Author: Momenti

  • MASH: Janë shpallur nëntë konkurse për bursa për nxënësit e shkollave të mesme për vitin 2026/2027

    MASH: Janë shpallur nëntë konkurse për bursa për nxënësit e shkollave të mesme për vitin 2026/2027

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur nëntë konkurse për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme për vitin shkollor 2026/2027.

    Numri më i madh i bursave, gjithsej 1.570, është i dedikuar për nxënësit e regjistruar në paralelet duale, pra në arsimin profesional ku mësimi praktik zhvillohet me numër të shtuar orësh, në përputhje me programet e arsimit profesional.

    Janë parashikuar gjithashtu 900 bursa për mbështetje sociale për nxënësit e shkollave të mesme publike, 300 bursa për nxënësit e arsimit të mesëm me programe mësimore të veçanta dhe 180 bursa për nxënësit me nevoja të veçanta nga shkollat e mesme publike dhe private.

    Nga 150 bursa do t’u ndahen nxënësve që ndjekin plane dhe programe mësimore për aftësim profesional dhe arsim profesional me kohëzgjatje trevjeçare, nxënësve sportistë të talentuar nga shkollat e mesme publike dhe private, si dhe nxënësve të talentuar të shkollave të mesme, me përjashtim të nxënësve nga fusha e arteve.

    MASH-i ka shpallur gjithashtu konkurse për nga 50 bursa për nxënësit pa prindër dhe për nxënësit e talentuar të shkollave të mesme në fushën e arteve, të cilët arsimohen në shkolla të mesme publike ose private.

    Kushtet për aplikim dhe mënyra e dorëzimit të aplikimeve janë të përcaktuara në konkurset e publikuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

  • Real Madridi identifikon yllin anglez si pasardhësin ideal të Kroosit

    Real Madridi identifikon yllin anglez si pasardhësin ideal të Kroosit

    Real Madridi po e monitoron nga afër mesfushorin e Bournemouthit, Alex Scott, dhe tashmë ka dërguar skautë për ta vëzhguar nga afër 23-vjeçarin, raporton Alex Crook i talkSPORT.

    Scott konsiderohet një prej talenteve më premtues në mesfushë në Ligën Premier dhe së fundmi bëri debutimin me kombëtaren e Anglisë në ndeshjen ndaj Çekisë në Ligën e Kombeve.

    Ai më pas la përshtypje të shkëlqyer në fitoren 7-0 ndaj Kroacisë. 23-vjeçari shpërtheu sezonin e kaluar, duke tërhequr interesimin e Chelseat.

    “Blutë” kishin bërë një ofertë për të, por Bournemouthi e refuzoi atë, ndërsa klubi londinez nuk ka hequr dorë nga dëshira për ta transferuar.

    Tani, në garë mund të përfshihet edhe Real Madridi, i cili prej kohësh është në kërkim të një mesfushori me profil të ngjashëm me Toni Kroos dhe Luka Modric.

    Scott spikat për aftësinë për të dalë nga presioni, për të avancuar me topin dhe për të kontrolluar ritmin e lojës.

    Për më tepër, ai është i qëndrueshëm edhe në aspektin defensiv, duke ofruar një profil të kompletuar në mesfushë.

    Madridi mund ta shohë 23-vjeçarin si një investim për të ardhmen dhe si një lojtar që gradualisht mund të marrë një rol të rëndësishëm në “Santiago Bernabeu”./Telegrafi/

  • NË KËTË TOKË

    NË KËTË TOKË

    Poezi nga: Mahmoud Darwish
    Përktheu nga anglishtja (sipas Munir Akashit): Agron Shala

    Në këtë tokë, ka çfarë e bën jetën të vlefshme për ta jetuar:
    rikthimi i prillit, aroma e bukës
    në agim, mendimet e një gruaje për burrat, shkrimet e Eskilit, fillimi
    i dashurisë, myshku mbi gurë, nënat që qëndrojnë mbi fijen e një fyelli,
    dhe frika e pushtuesve nga kujtimet.

    Në këtë tokë, ka çfarë e bën jetën të vlefshme për ta jetuar:
    fundi i shtatorit, një grua që del
    nga të dyzetat e saj mbushur me kajsi, ora e diellit në burg, retë që shndërrohen
    në një mori krijesash, këngët e një kombi që përballet me fundin e vet
    duke buzëqeshur, dhe frika e tiranive nga këngët.

