Author: Momenti

  • Arrest shtëpiak dhe paraburgim për menaxherët financiarë të "Lotarisë Shtetërore", dyshohen për përvetësim të 1.3 milion eurove

    Arrest shtëpiak dhe paraburgim për menaxherët financiarë të “Lotarisë Shtetërore”, dyshohen për përvetësim të 1.3 milion eurove

    Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, duke vepruar sipas një propozimi nga Prokuroria, urdhëroi paraburgim dhe arrest shtëpiak për dy menaxherët e dyshuar financiarë të SH.A. “Lotaria Shtetërore” për “përvetësim në detyrë”.

    Prokuroria Themelore Publike në Shkup dyshon se dy menaxherët financiarë të SH.A. “Lotaria Shtetërore” kanë kryer përvetësim në detyrë si bashkëkryerës, kështu që i gjithë qarkullimi ditor për vitin 2024, i cili u ishte besuar atyre nga pikat e shitjes, nuk ishte paguar dhe depozituar në llogaritë transaksionale të kompanisë në bankat komerciale, por përkundrazi e përvetësuan atë për vete dhe kështu përvetësuan paratë e besuara në detyrë në shumën prej 1.3 milion eurosh.

    Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale të përvetësimit në detyrë sipas nenit 354, paragrafi 5, në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.

    Sipas Prokurorisë, gjatë vitit 2024, i dyshuari i parë, në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Financës dhe Kontabilitetit, dhe i dyshuari i dytë, në detyrën e Shefit të Çështjeve Financiare në Kompaninë Shtetërore të Lotarisë për Organizimin e Lojërave të Fatit, duke ushtruar kompetencat dhe detyrat e tyre të veçanta të përcaktuara me ligj, kanë marrë pjesë së bashku në veprime për të kryer veprën penale të përvetësimit me qëllim përfitimin e dobive pasurore të paligjshme për veten e tyre.

  • Asnjë vend i sigurt: Si i ndjekin Irani dhe Rusia kundërshtarët e tyre në mërgim

    Asnjë vend i sigurt: Si i ndjekin Irani dhe Rusia kundërshtarët e tyre në mërgim

    Një të enjte, në fillim të marsit, Milad Pourtalebian u kthye në apartamentin e tij dhe gjeti se ai ishte bastisur dhe hallakatur.

    Më pas, vuri re një detaj rrëqethës që sugjeronte se kjo nuk ishte një vjedhje: Kapela e tij e bejsbollit me mbishkrimin “Make Iran Great Again” ishte ngulur në mur me një thikë të madhe kuzhine.

    Pourtalebian është shtetas iranian dhe, që kur mbërriti në Kanada në vitin 2024, ka organizuar tubime të opozitës iraniane në mërgim në qytetin e tij të adoptuar, Saskatun, në Saskatçevan.

    Thyerja në apartament, e cila ndodhi disa ditë pasi sulmet ajrore amerikane dhe izraelite nisën një luftë me Iranin, pasoi një seri kërcënimesh në internet ndaj 32-vjeçarit lidhur me aktivitetet e tij.

    Ai e raportoi menjëherë incidentin në polici, duke u thënë autoriteteve se ishte shënjestruar për arsye politike.

    “Incidenti fillimisht ishte jashtëzakonisht i frikshëm për mua”, i tha ai Radios Evropa e Lirë, duke shtuar se që atëherë e ka kapërcyer këtë ndjenjë. “Vendosa të mos lejoj që frika të më ndalojë të shpreh pikëpamjet e mia politike. Mendoj për mijëra iranianë që kanë humbur jetën duke kërkuar lirinë”.

    Fotografitë, dokumentet e policisë dhe pamjet e ekraneve nga rrjetet sociale që Pourtalebian i ndau me Radion Evropa e Lirë japin një ide se, pavarësisht se ndodhet mijëra kilometra larg Iranit, ai nuk është jashtë mundësive të shërbimeve të sigurisë së vendit.

