët më 2025

    OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose familjarët më 2025

    OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose familjarët më 2025

    Rreth 47 mijë gra dhe vajza në mbarë botën u vranë nga partnerët e tyre ose anëtarët e familjes gjatë vitit 2025, sipas një raporti të publikuar më 24 nëntor nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women.

    Raporti, i publikuar në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, më 25 nëntor, tregon se, ashtu si në vitet paraprake, shtëpia mbetet vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat.

    Nga rreth 78 mijë gra dhe vajza të vrara në botë gjatë vitit 2025, 60 për qind u vranë nga partnerët ose familjarët e tyre.

    Kjo do të thotë se, mesatarisht, çdo ditë 129 gra dhe vajza u vranë nga njerëzit e rrethit të tyre më të afërt.

    Sipas raportit, numri i viktimave ishte veçanërisht i lartë në Afrikë, ndërsa gratë dhe vajzat ishin relativisht më të sigurta në Evropë.

    Drejtoresha e UNODC-së, Monica Juma, tha se normat shoqërore dhe dështimi i mekanizmave institucionalë të mbrojtjes krijojnë një mjedis në të cilin vrasja e një bashkëshorteje, vajze, nëne apo motre “bëhet e tolerueshme”.

    Ndryshimi i këtij realiteti, sipas saj, kërkon veprime të vazhdueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë.

    Drejtoresha ekzekutive e UN Women, Sima Bahous, bëri thirrje për veprime urgjente, në mënyrë që asnjë shenjë paralajmëruese e dhunës të mos shpërfillet, asnjë e mbijetuar të mos mbetet pa mbrojtje dhe asnjë autor i krimit të mos i shpëtojë përgjegjësisë.

    Të dhënat e OKB-së tregojnë se, ndonëse shkalla e vrasjeve në nivel global është në rënie, ajo e femicidit – vrasjes së grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre – bie me ritme shumë më të ngadalta.

    Në Evropë, për shembull, shkalla e përgjithshme e vrasjeve ra për 43 për qind nga viti 2010 deri më 2025, ndërsa ajo e femicidit për vetëm 28 për qind.

    Tetë gra të vrara në Kosovë këtë vit
    Dhuna ndaj grave mbetet shqetësim edhe në Kosovë, ku deri në fund të tetorit të këtij viti janë vrarë tetë gra, kryesisht nga partnerët ose ish-partnerët e tyre.

    Ky numër është më i larti i regjistruar brenda një viti që nga viti 2010.

    Vrasja e Arlinda Zekajt, 49-vjeçare, më 25 tetor të këtij viti në Vitomiricë të Pejës, nxiti protesta dhe riktheu në vëmendje dështimet e institucioneve në mbrojtjen e grave nga dhuna.

    Zekaj, për vrasjen e së cilës dyshohet kunati i saj, kishte raportuar vazhdimisht dhunën në familje dhe kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun që i kanosej.

    Një ditë pas vrasjes së saj, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që parasheh hetim parlamentar të rastit, si dhe krijimin e mekanizmave për parandalimin e dhunës ndaj grave, fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

    Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, Policia e Kosovës regjistroi mbi 2.000 raste të dhunës në familje, apo mesatarisht shtatë deri në tetë raste në ditë.

    Mbi 76 për qind e viktimave të këtyre rasteve ishin të gjinisë femërore.

    Kosova ka ndërmarrë disa hapa ligjorë dhe institucionalë për luftimin e dhunës ndaj grave gjatë viteve të fundit.

    Në vitin 2020, Konventa e Stambollit – dokumenti ndërkombëtar për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje – u përfshi në Kushtetutën e Kosovës.

    Në vitin 2023 hyri në fuqi Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

    Në dhjetor të vitit 2024, nëntë vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit përkatës, u funksionalizua edhe sistemi i mbikëqyrjes elektronike, që mundëson monitorimin e personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, me qëllim parandalimin e dhunës në familje.

    Megjithatë, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave vazhdojnë të evidentojnë mangësi në zbatimin e legjislacionit.

    Rrjeti i Grave të Kosovës, gjatë monitorimit të 155 rasteve të dhunës me bazë gjinore nga viti 2025 deri në maj të vitit 2026, identifikoi mangësi në vlerësimin e rrezikut ndaj viktimave, mungesë koordinimi ndërmjet institucioneve, zvarritje të procedurave gjyqësore dhe shqiptim të dënimeve joproporcionale me peshën e veprave penale.

    Shenjat paralajmëruese që nuk duhen shpërfillur

    Hulumtimet ndërkombëtare tregojnë se nuk ekziston një profil i vetëm psikologjik që i karakterizon burrat që vrasin partneret e tyre, por se sjelljet e tyre mund të japin sinjale paralajmëruese shumë kohë përpara vrasjes.

    Sipas ekspertëve me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, pak kohë më parë, rreth 70 për qind e burrave që vrasin partneret, kanë ushtruar dhunë ndaj tyre edhe më parë, ndonëse jo domosdoshmërisht të raportuar tek autoritetet.

    Kontrolli i vazhdueshëm, kufizimi i kontakteve shoqërore, përndjekja dhe kontrolli i financave janë disa prej sjelljeve që shpesh minimizohen si shprehje të xhelozisë.