    Në këtë tokë, ka çfarë e bën jetën të vlefshme për ta jetuar:
    në këtë tokë është zonja e tokës, nëna
    e fillimeve dhe e mbarimeve. Ajo u quajt Palestinë. Ende
    quhet Palestinë. Zonja ime, unë jam i denjë, sepse ti je zonja ime,
    jam i denjë për jetën.

    /Telegrafi/

  • I akuzuari për spiunazh, Hysri Selimi në Apel thotë se ka punuar për AKI-në e jo BIA-n serbe

    I akuzuari për spiunazh, Hysri Selimi në Apel thotë se ka punuar për AKI-në e jo BIA-n serbe

    I akuzuari për spiunazh, Hysri Selimi ka dalë para gjykatës së Apelit për t`u ankuar në lidhje me aktgjykimin e themelores që e kishte dënuar me 6 vite burgim.

    Sipas akuzës, Selimi akuzohet për spiunazh se ka bashkëpunuar me BIA-n serbe për të grumbulluar informacione rreth radikalizmit fetar në Kosovë, për krerët e UÇK-së, numrin e personave që kanë marrë pjesë në ISIS dhe personave të kthyer në Kosovë nga luftëra në Siri.

    Në gjykatë të Apelit, është ankuar Prokuroria Speciale e cila ka kërkuar që të rritet dënimi, kurse avokati i Selimit, Ali Beka, e ka kundërshtuar aktgjykimin duke kërkuar i mbrojturi i tij të lirohet ose çështja të kthehet për rivendosje, shkruan Kallxo.com

    Vetë Selimi, është deklaruar para gjykatës së Apelit, se ka punuar për AKI-në, e jo për BIA-n serbe.Tutje i akuzuari ka thënë se çdo lëvizje që e ka bërë për ne serbi e ka bërë nën urdhrat e zyrtarëve të AKI-së që më pas ju ka raportuar atyre.

    I njëjti tha se për këtë ka edhe dy dëshmitarë që kishte punuar me ta e që janë punonjës në AKI.

    “Kam punu në interes ë vendit tim, kërkoj nga gjykata ti dëgjojë dëshmitë e mia unë kam punuar për AKI-në si jam ardhë prej Sirisë. Kam edhe dëshmi se njoni prej punëtorëve që kom punu me to mka marrë në Siri. Këta dy djem janë kanë dy herë në burg, asgjë nuk ki me nejt shumë, ki më kanë i lirë. Me marrëveshje ma kanë pagu gjysmë rroge gruas tem 50% të rogës që i kom marrë në AKI e unë kom heshtë. Kjo është e vërteta. Kam kënaqësinë që kam punuar për AKI-në, po pse në burg?

    Është Pyetje tjetër. Jam plotësisht i pafajshëm. Dëshmoj dhe kom dëshmu se kam punuar për shtetin tem, për AKI-në me vullnet dhe dëshirë normal që m’kanë pagu çdo muaj, çdo gjë që kom bon ë koordinim me ta, jam kordinu me ta në mëngjes mi kanë dhanë pajisjet e përgjimit dhe me kanë udhëzu qysh me vepruar e çka me fol”, tha Selimi.

    Hysri Selimi, i akuzuar për spiunazh për BIA-n serbe, ishte dënuar me gjashtë vjet burg nga Gjykata e Prishtinës. Shpalljen e aktgjykimit e ishte bërë nga gjyqtari Leon Perlaska më 15.06.2026.

    Hysri Selimi ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës më 06.05.2025 ndërsa Prokuroria Speciale më 11.9.2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj tij.

    Hysri Selimi akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishte grumbulluar dhe ofruar informacione BIA-s serbe, rreth radikalizmit fetar në Kosovë, për krerët e UÇK-së, numrin e personave që kanë marrë pjesë në ISIS dhe të kthyerve në Kosovë nga luftërat në Siri, për shuma të ndryshme të parave.

    Këto informacione, sipas Prokurorisë, Selimi i kishte bërë nën direktivën e agjentëve serbë, të cilët edhe e kishin rekrutuar që të punonte për ta. Sipas aktakuzës Hysri Selimi nga muaji nëntor i viti 2009 e deri në momentin e arrestimit më 06.05.2025 ka qenë i rekrutuar nga BIA serbe për ta ndihmuar këtë shërbim sekret.

    Sipas aktakuzës, Selimi me punën e tij e ka ndihmuar BIA-n në mbledhjen e informacioneve dhe dërgimin e tyre te kjo strukturë në lidhje me veprimtarinë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjeve gjatë luftës, personat e radikalizuar si dhe numrin e pjesëmarrësve në luftën në Siri.