    Një postim në Telegram e denoncon atë për “aktivitete propagandistike kundër establishmentit politik” dhe për mbështetjen e “sulmit të Amerikës dhe regjimit zionist kundër Iranit”.

    Postimi përfundon duke thënë: “Ky person jeton në Saskatun. Disa muaj më parë, e gjetëm dhe ia përcollëm mesazhin tonë në shtëpinë e tij”.

    Kjo, tha Pourtalebian, ishte “veçanërisht shqetësuese”. Nga apartamenti i tij nuk ishte marrë asgjë dhe askush nuk është arrestuar.

    Represioni transnacional

    Përvoja e Pourtalebianit është specifike, por duket se është pjesë e një fenomeni më të gjerë, në të cilin shtetet autoritare ndjekin kundërshtarët e tyre edhe pasi ata gjejnë strehë në vende perëndimore që duken të sigurta.

    Irani ka praktikuar vrasje dhe sulme prej dekadash, por presioni i tij global shkon shumë përtej kërcënimeve fizike.

    Factnameh, një shërbim verifikimi faktesh në gjuhën perse, me bazë në Kanada, vuri në dukje kohët e fundit një rritje të “mbikëqyrjes së kryer nga turma, publikimit të të dhënave personale dhe frikësimit të mundësuar nga teknologjia, që synojnë kritikët jashtë Iranit”.

    Ndër mjetet e përdorura është Alaj, një faqe interneti ku njerëzit mund të bëjnë denoncime, e cila thuhet se mban dosje për rreth 1.600 persona.

    Televizioni shtetëror iranian i ka kërcënuar personat e përfshirë në këto lista me “sekuestrim të pasurive, pezullim të plotë të shërbimeve konsullore dhe Njoftime të Kuqe të Interpolit”, tha Factnameh.

    Një tjetër mjet, Goorkan (në persisht “Gërmuesi i Varreve”), publikon të dhëna personale të atyre që i quan “tradhtarë”.

    Shërbimet e inteligjencës amerikane, britanike dhe holandeze raportuan muajin e kaluar se Irani po zhvillonte një fushatë globale kibernetike.

    Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI) tha se një program keqdashës i quajtur Heavygram ishte përdorur “për të kryer aktivitete keqdashëse kibernetike, për të shënjestruar disidentë iranianë, gazetarë kundër Iranit dhe grupe të tjera opozitare në mbarë botën”.

    Irani nuk është i vetmi në ndjekjen e kritikëve jashtë vendit.

    Yana Gorkhovskaia, drejtuese e kërkimit dhe analizës në Freedom House, me bazë në Uashington, ka vite që studion këtë fenomen.

    “Kina, Irani dhe Rusia janë ndër 10 autorët kryesorë të represionit transnacional, sipas të dhënave tona. Kina i tejkalon dukshëm të gjitha qeveritë e tjera”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë. “Nga këto tri vende, Rusia është shumë më e dhunshmja sa i përket atentateve dhe sulmeve”.

    Shembuj të njohur përfshijnë helmimet e dezertorëve Aleksandr Litvinenko dhe Sergei Skripal në Britani, si dhe sulmin me çekiç ndaj aktivistit të opozitës Leonid Volkov, bashkëpunëtor i disidentit të ndjerë rus, Aleksei Navalny, në Lituani.

    “Një lloj paranoje”

    Kjo është diçka që e shqetëson jashtëzakonisht shumë Mikhail Klimaryovin, një ekspert rus i sigurisë kibernetike dhe kritik i Kremlinit, i cili u largua nga Rusia pasi ajo nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022.

    Tani që jeton në Berlin, ku bashkëpunon me Volkovin, 53-vjeçari i tha Radios Evropa e Lirë se, për shkak të kërcënimit, kishte vënë re tek vetja “një lloj paranoje”.