    Ndër faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për femicid janë: qasja në armë, kërcënimet për vrasje dhe përshkallëzimi i dhunës.

    Rreziku mund të rritet veçanërisht kur një grua përpiqet të largohet nga një partner që ka ushtruar kontroll dhe dhunë ndaj saj.

    Hulumtimet tregojnë, gjithashtu, se shumë autorë të femicidit e shohin dhunën si mënyrë për të rivendosur autoritetin që besojnë se u është cenuar në marrëdhënie.

    Ekspertët theksojnë se, ndonëse vrasjet nuk mund të parashikohen me siguri, vlerësimi sistematik i faktorëve të rrezikut mund t’u mundësojë institucioneve të ndërhyjnë në kohë për t’i parandaluar ato.

    Çdo vit, më 25 nëntor, në Kosovë dhe në mbarë botën nis fushata ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

    Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin për dhunën ndaj grave dhe vajzave dhe të nxisë veprime konkrete për parandalimin e saj./REL/

    Burimi: Insajderi

  • AGK-ja dënon gjuhën e drejtorit të Spitalit të Gjilanit ndaj gazetares së Klanit, Arbreshë Uka

    AGK-ja dënon gjuhën e drejtorit të Spitalit të Gjilanit ndaj gazetares së Klanit, Arbreshë Uka

    AGK-ja dënon gjuhën e drejtorit të Spitalit të Gjilanit ndaj gazetares së Klanit, Arbreshë Uka

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar gjuhën e papërshtatshme dhe sjelljen joprofesionale të drejtorit të Spitalit të Gjilanit, Afrim Cana ndaj gazetares së Klan Kosova, Arbreshë Uka.

    Reagimi i AGK-së ka ardhur pas fjalëve që drejtori i këtij spitali ka përdorur ndaj gazetares Uka.

    “Psikiatri Cana i është drejtuar gazetares Uka me fjalinë: “A ke nevojë për ekzaminim? Nëse keni mundeni me ardhë”, derisa ajo po e pyeste për mungesën e kujdestarisë në disa reparte në spitalin publik. AGK-ja e konsideron këtë gjuhë si të papranueshme, fyese dhe tentim të drejtorit Cana për të intimiduar gazetaren në kryerjen e detyrës së saj profesionale.”, thuhet në reagimin e AGK-së.

    AGK-ja e ka ftuar drejtorin Cana t’i kërkojë falje publike gazetares Uka dhe të ofrojë transparencë dhe përgjigje në pyetjet e gazetarëve që janë në interes publik.

    “Sjellja e drejtorit Cana ka për synim denigrimin e gazetares, dhe AGK-ja i bën thirrje nivelit qendror për marrjen e masave. Gazetarët duhet të jenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre për informimin e publikut pa u penguar nga asnjë palë.”, thuhet në reagim. /Klankosova.tv

  • Sonte në Kiks Kosova: Mashtrimet me sëmundje, si funksionoi skema e përfitimit?

    Sonte në Kiks Kosova: Mashtrimet me sëmundje, si funksionoi skema e përfitimit?

    Sonte në Kiks Kosova: Mashtrimet me sëmundje, si funksionoi skema e përfitimit?

    Mashtrimet duke u thirrur në sëmundje janë kthyer në një fenomen të përhapur dhe sonte në KIKS Kosova zbulojmë një tjetër rast nga brenda.

    Kushtrim Dervishi kërkoi para për një operacion të syrit, madje caktoi edhe datë, por hulumtimi ynë zbuloi se asnjë operacion nuk ishte planifikuar askund.

    Qëllimi ishte marrja e parave, por Kiksi pas hulumtimit të gjitha parat të 3,500 eurot ua ka kthyer donatorëve.

    – Sa telefonata u bënë në Kiks Kosova për këtë rast?

    – Si u përdorën thirrjet në radio për të ushtruar presion ndaj emisionit dhe autorëve për të arritur te paratë?

    – Si Kushtrim Dervishi nxiti thirrje ndaj gazetares Sara Aliu, me persona që u shtirën herë si avokatë e herë si policë nga stacione të ndryshme, por me numra jozyrtarë?

    Nga ora 19:00, në Klan Kosova.

  • Elisa Spiropali përjashtohet nga Grupi Parlamentar i PS, socialistët votojnë pro largimit - emrat e dy deputetëve që abstenuan

    Elisa Spiropali përjashtohet nga Grupi Parlamentar i PS, socialistët votojnë pro largimit – emrat e dy deputetëve që abstenuan

    Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka votuar sot pro kërkesës për përjashtimin e deputetes Elisa Spiropali nga strukturat drejtuese të partisë.

    Mësohet se gjatë votimit, deputetët Bledi Çuçi dhe Erion Braçe kanë abstenuar.

    Kujtojmë se Spiropali u përjashtua nga të gjitha forumet drejtuese të PS-së pas Asamblesë së mbajtur në Gjirin e Lalzit, raporton Tch.

    Vendimi vjen pas kritikave të saj ndaj mënyrës së drejtimit të Partisë Socialiste dhe qeverisë, ku deputetja ka kërkuar ndryshim të modelit të drejtimit.

    Ndërkohë vetë Spiropali nuk ka qenë prezentë në mbledhje.