Author: Momenti

  • Nidal Hasan do të ekzekutohet me pushkatim, i pari ekzekutim ushtarak në SHBA që nga 1961

    Nidal Hasan do të ekzekutohet me pushkatim, i pari ekzekutim ushtarak në SHBA që nga 1961

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka miratuar ekzekutimin me pushkatim të ish-majorit të ushtrisë amerikane Nidal Malik Hasan, i dënuar me vdekje për sulmin e vitit 2009 në bazën ushtarake Fort Hood në Teksas.

    Nëse ekzekutimi kryhet, ai do të jetë ekzekutimi i parë ushtarak në SHBA që nga viti 1961 dhe i pari me pushkatim që nga viti 1945. Vendimi u propozua nga sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ndërsa Pentagonit i takon tani të përcaktojë hapat e mëtejshëm, transmeton Telegrafi.

    Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, njoftoi se sekretari i Ushtrisë do të përcaktojë kohën dhe vendin e ekzekutimit. Miratimi presidencial nuk do të thotë domosdoshmërisht se ekzekutimi do të kryhet menjëherë, pasi Hasan mund të ndjekë ende rrugë të tjera ligjore për ta shtyrë atë.

    Hasan, atëherë major dhe psikiatër i ushtrisë amerikane, hapi zjarr më 5 nëntor 2009 në një qendër mjekësore në Fort Hood, ku ushtarët po përgatiteshin për dislokim. Sulmi la të vrarë 13 persona, përfshirë 12 ushtarë aktivë dhe një ish-ushtarak, ndërsa 32 të tjerë u plagosën.

    Në gjyqin ushtarak të vitit 2013, Hasan u shpall fajtor për 45 akuza, përfshirë vrasje dhe tentativë vrasjeje me paramendim, dhe u dënua me vdekje. Ai kishte pranuar se ishte personi që kishte kryer sulmin dhe tha se kishte vepruar për të parandaluar ushtarët amerikanë të shkonin në Afganistan dhe të luftonin kundër myslimanëve.

    Ekzekutimet në sistemin ushtarak amerikan janë jashtëzakonisht të rralla. Hasan është njëri prej vetëm katër të burgosurve që aktualisht ndodhen në “death row” ushtarak në burgun Fort Leavenworth në Kansas.

    Sipas ligjit ushtarak amerikan, një dënim me vdekje i dhënë nga gjykata ushtarake duhet të miratohet nga presidenti përpara se të zbatohet. Procesi përfshin gjithashtu shqyrtime gjyqësore dhe ankime, çka mund të nd

    Ekzekutimi i fundit ushtarak në SHBA u krye në vitin 1961, kur ushtari John Bennett u var në Fort Leavenworth. Ndërsa ekzekutimi i fundit i njohur me pushkatim nga ushtria amerikane daton në nëntor 1945, kur u përdor pushkatimi me armë zjarri.

    Pushkatimi është një metodë e rrallë ekzekutimi edhe në nivel shtetëror. Në vitin 2025, Karolina e Jugut kreu ekzekutimin e parë me pushkatim në SHBA pas 15 vitesh. Aktualisht, disa shtete amerikane e lejojnë këtë metodë.

    Vendimi për Hasan vjen vetëm disa ditë pas dështimit të ekzekutimit të Christa Pike në Tennessee përmes injeksionit vdekjeprurës. Rasti ka rikthyer në vëmendje çështjen e metodave të ekzekutimit dhe vështirësive praktike që lidhen me injeksionet vdekjeprurëse.

    Në rastin e Hasan, megjithatë, ende nuk ka një datë të caktuar për ekzekutimin dhe procedurat ligjore mund të zgjasin më tej procesin. /Telegrafi/

  • Ramos shënoi ndaj Norvegjisë, më pas bëri një postim që u interpretua si thumbim ndaj Ronaldos

    Ramos shënoi ndaj Norvegjisë, më pas bëri një postim që u interpretua si thumbim ndaj Ronaldos

    Polemikat rreth kombëtares së Portugalisë vazhdojnë edhe pas çështjes Cristiano Ronaldo, ndërsa situata po merr gjithnjë e më shumë vëmendje edhe në rrjetet sociale.