    “Jam tepër i shqetësuar për sigurinë. Të paktën nga këndvështrimi i një personi normal dhe të shëndetshëm. Kur jam jashtë, kontrolloj nëse po më ndjek dikush. Para se të prek dorezën e derës së apartamentit tim, e kontrolloj fillimisht, sepse ishte ai rasti kur një dorezë dere u lye me Noviçok”, tha ai.

    Por, Klimaryov tha se jeta e tij e përditshme ndikohej gjithashtu nga një mori presionesh më të vogla, që nga sulmet përmes mesazheve mashtruese deri te vështirësitë administrative, të cilat së bashku përbëjnë “një luftë psikologjike” të Moskës ndaj njerëzve si ai.

    Për shembull, ai nuk mund ta rinovojë pasaportën ruse, e cila skadon në vitin 2029. Kjo do të ndikojë në statusin e tij të qëndrimit në Gjermani.

    “Do të jetë një problem administrativ, dhe nuk do të jetë aq e thjeshtë sa mund të duket. Do të më duhet të punësoj një avokat”, tha ai.

    Klimaryov shpjegoi se nuk ka azil në Gjermani dhe nuk dëshiron të aplikojë për të, sepse kjo do të nënkuptonte se nuk do të mund të vazhdonte të drejtonte një biznes që punëson 20 persona.

    Udhëtimet janë një tjetër problem. Rusia e ka futur atë në një listë terroristësh, gjë që mund të shkaktojë probleme në çdo kufi.

    Ai kujtoi se, teksa po kthehej nga një udhëtim të fundit në Shtetet e Bashkuara, një oficer “me automatik dhe qen” e nxori nga radha e hipjes në avion dhe e mori në pyetje për 30 minuta.

    Rreziku i ekstradimit do të thotë se ai duhet të jetë i kujdesshëm se cilat vende viziton.

    Klimaryov është gjithashtu në listën e agjentëve të huaj në Rusi dhe ka borxhe prej rreth 1 milion dollarësh nga gjobat e vendosura ndaj tij nga autoritetet, për të cilat ai thotë se janë për arsye politike.

    Në shumë raste, ai nuk ka qenë në gjendje të merret me çështjet administrative që grumbulloheshin kundër tij në vendlindje, sepse numri i tij rus i telefonit u anulua, duke e penguar të komunikonte me autoritetet në internet ose të hynte në llogaritë e tij bankare në Rusi.

    Klimaryov thotë se nuk përdor telefon përveçse kur kjo i kërkohet nga autoritetet gjermane dhe nuk ia jep numrin askujt tjetër, për shkak të frikës nga hakerimi.

    Ai ndihmon rusë të tjerë që bien pre e sulmeve përmes mesazheve mashtruese dhe thotë se një herë edhe vetë pothuajse ra pre e një të tillë.

    “Arrita ta ndaloj veten në momentin e fundit. Ishte një mashtrim i një niveli shumë të lartë”, tha ai, duke përshkruar një shkëmbim të sofistikuar mesazhesh me dikë që hiqej si klient i mundshëm i kompanisë së tij. Pas disa javësh komunikimi, ai për pak sa nuk vendosi një kod të dërguar në Telegram, i cili mund t’i kishte komprometuar llogarinë.

    “A ndikon e gjithë kjo tek unë psikologjikisht? Sigurisht që po”, tha Klimaryov. “Kam kërkuar këshillë mjekësore…. Më kap paniku. Sulme paniku – e di se çfarë janë?”.

    Pavarësisht kësaj, Klimaryov këmbënguli se nuk e konsideron veten viktimë. “Jam më mirë se shumë njerëz. Nuk jam në burg. Mund të siguroj jetesën”.

    Por, Klimaryov shtoi se po shqyrton këshillën mjekësore për të pezulluar aktivitetet e tij politike si pasojë e presionit. Gorkhovskaia theksoi se pikërisht ky është qëllimi.

    “Mbikëqyrja, frikësimi, kërcënimet ndaj familjes, kërcënimet digjitale – ato funksionojnë, për t’i bërë njerëzit të paktën të mendojnë dy herë nëse ia vlen të marrin pjesë në një protestë ose të bëjnë diçka publikisht”, tha ajo.