    Për këtë punë, sipas PSRK-së, ai ishte pajisur me tre telefona të mençur dhe me mjete financiare, madje i ishte premtuar blerja e një shtëpie. Puna e Selimit sipas aktakuzës nuk kishte përfunduar vetëm me grumbullimin e informacioneve por kishte shkuar deri në Siri për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS me mision të BIA-s serbe.

    Puna e Selimit për BIA-n, në ISIS, do të ishte të mbledhë statistikisht numrin e personave shqiptarë që ishin në këtë organizatë terroriste dhe ku operonin ata në Siri. Veprimtarinë e spiunazhit, sipas PSRK, Selimi do ta vazhdonte edhe pas kthimit të tij nga Siria, ku edhe ishte dënuar për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS.

    Sipas aktakuzës, pas kthimit nga Siria, takimet e tij do të vazhdonin me zyrtarë të drejtorisë së terrorizmit në kuadër të BIA-s, takime që do të mbaheshin në pjesë të ndryshme të territorit të Serbisë, për të dhënë informacione për personat e radikalizuar dhe përhapjen e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre dhe numrin dhe funksionimin e “mesxhideve” në Kosovë.

    Krejt këtë punë Selimi do ta bënte sipas prokurorisë për një shumë të hollave mujore prej 700 euro.

    Për të ardhë në konstatim se Selimi po takohej me agjentë të BIA-s serbe, PSRK kishte marrë konfirmime nga Agjencia Inteligjente e Kosovës (AKI) se personi me të cilin takohej Selimi është shef për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s.

    Për ta mbështetur akuzën për spiunazh, PSRK ka paraqitur si provë edhe raportin informues për hyrje-daljet e Selimit nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas.

    Shkuarjen për në Serbi Selimi sipas prokurorisë e bënte me autobus i paraqitur si udhëtar por kthimi i tij në Kosovë do të bëhej herë në këmbë duke u futur ilegalisht në territor, herë me autobus, herë me vetura që i vozisnin persona të ndryshëm.

    Shkuarja në Serbi dhe kthimi në Kosovë bëhej brenda ditës. PSRK, tutje i ka bashkëngjitur aktakuzës edhe një provë e cila ishte siguruar nga masat e fshehta ku shihej teksa takohej Selimi me zyrtarë të BIA-s.

    Selimi duke mos qenë në dijeni se po vëzhgohej në secilën minutë nga autoritetet kosovare do ta bënte rrugën e tij nga banesa ku banonte deri në pikën kufitare të Dheu i Bardhë.Pasi ishte arrestuar dhe i ishin sekuestruar gjësende të ndryshme, ndër to ishin marrë edhe telefonat që i përdorte Selimi. “A keni dëgjuar për këtë lajm”, “A është e mundshme të kem ndonjë problem”,” Pavarësisht unë udhëtoj si njeri i lirë”- janë disa prej citateve që i ka përshkruar PSRK në aktakuzë, prova që e dokumentojnë komunikimin e tij me zyrtarë të BIA-s serbe, “Jo bre çfarë lidhje ki ti, shihemi nesër rreth orës 8:30”- është përgjigja e marrë nga zyrtarët e BIA-s.Kur i ishte ekzaminuar njëri prej telefonave që i shin sekuestruar, ishin nxjerrë fotografi nga më të ndryshmet siç ishin pamje gjatë sekuestrimit të armatimit në Banjskë, video ku dokumentohen personat që falin namazin e xhumasë në një nga xhamitë në Prishtinë, fotografi të personave që ka pretenduar se janë me pozita të larta në Gjykatën Speciale.Tutje, kësaj aktakuze i është bashkangjitur si provë edhe një komunikim i zhvilluar në mes të Selimit dhe personave nga BIA, që si detyrë ka sigurimin e informacioneve në lidhje me personat që frekuentojnë xhamitë, imamët, familjarët e tyre që kanë qenë në Siri. Sipas aktakuzës, Selimi i kishte ofruar informacione zyrtarëve të BIA-s, emrat e personave që ishin arrestuar për rastin e vrasjes së rreshterit, Muhamed Lika. Sipas prokurorisë, të gjitha këto dokumentime me prova janë pranuar nga i pandehuri gjatë intervistimit të tij në prokurori.Në aktakuzë thuhet se Selimi kishte pranuar në tërësi pretendimet e prokurorisë lidhur me veprën penale të spiunazhit duke shtuar se këtë veprimtari e ka bërë për shkaqe financiare dhe nuk ka pasë qëllim që të dëmtojë interesin e vendit. Selimi në Prokurori kishte deklaruar se në vitin 2009 kur ka filluar të jap informacione për BIA-n serbe ishte paguar nga 100 euro për informacionet që i kishte siguruar nga burimet e hapura për krerët e UÇK-së.