    Pas postimit të fshirë nga Georgina Rodriguez dhe reagimeve të shumta të tifozëve të Ronaldos në profilin e partneres së Goncalo Ramos, në qendër të vëmendjes është vendosur pikërisht sulmuesi portugez.

    Ramos publikoi në Instagram një Story që e fshiu pak kohë më vonë, duke ngritur pikëpyetje mbi mesazhin që fshihej pas tij.

    Pas fitores së Portugalisë ndaj Norvegjisë së Erling Haalandit, ku Ramos shënoi golin vendimtar, sulmuesi shpërndau në rrjetet sociale një postim të një komentuesi, i cili kishte publikuar një fotografi të futbollistit me mbishkrimin: “Statusi i të qenit më i miri”.

    Edhe pse nuk kishte ndonjë referencë të drejtpërdrejtë, ky postim u interpretua nga shumë persona si një thumbim ndaj Cristiano Ronaldos, veçanërisht për faktin se Ramos është një nga lojtarët që ka marrë më shumë hapësirë në repartin ofensiv të Portugalisë në këtë periudhë.

    Sulmuesi e fshiu postimin menjëherë, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur reagimet dhe debatet në rrjetet sociale.

    Ramos po kalon një periudhë të mirë me fanellën e Portugalisë, me 15 gola të shënuar në 11 paraqitje, duke e bërë atë një prej emrave kryesorë të së ardhmes së sulmit të kombëtares portugeze. /Telegrafi/

  • Ambasada e SHBA-së lëshon paralajmërim për Francën mes protestave të dhunshme

    Ambasada e SHBA-së lëshon paralajmërim për Francën mes protestave të dhunshme

    Ambasada dhe konsullatat e SHBA-së kanë lëshuar një paralajmërim për amerikanët në Francë lidhur me protestat e studentëve, të cilat, sipas tyre, “janë bërë të dhunshme”.

    Ambasada amerikane në Francë publikoi një njoftim, duke u këshilluar amerikanëve që të shmangin zonat ku po zhvillohen demonstrata, të planifikojnë rrugë alternative dhe të ndjekin përditësimet nga policia dhe mediat lokale, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Ky paralajmërim vjen ndërsa Franca është përfshirë nga protesta studentore për shkak të mungesës së mësuesve, kushteve të këqija të ambienteve shkollore dhe raportimeve për praninë e minjve në klasa.

    Më shumë se 5,000 persona janë arrestuar dhe 600 oficerë policie janë lënduar gjatë kësaj lëvizjeje, për të cilën policia e Parisit thotë se “po dominohet nga dhuna”.

    Organizatat studentore po bëjnë thirrje për një ditë proteste mbarëkombëtare më 6 tetor, sipas Ambasadës së SHBA-së, çka do të thotë se situata mund të përshkallëzohet gjatë kësaj jave. /Telegrafi/

  • Mazda synon një kamionçinë më konkurruese - zbulohen disa detaje

    Mazda synon një kamionçinë më konkurruese – zbulohen disa detaje

    Mazda po zhvillon gjeneratën e re të kamionçinës BT-50, e cila pritet të mbërrijë në treg rreth vitit 2028.

    Gjenerata aktuale, e prezantuar në vitin 2020 dhe e përditësuar në fund të vitit 2024, bazohet në platformën e Isuzu D-Max.

    Drejtori i Mazda Australia, Vinesh Bhindi, ka konfirmuar se modeli i ri është aktualisht në zhvillim, por pa zbuluar detaje teknike.

    Mazda pritet të kërkojë sërish një partner për zhvillimin e kësaj makine, pasi kompania nuk ka burime të mjaftueshme për ta zhvilluar tërësisht vetë një platformë të tillë.