    Sipas Freedom House, shtete të tjera kryesore përgjegjëse për represionin transnacional përfshijnë Turqinë, Arabinë Saudite dhe Ruandën.

    Gorkhovskaia tha se reagimi i fuqishëm dhe afatgjatë nga vendet perëndimore është i rrallë.

    Kjo ndodh si për shkak të mundësisë për mohim të besueshëm të praktikave të tilla, ashtu edhe për shkak të konsideratave më të gjera politike.

    “Autorët e represionit transnacional nuk paguajnë kosto për shënjestrimin e disidentëve jashtë vendit… Ata mësojnë nga njëri-tjetri se kjo është një praktikë që mund të vazhdojnë ta përdorin”, tha Gorkhovskaia.

    Pourtalebian tha se do të dëshironte të shihte një përgjigje më të ashpër nga Kanadaja, duke argumentuar se ajo “mbetet tepër e hapur ndaj individëve të lidhur me Republikën Islamike”.

    Policia e Saskatunit i tha Radios Evropa e Lirë se e kishte mbyllur dosjen e rastit, por do ta rihapte atë nëse “do të paraqitej informacion i mëtejshëm lidhur me një të dyshuar ose prova shtesë”. /REL/

  • Agjent i patundshmërive: Çfarë e përcakton suksesin në një profesion në rritje?

    Agjent i patundshmërive: Çfarë e përcakton suksesin në një profesion në rritje?

    Interesimi për të punuar si agjent i patundshmërive po rritet. Puna e agjentit lidhet me vendime që kanë peshë të madhe për klientin, nga blerja e një banese me kursimet familjare deri te gjetja e një hapësire për biznes. Në këto raste, rëndësi ka sa mirë e njeh agjenti tregun dhe sa qartë arrin t’ia shpjegojë klientit mundësitë që ka.

    1. Komunikimi

    Për blerësin, një pronë mund ta ketë çmimin e duhur dhe prapë të mos jetë zgjedhja e përshtatshme. Largësia nga puna, nevojat e familjes dhe mënyra e përdorimit e ndryshojnë vlerësimin. Kur agjenti i kupton këto arsye, kërkimi bëhet më i saktë dhe klienti kursen kohën që do të kalonte në vizita pa interes për të.

    Një vlerësim realist mund të mos përputhet me atë që pronari dëshiron të dëgjojë. Nga ana tjetër, kërkesa e blerësit mund të ndryshojë sapo të kuptojë më mirë çfarë i ofron buxheti i tij. Komunikimi i hapur i ndihmon palët t’i sqarojnë pritjet para se ato të bëhen pengesë për marrëveshjen.

    2. Njohja e tregut

    Shpalljet online e kanë bërë më të lehtë gjetjen e pronave. Për blerësin, megjithatë, mbetet puna e vlerësimit të ofertave dhe e dallimeve mes tyre. Dy banesa me sipërfaqe të ngjashme në të njëjtën lagje mund të kenë çmime të ndryshme për shkak të gjendjes, katit, parkingut apo dokumentacionit. Njohja e këtyre dallimeve e bën më të dobishme këshillën e agjentit.

    Çmimi i publikuar në shpallje shpreh kërkesën e pronarit. Për ta kuptuar sa i përgjigjet tregut, vlejnë krahasimet me prona të ngjashme dhe, kur ka të dhëna të besueshme, me shitjet e realizuara.

    Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme kur pritjet e pronarit lidhen me shpenzimet që ka bërë ose me vlerën personale që prona ka për të.

    3. Organizimi dhe menaxhimi i kohës

    Besimi formohet edhe mes telefonatave dhe takimeve. Pronari pret të kuptojë si po ecën shitja, ndërsa blerësi pret përgjigje për çështjet e mbetura pa sqarim.