  • “Kosova ka humbur shumë kohë”, pas zgjedhjes së presidentes, Lushaku kërkon llogari nga pushteti

    “Kosova ka humbur shumë kohë”, pas zgjedhjes së presidentes, Lushaku kërkon llogari nga pushteti

    “Kosova ka humbur shumë kohë”, pas zgjedhjes së presidentes, Lushaku kërkon llogari nga pushteti

    Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas përfundimit të procesit të zgjedhjes së Presidentes së Kosovës, duke kritikuar zhvillimet politike dhe duke kërkuar që pushteti të fokusohet në qeverisje dhe rezultate konkrete.

    Përmes një postimi në Facebook, Lushaku-Sadriu ka thënë se gjatë zgjedhjes së Presidentit u pa se politika mund të bëhet “dramatike dhe vulgare” kur mungon vullneti politik dhe gatishmëria për kompromis, transmeton Klankosova.tv.

    “Dje përfundoi ky proces. Nga sot, pushteti duhet t’i kthehet përgjegjësisë për të qeverisur”, ka shkruar ajo.

    Sipas saj, Kosova ka humbur kohë në kriza, bllokada dhe përplasje politike, ndërsa qytetarët presin rezultate në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, punësim, paga, sundim të ligjit dhe procesin e integrimit evropian.

    Lushaku-Sadriu ka theksuar gjithashtu nevojën për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe marrëdhënieve me aleatët.

    Ajo ka bërë të ditur se në cilësinë e deputetes së opozitës do të vazhdojë të kërkojë llogari nga pushteti dhe të ngrejë në Kuvend çështjet që lidhen me jetën e qytetarëve, problemet e patrajtuara dhe të ardhmen e Kosovës.

    “Do të jem kritike dhe e zëshme aty ku duhet, por gjithmonë me bindjen se politika duhet të kthehet te ajo për të cilën ekziston: të përmirësojë jetën e qytetarëve”, ka deklaruar ajo.

    “Kosovës i duhet më pak spektakël politik dhe më shumë shtet. Më pak arrogancë dhe më shumë përgjegjësi. Më pak fjalë dhe më shumë rezultate”.

  • Gazetari i njohur zbulon ndëshkimin e mundshëm drastik me të cilin përballet Man City

    Gazetari i njohur zbulon ndëshkimin e mundshëm drastik me të cilin përballet Man City

    Manchester City mund të perballet me një ndëshkim të madh, i cili mund ta shkund përfundimisht të ardhmen e klubit anglez.

    Sipas gazetarit Duncan Castles, Manchester City mund të përballet me përjashtim nga Liga Premier dhe madje edhe me heqjen e pronësisë së Abu Dhabit nëse mosmarrëveshja e tyre me ligën përshkallëzohet më tej.

    Duke folur në podkastin The Transfers, Castles raporton se sanksionet e mundshme mund të përfshijnë refuzimin e EFL-së për të pranuar Cityn në asnjë nga divizionet e saj, gjë që do ta linte klubin jashtë ligave profesionale të Anglisë.

    Ai gjithashtu pretendon se largimi i pronarëve, drejtorëve dhe drejtuesve të klubit mund të konsiderohet si pjesë e ndëshkimit.

    Pretendimet vijnë pasi një komision i pavarur e shpalli Cityn fajtor për 114 nga 115 shkelje të rregullave financiare midis viteve 2009 dhe 2018.

    City ka mohuar shkeljet dhe ka apeluar vendimin, ndërsa ende nuk janë njoftuar sanksione përfundimtare. /Telegrafi/

  • Kryebashkiaku i Izmirit i bashkohet partisë së Erdoganit, tronditet opozita turke

    Kryebashkiaku i Izmirit i bashkohet partisë së Erdoganit, tronditet opozita turke

    Kryebashkiaku i Izmirit, Cemil Tugay, është larguar nga kampi opozitar dhe i është bashkuar të mërkurën Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, në një lëvizje që ka shkaktuar reagime të forta në opozitën turke.