    Një nga mundësitë është vazhdimi i bashkëpunimit me Isuzu, ndërsa një alternativë tjetër është zgjerimi i partneritetit me prodhuesin kinez Changan.

    Ky i fundit mund të sjellë edhe mundësinë që BT-50 i ardhshëm të pajiset me një sistem të elektrifikuar, duke e bërë modelin më konkurrues ndaj Toyota Hilux dhe Ford Ranger. /Telegrafi/

  • Data Science si rrugë e re karriere – Arbër Kryeziu tregon pse nuk është vonë

    Data Science si rrugë e re karriere – Arbër Kryeziu tregon pse nuk është vonë

    Ndryshimi i karrierës apo hyrja në një fushë si Data Science mund të duket e vështirë, sidomos për ata që mendojnë se nuk kanë nisur “në kohën e duhur”.

    Pikërisht për këtë temë foli Arbër Kryeziu nga Makerspace Innovation Center në Prizren, në podcastin “Gati për Tregun e Punës”, në një bisedë me moderatoren Fiona Xhema Troshupa.

    I pyetur se çfarë do t’u thoshte atyre që hezitojnë të hyjnë në teknologji apo mendojnë se është vonë për të ndryshuar drejtimin profesional, Kryeziu e vuri theksin te mësimi i vazhdueshëm.

    “Çka i kisha thënë krejt të rinjve është me vazhdu me mësu edhe me i përcjellë trendet e reja, sepse teknologjia sidomos po ndryshon shumë shpejt. Duhet me qenë në rrjedhë me atë se çka po ndodh rreth teje dhe me kërku gjithmonë me mësu dhe me u zhvillu tutje në karrierë”, tha Kryeziu.

    Në një treg pune që po ndryshon vazhdimisht, mesazhi është i thjeshtë: nuk ka rëndësi vetëm ku e nis karrierën, por edhe sa i gatshëm je të mësosh, të përshtatesh dhe të ecësh me zhvillimet e reja.

    “Matching Skills to Jobs” është projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Swisscontact.

    Përmes bashkëpunimeve me kompani dhe organizata vendore, projekti mbështet iniciativa që afrojnë zhvillimin e aftësive me kërkesat e bizneseve dhe të tregut të punës. /Telegrafi/

  • Nicole Kidman dhe vajza e saj rrëmbejnë vëmendjen në sfilatën e Chanel

    Nicole Kidman dhe vajza e saj rrëmbejnë vëmendjen në sfilatën e Chanel

    Nicole Kidman mori pjesë në sfilatën e Chanel në Paris së bashku me vajzën e saj, Faith Margaret dhe të dyja tërhoqën vëmendje me paraqitjen elegante dhe marrëdhënien e afërt.

    Aktorja zgjodhi për këtë rast një fustan-xhaketë gri, të cilin e kombinoi me geta të zeza dhe këpucë të zeza me taka.

    Vajza e saj, Faith Margaret, u shfaq me një triko gri të Chanel, xhinse dhe këpucë bardhë e zi.

    Në momentin e mbërritjes në sfilatë, nënë e bijë u fotografuan duke u mbajtur për dore, duke treguar afërsinë mes tyre.

    Kjo paraqitje ishte një nga momentet që tërhoqën vëmendjen gjatë Javës së Modës në Paris.

    Në të njëjtën sfilatë mori pjesë edhe këngëtarja Dua Lipa, e cila para fillimit të eventit pozoi me aktoren Alexa Demie.

    Gjatë sfilatës, Dua Lipa qëndroi pranë Nicole Kidman dhe yjeve të tjerë, përfshirë Pedro Pascal, Kristen Wiig, Sandra Huller dhe Ayo Edebiri.

    Faith Margaret dhe motra e saj, Sunday Rose, janë vajzat e Nicole Kidman dhe Keith Urban.