    Për agjentin që punon me disa klientë e prona njëkohësisht, organizimi është ai që e mban këtë komunikim të rregullt dhe e ndihmon të respektojë afatet e premtuara.

    4. Aftësitë negociuese

    Kur interesi kthehet në ofertë, çmimi diskutohet bashkë me kushtet e pagesës dhe të dorëzimit. Një ofertë më e lartë, për shembull, mund të varet nga financimi që ende nuk është konfirmuar.

    Një tjetër mund t’i përshtatet më mirë afatit kur pronari kërkon ta përfundojë shitjen. Hapësira për marrëveshje mund të gjendet edhe te këto kushte, sidomos kur agjenti i kupton prioritetet e secilës palë.

    5. Përgjegjësia dhe profesionalizmi

    Një paqartësi rreth dokumentacionit ose asaj që përfshihet në çmim mund t’i ndryshojë bisedimet. Për këtë arsye, serioziteti i agjentit vërehet te informatat që jep dhe te dallimi që bën mes fakteve të konfirmuara e çështjeve ende të hapura.

    Bashkëpunimi me juristët dhe profesionistët përkatës, aty ku nevojitet, e ndihmon klientin të marrë sqarimin e duhur para se të vazhdojë.

    6. Etika në punë

    Transparenca merr peshë sidomos kur një problem i njohur me pronën mund ta bëjë shitjen më të vështirë. Fshehja e tij e lë klientin të vendosë pa informacionin që i nevojitet dhe e vë në rrezik besimin te agjenti.

    E njëjta marrëdhënie besimi lidhet me qartësinë për komisionin dhe me respektimin e informatave personale që klienti ndan gjatë bashkëpunimit.

    7. Trajnimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm

    Një karrierë në patundshmëri zhvillohet edhe përmes rasteve që nuk përfundojnë me marrëveshje. Ato e ndihmojnë agjentin të kuptojë ku ka munguar një informatë, ku pritjet kanë qenë të paqarta ose kur prona nuk i është përshtatur klientit.

    Trajnimet dhe përditësimi i njohurive për tregun, marketingun, teknologjinë dhe çështjet ligjore e financiare e plotësojnë këtë përvojë.

    Shitjet tregojnë rezultatin e punës, ndërsa klientët që rikthehen dhe rekomandimet flasin për cilësinë e shërbimit. Një klient i informuar dhe i trajtuar me korrektësi ka arsye t’ia besojë sërish një pronë të njëjtit agjent. Mënyra si realizohet një marrëveshje ndikon kështu edhe te puna që vjen pas saj.

  • Takimi me Kurtin, presidentja Shiroka-Pula: Bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe vendit

    Takimi me Kurtin, presidentja Shiroka-Pula: Bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe vendit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

    Një njoftimin e Presidencës thuhet se gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të vendit.

    “Kryeministri Kurti e falënderoi Presidenten për gatishmërinë për të marrë këtë përgjegjësi dhe i uroi suksese në detyrë. Ai shprehu përkushtimin për të bashkëpunuar me të në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, pas takimit me presidenten e vendit, edhe kryeministri Albin Kurti është deklaruar për media.

    Ai falënderoi presidenten Shiroka-Pula për pranimin e kandidaturës për presidente.

    “Ishte një takim i parë me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha e të përditshme për interesin shtetëror të Republikës, për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim…

    Tash na presin shumë punë e angazhime, të cilat natyrisht që me vullnet të mirë, dijen e mundësinë që kemi do t’i shtyjmë përpara sa më shpejt që mundemi”, tha ai, raporton Telegrafi.

    Kurti u shpreh më tej se Republika e Kosovës më në fund pas më shumë se një vit e gjysmë ka institucionet plotësisht funksionale.