    Tugay, i cili në zgjedhjet lokale të vitit 2024 fitoi Izmirin si kandidat i Partisë Republikane Popullore (CHP) me një diferencë prej rreth 314 mijë votash, mori simbolin e AK Partisë nga presidenti Erdoğan gjatë një ceremonie në selinë e partisë në Ankara.

    Me këtë lëvizje, partia në pushtet siguroi kryetarin e bashkisë së një qyteti që nuk ka arritur ta fitojë në zgjedhje në tre raste radhazi. Izmiri, qyteti i tretë më i madh i Turqisë, është qeverisur nga kryebashkiakë të qendrës së majtë ose të majtë që nga viti 1999.

    Në zgjedhjet lokale të marsit 2024, Tugay fitoi 48.97 për qind të votave, ndërsa kandidati i AK Partisë, Hamza Dağ, mori 37.06 për qind. Diferenca mes tyre ishte rreth 314 mijë vota.

    Erdoğan e mirëpriti Tugayn edhe gjatë fjalimit të tij para deputetëve, në hapjen e vitit të ri parlamentar.

    “Izmiri është ndryshe sot. Shumë entuziast”, tha Erdoğan, transmeton Telegrafi.

    Ndërsa Tugay u tha gazetarëve: “Gjërat e mira e presin Izmirin”.

    Kalimi i Tugayt në AK Parti është veçanërisht i bujshëm për shkak të deklaratave të tij të mëparshme. Në gusht të vitit 2025, ai kishte thënë se nuk kishte “as edhe një mundësi në një milion” që t’i bashkohej partisë së Erdoganit, duke shtuar se një kryebashkiak i zgjedhur nga CHP nuk kishte të drejtë të ndryshonte parti.

    “E gjej këtë shumë të turpshme. Unë nuk jam ai lloj personi”, kishte deklaruar ai.

    Në janar, Tugay i kishte thënë medias T24 se nëna e tij i kishte thënë se do ta hiqte nga trashëgimia familjare, ndërsa bashkëshortja do të divorcohej prej tij nëse ai do t’i bashkohej AK Partisë.

    Tugay u largua nga CHP-ja në qershor, pas një vendimi gjyqësor që riktheu Kemal Kılıçdaroğlun në krye të partisë, dhe për rreth tre muaj vazhdoi të shërbente si kryebashkiak i pavarur.

    Në atë periudhë, shumë vëzhgues prisnin që ai t’i bashkohej Partisë së Re (YENİ), të themeluar nga ish-kreu i CHP-së, Özgür Özel. Por kjo nuk ndodhi.

    Në gusht, Tugay deklaroi se bashkimi me cilëndo parti ishte “jashtë diskutimit”.

    “Do të mbetem i pavarur. E kam thënë shumë herë se do të qëndroj i pavarur, por në të vërtetë jam i shqetësuar që kjo vazhdon të diskutohet çdo ditë”, kishte thënë ai.

    Megjithatë, më 30 shtator, Tugay u takua me presidentin Erdoğan në kompleksin presidencial në Ankara. Dy ditë më vonë, ai dha dorëheqjen nga Shoqata e Mendimit Ataturkist dhe Shoqata e Demokracisë Sociale.

    Një ditë para njoftimit zyrtar, AK Parti publikoi një video ku një rrugë e mbushur me mbeturina shfaqej duke u pastruar dhe më pas mbuluar me lule. Në sfond dëgjohej një këngë patriotike turke për Izmirin, ndërsa në fund të videos shfaqej data 7 tetor 2026, pa u përmendur drejtpërdrejt emri i Tugayt.

    Kalimi i tij ka shkaktuar reagime të ashpra në opozitë. Kreu i Partisë së Re, Özgür Özel, tha se Tugay ishte përballur me “kërcënime, shantazh dhe presion”, ndërsa deklaroi se AK Parti “nuk e ka fituar kurrë Izmirin në zgjedhje dhe nuk do ta fitojë”.

    “Kjo nuk është diçka që mund ta arrini me taktika të marrjes dhe ikjes”, i tha Özel presidentit Erdoğan.

    Zëdhënësi i Partisë së Re, Zeynel Emre, tha se kalimet e politikanëve nga një parti në tjetrën nuk mund të shqyrtohen të shkëputura nga procedurat gjyqësore ndaj kryebashkiakëve të opozitës.

    Megjithatë, kalimi i Tugayt në AK Parti nuk i jep kësaj partie kontrollin mbi këshillin bashkiak të Izmirit. Partia e Re mbetet grupi më i madh me 91 anëtarë, ndërsa AK Parti ka 39 vende dhe të pavarurit 11.