    Java e Modës në Paris këtë vit zhvillohet nga 28 shtatori deri më 6 tetor, me pjesëmarrjen e disa prej shtëpive më të njohura të modës në botë. /Telegrafi/

  • “Merruni vesh o hapni krah”, Lladrovci me mesazh të fortë për liderët

    “Merruni vesh o hapni krah”, Lladrovci me mesazh të fortë për liderët

    Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë thirrje për marrëveshje politike dhe unitet, duke thënë se Kosova nuk ka nevojë për trazira dhe përplasje.

    Në një reagim, Lladrovci ka kritikuar vonesat politike, duke theksuar se ato nuk mund të përmirësohen brenda një dite.

    “Kur thehet kerri, gjenden shumë rrugë. Vonesat e paarsyeshme, nga pozita e opozita, nuk përmirësohen për një ditë. Kosova nuk ka nevojë për trazira, hedhje të gazit lotsjellës e as për agresivitetin e njësive tona policore”, ka shkruar ai.

    Lladrovci ka thënë se vendi ka nevojë për marrëveshje, duke e cilësuar politikën si një proces që kërkon fleksibilitet dhe paqe.

    “Politika është sport i rëndë, por, fleksibil, paqësor dhe dashamirës për forcat që e duan atdheun e kombin”, ka deklaruar ai.

    Ai ka bërë thirrje për unitet rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zbatimit të Kushtetutës dhe funksionimit të institucioneve.

    “Domosdo të jemi unik, kudo përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Të jemi unik për zbatim të Kushtetutës, për institucione dhe afirmimin e arritjeve të shtetit”, ka shkruar Lladrovci.

    Kryetari i Drenasit ka thënë se liderët duhet të dëshmojnë qëndrimin e tyre në situata të vështira.

    “Liderët krijohen në situata të rënda. Dëshmoni kush ia do të mirën heronjve tanë të luftës dhe paqes, kush ia do të mirën Kosovës. Mos harroni, heronjtë, dëshmorët e martirët u flijuan për Kosovën”, ka theksuar ai.

    Në fund, Lladrovci u ka bërë thirrje vendimmarrësve që të marrin vendime dhe të arrijnë marrëveshje, duke thënë se Kosova nuk duhet të lëndojë historinë dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti.

    “Vendimmarrës, hapni sy e mbyllni vesh, merrni vendime. Kosova nuk gjunjëzohet, as dje, as sot e as mot! Merruni vesh o hapni krah, mos e lëndoni historinë e shtetit as vlerat mbi të cilat u ndërtua!”, ka përfunduar Lladrovci. /Telegrafi/

  • “Formula 270”, ideja gjeniale e De La Fuentes me Spanjën

    “Formula 270”, ideja gjeniale e De La Fuentes me Spanjën

    Luis de la Fuente po përpiqet të zgjidhë dy probleme njëherësh gjatë këtij pushimi të gjatë ndërkombëtar. Spanja dëshiron të vazhdojë serinë e saj të fitoreve dhe të zgjerojë serinë e saj të pamposhtur, por në të njëjtën kohë duhet të jetë e kujdesshme që të mos i mbingarkojë lojtarët e saj. Kjo është arsyeja pse trajneri spanjoll është vazhdimisht në rotacion.

    Në tre ndeshjet e para të kësaj fushate ndërkombëtare, ai nuk e përsëriti të njëjtin formacion titullar asnjëherë, dhe lojtarët që normalisht kanë statusin e lojtarëve të rregullt të ekipit të parë u hoqën gjithashtu nga skuadra.

    Problemet filluan që para ndeshjes së parë. Pedro Porro u përjashtua për shkak të një dëmtimi dhe u zëvendësua nga Ivan Fresneda. Eric Garcia u lëndua gjatë ngrohjes para ndeshjes me Anglinë, Alex Grimaldo mungoi në Sevilje, dhe pas ndeshjes me Kroacinë, Nico Williams dhe Ferran Torres patën probleme.

    Asnjë lojtar nuk do të luajë më shumë se 270 minuta

    Para ndeshjes kundër Kroacisë, De la Fuente shpjegoi se si planifikon të shpërndajë minutat. Gazeta Marca e quan këtë një formulë komplekse.