    “…Tash natyrisht se nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, tha ai, duke shtuar se hasi në mirëkuptimin dhe vullnetin e presidentes që të bashkërendohen maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt. /Telegrafi/

  • Receta e re Strudel Cherry nga Liri

    Receta e re Strudel Cherry nga Liri

    Familja e produkteve të Lirit pasurohet me një shije të re. Strudel Cherry i bashkohet kësaj familjeje për të sjellë një kombinim të ëmbël dhe një tjetër zgjedhje për momentet kur dëshironi të shijoni diçka ndryshe.

    Një produkt i ri, një shije që të fton ta provosh dhe i njëjti përkushtim ndaj cilësisë që karakterizon Liri-n.

    Me mbushje me shije qershie dhe praktik për t’u shijuar në çdo kohë, Strudel Cherry është një alternativë për ata që preferojnë shijet e ëmbla dhe kërkojnë diçka të veçantë për ta shoqëruar një pauzë gjatë ditës.

    Një shije e re nga Liri

    Pas çdo produkti të Lirit qëndron një proces ku vëmendja ndaj detajeve fillon që në përzgjedhjen e lëndëve të para dhe vazhdon në çdo fazë të prodhimit.

    Në Liri Prizren, recetat tradicionale ndërthuren me standardet moderne të prodhimit, duke ruajtur shijen dhe cilësinë që karakterizojnë produktet e saj.

    Kjo qasje është pjesë e mënyrës së punës së Lirit ndër vite dhe ka kontribuar që produktet e saj të jenë pjesë e përditshmërisë së shumë familjeve.

    Nga përzgjedhja e lëndëve të para deri te produkti final

    Cilësia nis shumë përpara se produkti të arrijë te konsumatori. Përzgjedhja e përbërësve dhe kujdesi në çdo fazë të përgatitjes janë pjesë e procesit që i jep formë produktit final.

    Me Strudel Cherry, kjo përvojë pasurohet me një tjetër recetë, të krijuar për ata që duan një shije të ëmbël në çdo moment të ditës.

    Sepse ndonjëherë mjafton një shije e mirë për ta bërë një moment edhe më të këndshëm.

    E sheh. E zgjedh. E shijon.

    Strudel Cherry – nga Liri.

  • IPK nis hetim për gazin lotsjellës të përdorur në protestë

    IPK nis hetim për gazin lotsjellës të përdorur në protestë

    IPK nis hetim për gazin lotsjellës të përdorur në protestë

    Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës.

    Nga IPK konfirmuan se, në kuadër të këtij hetimi, përveç ankesave të pranuara nga qytetarët, do të verifikohen edhe pretendimet e ngritura lidhur me afatin e skadimit të gazit lotsjellës të përdorur gjatë protestës.

    Sipas IPK-së, si për ankesat e pranuara në objektet e këtij institucioni, ashtu edhe për rastet e iniciuara në kuadër të detyrës zyrtare, tashmë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore, përfshirë sigurimin e video incizimeve dhe dëshmive të tjera, marrjen e deklaratave dhe shikimin e dokumentacioneve zyrtare policore që ndërlidhen me menaxhimin e protestës.

    “IPK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren”, deklaruan nga IPK.

    Gjatë protestës, e cila u mbajt me kërkesën për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, kishte ngritur dyshime se Policia e Kosovës kishte përdorur gaz lotsjellës të modelit të vitit 2018, të cilit pretendohet se i kishte skaduar afati. Ato bombola të gazit lotsjellës Radio Dukagjini i kishte incizuar dhe janë këto në fotografi. /RadioDukagjini

    The post IPK nis hetim për gazin lotsjellës të përdorur në protestë appeared first on Insajderi.

  • Kosova në mesin e favoritëve për Ligën A të Kombeve, ja sa janë gjasat e “Dardanëve” për promovim

    Kosova në mesin e favoritëve për Ligën A të Kombeve, ja sa janë gjasat e “Dardanëve” për promovim

    Kombëtarja e Kosovës ka 21.7 për qind gjasa për t’u promovuar në Ligën A të Ligës së Kombeve, sipas parashikimeve të publikuara nga Football Rankings.