    Tugay iu bashkua CHP-së në vitin 2010, ndërsa në vitin 2019 u zgjodh kryebashkiak i distriktit Karşıyaka. Në vitin 2024, ai u zgjodh kryebashkiak i Bashkisë Metropolitane të Izmirit.

    Me kalimin në AK Parti, Tugay bëhet kryebashkiaku i parë i krahut të djathtë në Izmir pas 27 vitesh, duke i dhënë partisë së Erdoganit një fitore politike përmes një kalimi partiak, në një qytet ku nuk ka arritur ta marrë pushtetin përmes zgjedhjeve. /Telegrafi/

  • Vaud krijon listë të zezë për edukatorët e ndaluar të punojnë me fëmijët

    Vaud krijon listë të zezë për edukatorët e ndaluar të punojnë me fëmijët

    Kantoni Vaud në Zvicër do të krijojë një regjistër me personat të cilëve u ndalohet puna në institucionet e kujdesit për fëmijët. Nisma, e cila synon të forcojë mbrojtjen e fëmijëve dhe të parandalojë që personat me sjellje problematike të punësohen në institucione të tjera, u miratua unanimisht nga Këshilli i Madh.

    Kantoni Vaud do të krijojë një regjistër të personave të ndaluar të punojnë në institucionet e kujdesit për fëmijët. Propozimi i deputetit të Partisë së Gjelbër, Yannick Maury, për krijimin e një liste në nivel kantonal, apo edhe në gjithë Zvicrën frankofone, u miratua të martën.

    Anëtarët e Këshillit të Madh votuan unanimisht që propozimi të shqyrtohet menjëherë, pa iu referuar një komisioni për shqyrtim. Qeveria kantonale ka një vit kohë për të paraqitur një propozim konkret dhe për të përgatitur bazën ligjore.

    Nisma kishte mbledhur më herët rreth 60 nënshkrime nga përfaqësues të spektrit të gjerë politik, rapoton Swissinfo.

    Propozimi i kërkon qeverisë të veprojë me shpejtësi për krijimin e një regjistri në Vaud me personat të cilëve u ndalohet të punojnë në kujdesin për fëmijët e vegjël. Në të njëjtën kohë, kërkohet që të shqyrtohet mundësia e koordinimit me kantonet e tjera të Zvicrës frankofone, me synim krijimin e një regjistri ndërkantonal.

    Qëllimi është që një person i ndaluar të punojë me fëmijë të vegjël të mos mund ta anashkalojë ndalimin duke ndryshuar punëdhënësin ose duke u zhvendosur në një kanton tjetër.

    Rasti në St-Sulpice rikthen në vëmendje masat e kontrollit

    Debati për masat e mbrojtjes së fëmijëve u rikthye në qendër të vëmendjes pas arrestimit në St-Sulpice, në kantonin Vaud, të një kujdestari të dyshuar për prekje të papërshtatshme ndaj një fëmije të vogël, transmeton Telegrafi.

    Prindërit e fëmijës, të cilët kanë zgjedhur të mbeten anonimë, folën për rastin në emisionin informativ të RTS-së.

    Babai tha se ngjarja ka nxjerrë në pah kufizimet e sistemit aktual të kontrollit.

    “Është urgjente që t’i mbrojmë më mirë këta fëmijë. Ne përjetuam një situatë ku, në fund, një person arriti të kalojë nëpër të gjitha barrierat e kontrollit. Për ne, këto barriera duhet të forcohen”, tha ai.

    Nëna e fëmijës së dyshuar si viktimë tha se një sistem që regjistron personat me histori të sjelljeve problematike do të ndihmonte në mbrojtjen e fëmijëve.

    “Një listë e tillë është e domosdoshme. Kushdo që ka një histori të sjelljeve problematike duhet të raportohet. Në rastin tonë, nuk është vetëm trauma e një personi; është një familje e tërë që është traumatizuar. Çdo prind ka frikë se mund të gjendet në një situatë të tillë”, tha ajo.

    Një regjistër i tillë do të synonte veçanërisht të parandalonte që një person që konsiderohet rrezik të punësohej në një institucion tjetër ose në një kanton tjetër të Zvicrës frankofone.

    Regjistri nuk mjafton, kërkohet më shumë parandalim

    Laurie Willommet, kryetare e komunës së Vevey-t dhe presidente e organizatës që përfaqëson rrjetet e kujdesit ditor në kantonin Vaud, e ka përshëndetur vendimin, duke e konsideruar të nevojshëm.

    Megjithatë, sipas saj, një regjistër i tillë nuk do të mjaftojë i vetëm për të garantuar sigurinë e fëmijëve.

    Ajo kërkon më shumë trajnime për stafin, masa parandaluese dhe ndërgjegjësim të fëmijëve. Sipas saj, duhet të përmirësohen dhe të harmonizohen edhe procedurat për raportimin e rasteve të dyshimta.

    Debati për një regjistër në nivel federal

    Çështja është ngritur edhe në nivel federal të Zvicrës.

    Në qershor është paraqitur një mocion që kërkon krijimin e një “liste të zezë” kombëtare për personat e përfshirë në raste abuzimi seksual në institucionet e kujdesit jashtë familjes.

    Megjithatë, Këshilli Federal rekomandon që mocioni të refuzohet, duke argumentuar se duhet të pritet një raport më i gjerë për abuzimet seksuale ndaj të miturve, i cili pritet të publikohet deri në fund të vitit 2027.

    Deputetja e së majtës radikale, Joëlle Minacci, i ka propozuar qeverisë që ta zgjerojë nismën përtej kujdesit ditor, në mënyrë që mbrojtja të përfshijë të gjitha institucionet e kujdesit jashtë familjes.

    Këshilltarja e Shtetit, Nuria Gorrite, ka deklaruar se qeveria e mbështet mocionin dhe ka falënderuar deputetët që e kanë nënshkruar atë.

    Ajo është shprehur gjithashtu në favor të zgjerimit të masave për mbrojtjen e të gjithë fëmijëve, dhe jo vetëm atyre që qëndrojnë në institucionet e kujdesit ditor.

    “Një platformë kantonale është mirë, por një platformë federale do të ishte edhe më mirë, sepse abuzimi seksual ndaj fëmijëve nuk ndalet në kufijtë kantonalë”, ka theksuar ajo./Telegrafi/

  • Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës, si raportuan mediat e rajonit dhe ato ndërkombëtare?

    Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës, si raportuan mediat e rajonit dhe ato ndërkombëtare?

    Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur ekonomisten dhe akademiken Justina Shiroka-Pula presidente të Republikës, në një votim të zhvilluar në orët e para të së mërkurës, vetëm pak para skadimit të afatit kushtetues. Me zgjedhjen e saj, Kosova shmangu shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, shkruajnë Reuters dhe Associated Press

    Shiroka-Pula mori 81 vota nga 120 deputetë, vetëm një votë më shumë se minimumi i nevojshëm prej 80 votash. Sipas RFE/RL, votimi i fshehtë nisi vetëm gjashtë minuta para mesnatës, ndërsa procesi përfundoi 12 minuta pas mesnate. Megjithatë, zgjedhja e saj e shmangu shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe një tjetër palë zgjedhjesh të parakohshme, transmeton Telegrafi.

    Zgjedhja e presidentes ishte rezultat i një marrëveshjeje të minutës së fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Marrëveshja u lidh me miratimin e ndryshimeve ligjore që kufizojnë kompetencat e Dhomave të Specializuara në Hagë, shkruan Reuters.

    Një nga detajet më të pazakonta të procesit ishte se Justina Shiroka-Pula e kishte mësuar se ishte kandidate për presidente gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në TV Dukagjini, sipas materialit të Al Jazeera Balkans. Pak kohë më pas, Kuvendi e zgjodhi atë në krye të shtetit.

    Emri i saj u propozua nga Kurti në orët e vona të së martës, ndërsa kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e pranoi kandidaturën dhe propozoi Eliza Hoxhën si kandidate kundërshtare. Sipas RFE/RL, Shiroka-Pula ishte më herët anëtare e PDK-së, ndërsa Hamza pranoi kandidaturën e saj në kuadër të marrëveshjes që zhbllokoi procesin, shkruan RFE/RL

    Para votimit për presidenten, Kuvendi miratoi me 88 vota ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Sipas RFE/RL, ndryshimet kufizojnë juridiksionin e gjykatës, vendosin një tavan prej 15 vitesh për dënimet me burgim, parashohin që dënimet të vuhet në Kosovë dhe u hapin mundësinë personave me aktgjykime të formës së prerë që të jenë subjekt i faljeve presidenciale. RFE/RL