    “Dardanët” renditen në vendin e nëntë në listën e përfaqësueseve të Ligës B që kanë mundësi të ngjiten në nivelin më të lartë.

    Përpara Kosovës janë Zvicra me 99.5 për qind, Austria me 94.8 për qind, Suedia me 88 për qind, Hungaria me 71.3 për qind, Irlanda e Veriut me 59.4 për qind, Bosnja e Hercegovina me 46.3 për qind, Sllovenia me 39.5 për qind dhe Republika e Irlandës me 24.7 për qind.

    Kosova e ka nisur mirë aventurën në Ligën B, duke marrë fitoren 1-0 ndaj Republikës së Irlandës në ndeshjen e parë.

    Më pas, pësoi humbje 3-1 në udhëtim ndaj Austrisë, para se të barazonte pa gola me Izraelin dhe 1-1 me Austrinë në “Fadil Vokrri”.

    Pas katër ndeshjeve, Austria kryeson Grupin B3 me tetë pikë, ndërsa Kosova dhe Republika e Irlanda kanë nga pesë pikë. Izraeli është i fundit me dy pikë.

    Për Kosovën mbeten edhe dy ndeshje vendimtare në nëntor. Fillimisht, “Dardanët” do ta presin Izraelin më 14 nëntor, ndërsa katër ditë më vonë do të përballen me Republikën e Irlandës në udhëtim.

    Sipas rregullave të edicionit 2026/27, vetëm fituesi i grupit në Ligën B siguron promovimin direkt në Ligën A. Ekipi që përfundon i dyti shkon në ‘play-off’-in e promovimit, ku përballet me një kundërshtar nga Liga A.

    Kjo do të thotë se rruga e Kosovës drejt Ligës A mbetet e hapur, por dy ndeshjet e fundit do të jenë përcaktuese për fatin e saj./Telegrafi/

  • Dogana konfirmon raportimin ekskluziv të Sinjalit për kapjen e mbi 30 mijë eurove në pikën kufitare në Bërnjak

    Dogana konfirmon raportimin ekskluziv të Sinjalit për kapjen e mbi 30 mijë eurove në pikën kufitare në Bërnjak

    Dogana konfirmon raportimin ekskluziv të Sinjalit për kapjen e mbi 30 mijë eurove në pikën kufitare në Bërnjak

    Raportimi i Sinjalit për kapjen e mbi 30 mijë eurove të padeklaruara në pikën kufitare në Bërnjak është konfirmuar nga Dogana e Kosovës.

    Siç kishte raportuar Sinjali, rasti kishte ndodhur mbrëmjen e 7 tetorit, rreth orës 22:15, kur në hyrje të Kosovës ishte ndaluar për kontroll një veturë Renault Kangoo, me targa të huaja, e drejtuar nga Vitomir Bjelić.

    Burimet e Sinjalit kishin bërë me dije se automjeti ishte përzgjedhur për kontroll të dytë nga zyrtarët policorë dhe doganorë, ndërsa drejtuesi fillimisht kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar.

    Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët kishin zbuluar një hapësirë të fshehtë nën ulësen e pasme të pasagjerit, e mbuluar me tepih. Brenda saj ishte gjetur një qese e zezë me para të gatshme.

    Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, në hapësirën e fshehtë ishin gjetur 30 mijë euro, ndërsa drejtuesi kishte edhe 550 euro në portofol, duke e çuar shumën totale në 30 mijë e 550 euro.

    Tashmë, Dogana e Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht rastin, duke bërë të ditur se gjatë kontrollit në pikën kufitare Bërnjak është ndaluar një automjet me targa të huaja, ndërsa në një hapësirë të fshehtë në dyshemenë e tij janë gjetur 30,550 euro në para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar.

    Sipas Doganës, udhëtari gjatë intervistimit kishte deklaruar se nuk kishte mjete monetare apo mallra për të deklaruar, por pas dyshimeve të krijuara, zyrtarët kryen kontroll të automjetit dhe kontroll personal.