    Ndryshimet parashohin gjithashtu ngushtimin e periudhës kohore të mbuluar nga gjykata në periudhën nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000, si dhe kufizimin e juridiksionit për vepra të lidhura drejtpërdrejt me pretendimet për trafikim organesh në disa qendra paraburgimi të identifikuara në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011. Ekspertët juridikë kanë paralajmëruar se ndryshimet mund të përballen me shqyrtim kushtetues dhe se Kosova duhet të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare, shkruan RFE/RL

    Marrëveshja politike erdhi pas një dite të gjatë përplasjesh mes Vetëvendosjes dhe PDK-së. Sipas RFE/RL, përparimi u arrit pas ofertës së tretë të Kurtit, e cila përfshinte kandidaturën e Shiroka-Pulës dhe votimin e ndryshimeve për Dhomat e Specializuara para zgjedhjes së presidentes, u tha ndër tjera nga RFE/RL

    Zgjedhja e Shiroka-Pulës u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, pas protestave të zhvilluara kundër ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara. Më 5 tetor, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujëhedhës për të shpërndarë protestuesit jashtë Kuvendit. Sipas Reuters, të paktën 17 persona u lënduan, përfshirë gjashtë pjesëtarë të policisë, ndërsa tre protestues u ndaluan, transmeton Telegrafi.

    Tensionet u përshkallëzuan pas vendimit të Dhomave të Specializuara më 16 shtator, me të cilin ish-presidenti Hashim Thaçi dhe tre ish-krerë të tjerë të UÇK-së u dënuan. Sipas RFE/RL, Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet. Të katër të dënuarit janë duke e apeluar vendimin.

    Shiroka-Pula, e lindur në vitin 1953, është ekonomiste dhe akademike. Ajo ka shërbyer si ministre e Ekonomisë nga viti 2008 deri më 2011, ndërsa më vonë ka qenë deputete e PDK-së. Para zgjedhjes presidente, ajo drejtonte Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, shkruajnë Reuters dhe RFE/RL

    Me zgjedhjen e saj, Shiroka-Pula bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës që nga pavarësia e vendit. Sipas Associated Press, kandidatura e saj ishte një kompromis i minutës së fundit mes partisë në pushtet dhe PDK-së.

    Posti i presidentes në Kosovë është kryesisht ceremonial, por përfshin kompetenca të rëndësishme në politikën e jashtme dhe rolin e komandantes së përgjithshme të forcave të armatosura. Për më tepër, Shiroka-Pula duhet ta miratojë ligjin që kufizon kompetencat e Dhomave të Specializuara në mënyrë që ai të hyjë në fuqi, shkruan Associated Press

    Pas betimit, Shiroka-Pula deklaroi se e pranonte detyrën “me nder të madh dhe përgjegjësi të plotë”, ndërsa theksoi se mandati i saj nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve, institucioneve dhe shtetit, shkruan Associated Press

    Zgjedhja e saj për momentin e mbyll krizën e gjatë institucionale në Kosovë dhe shmang një proces të ri zgjedhor, ndërsa vëmendja tani pritet të përqendrohet te zbatimi i marrëveshjes politike dhe ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara. /Telegrafi/

  • “Gruaja ime e bukur pranë meje”, Travis Barker ndan pamje nga spitali

    “Gruaja ime e bukur pranë meje”, Travis Barker ndan pamje nga spitali

    “Gruaja ime e bukur pranë meje”, Travis Barker ndan pamje nga spitali

    Bateristi i Blink-182, Travis Barker, ka ndarë disa pamje nga spitali, ku shihet i shoqëruar nga vajza e tij, Alabama Barker, dhe bashkëshortja Kourtney Kardashian Barker.

    50-vjeçari publikoi në Instagram Stories një selfie nga shtrati i spitalit me vajzën e tij 20-vjeçare, të cilën e shoqëroi me mesazhin: “Vajza ime erdhi me mua ”.

    Në fotografi, Barker shihet i veshur me rrobën e spitalit dhe kapelën kirurgjikale, ndërsa në krah ka një pajisje për matjen e tensionit. Pamjet sugjerojnë se ai po përgatitej për një ndërhyrje kirurgjikale, shkruan People, transmeton Klankosova.tv.

    Më pas, muzikanti publikoi një tjetër fotografi ku shihet duke shkëmbyer një puthje me Kourtney Kardashian, duke shkruar: “Dhe gruaja ime e bukur pranë meje ”.

    Barker nuk ka bërë të ditur arsyen e saktë të vizitës në spital apo llojin e ndërhyrjes që pritet t’i nënshtrohet.