    Dogana ka rikujtuar se, sipas legjislacionit në fuqi, çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart 10 mijë euro ose më shumë, është i obliguar që shumën ta deklarojë me shkrim dhe të paraqesë burimin e verifikueshëm të mjeteve

    Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Dogana konfirmon raportimin ekskluziv të Sinjalit për kapjen e mbi 30 mijë eurove në pikën kufitare në Bërnjak appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Diplomatja shqiptare: Presidentja e Kosovës është me origjinë nga Shkodra

    Diplomatja shqiptare: Presidentja e Kosovës është me origjinë nga Shkodra

    Diplomatja shqiptare: Presidentja e Kosovës është me origjinë nga Shkodra

    Diplomatja shqiptare Edita Harxhi ka thënë se presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, është me origjinë nga Shkodra e Shqipërisë.

    Harxhi tregoi lidhjet e familjes së saj me Shkodrën dhe zhvendosjen në një lagje të Prizrenit.

    “Zonja Shiroka është me origjinë nga Shkodra, janë katolikë nga Shkodra, të cilët janë të ardhur në Prizren. Ka qenë një lagje e katolikëve në Prizren ku ka qenë edhe familja e Nënë Terezës dhe babai i saj ka qenë artisti i filigramit më i famshmi në Kosovë, Simon Shiroka. Ajo ka qenë e martuar me një zotëri me mbiemrin Pula, familje me emër në Gjakovë. Ai ishte inxhinier shumë i njohur elektroenergjetikës në Kosovë. Babai i saj Simon Shiroka i ndjerë, ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm tek zonja presidente dhe dy vajza të tjera”, ka thënë ajo në Euronews Albania.

    Harxhi tregoi se këto informacione i mësoi nga vetë presidentja Shiroka-Pula, gjatë një takimi me të.

    “Për mua shumë e bukur kjo që ajo është katolike. Kur e kam takuar për herë të parë, më ka impresionuar ky fakt kur më ka treguar se nga vinte”, ka thënë ndër të tjera diplomatja shqiptare.

    Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Kosovës me 81 vota për. /Insajderi.org/

    The post Diplomatja shqiptare: Presidentja e Kosovës është me origjinë nga Shkodra appeared first on Insajderi.

  • Sulmi rus ndaj autobusëve në Ukrainë lë 33 të vrarë

    Sulmi rus ndaj autobusëve në Ukrainë lë 33 të vrarë

    Sulmi rus ndaj autobusëve në Ukrainë lë 33 të vrarë

    Të paktën 33 persona janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur në një sulm rus me “bombë rrëshqitëse” ndaj dy autobusëve civilë në Kramatorsk të Ukrainës, njoftuan autoritetet ukrainase.

    Shefi i administratës së rajonit të Donetskut, Vadym Filashkin, tha se autobusët po transportonin udhëtarë dhe akuzoi Rusinë se kishte shënjestruar civilët, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

    Pamjet e publikuara nga prokuroria tregojnë autobusët e përfshirë nga flakët dhe mbetjet e tyre në rrugë.

    Pas sulmit, transporti publik është ndërprerë në Kramatorsk dhe Slovjansk. Filashkin u bëri thirrje banorëve që ende ndodhen në rajonin e Donetskut të zhvendosen në zona më të sigurta.

    Sulmi vjen në një periudhë të përshkallëzimit të bombardimeve ruse. Sipas OKB-së, deri në gusht të këtij viti në Ukrainë janë vrarë më shumë civilë sesa gjatë gjithë vitit 2025.

    Të mërkurën, një sulm rus në Pryluky, në lindje të Kievit, vrau 22 persona, përfshirë pesë fëmijë.

    Ndërkohë, sulmet ruse kanë vazhduar edhe në Kiev, ku sipas kryetarit Vitali Klitschko, të enjten u vranë tre persona dhe u plagosën 14 të tjerë.

    Moska ende nuk ka komentuar sulmin në Kramatorsk. /Klankosova.tv