    “Ne gjithmonë kemi nxjerrë në fushë ekipin më të mirë për ndeshjen që na priste. Kështu kemi punuar gjatë gjithë kësaj gare. Askush nuk do të luajë më shumë se 270 minuta, ose tre nga katër ndeshje. Kështu do të luajnë shumica”, ka thënë De La Fuente.

    Ky rregull tani është i dukshëm në shifra. Lamine Yamal luajti më së shumti, 203 minuta. Ai u shfaq në të tre ndeshjet, shënoi katër gola dhe regjistroi dy asistime. Rodri është pas tij me 185 minuta, ndërsa Marc Pubill, Pau Cubarsi, Marc Cucurella, Aymeric Laporte dhe Unai Simon kanë luajtur secili nga 180 minuta.

    Ai ndryshoi edhe portierin

    De la Fuente bëri rotacion pothuajse në çdo pozicion. Në Oviedo, ai madje ndërroi portierin, duke i dhënë një shans David Rayas në vend të Unai Simon.

    “Është e vështirë të ruash një ekuilibër midis rezultateve dhe shëndetit të lojtarëve. Po bëjmë çmos. Ndeshjet duhen fituar, por shëndeti është gjëja më e rëndësishme. Do të shohim nëse do të ketë më shumë lëndime. Me siguri deri të martën disa do të ndihen më të lodhur. Dhe kundërshtarët tanë gjithashtu”, tha De La Fuente pas fitores kundër Republikës Çeke. /Telegrafi/

  • Shtëpi 350m² për shitje në Royal Green Residence – hapësirë dhe privatësi për banim familjar #15246

    Shtëpi 350m² për shitje në Royal Green Residence – hapësirë dhe privatësi për banim familjar #15246

    Për familjet që kërkojnë një shtëpi me sipërfaqe të madhe, organizim funksional dhe ambient të qetë për banim, kjo pronë prej 350m² në lagjen Royal Green Residence paraqet një mundësi të përshtatshme. Shtëpia ndodhet në një pozicion të favorshëm brenda lagjes dhe ofrohet ekskluzivisht për shitje.

    Shtëpia i përket tipit C+ dhe është e organizuar në disa nivele – bodrum, përdhes, kat dhe nënkulm – duke krijuar hapësirë të mjaftueshme për një organizim praktik të jetës familjare.

    Në pjesën e brendshme prona përfshin qëndrim ditor, kuzhinë, katër dhoma gjumi dhe dy banjo. Hapësira shtesë në nënkulm mund të përshtatet sipas nevojave të familjes, qoftë si dhomë pune, zonë rekreative apo hapësirë tjetër funksionale.

    Një tjetër karakteristikë e rëndësishme është orientimi në të katër anët – veri, jug, lindje dhe perëndim – që mundëson depërtim të mirë të dritës natyrale gjatë ditës dhe krijon një ambient më të hapur në pjesë të ndryshme të shtëpisë.

    Prona shtrihet në një truall prej 3.3 ari dhe posedon garazh, duke ofruar më shumë komoditet për familjet që kërkojnë hapësirë të mjaftueshme si brenda, ashtu edhe jashtë objektit.

    Royal Green Residence karakterizohet nga një ambient i qetë dhe modern, ndërsa organizimi i lagjes ofron më shumë privatësi dhe kushte të përshtatshme për banim familjar afatgjatë.

    Shtëpia ofrohet pa mobilim, duke i dhënë blerësit mundësinë që hapësirat t’i përshtatë sipas stilit dhe nevojave personale. Sistemi i ngrohjes funksionon përmes KEDS-it, ndërsa dokumentacioni i pronës rregullohet me noter.

    Shtëpia prej 350m² në Royal Green Residence ofrohet për shitje me çmim prej 390,000 euro.

    Karakteristika dhe informata të pronës:

    • Sipërfaqja e banimit: 350m²
    • Sipërfaqja e truallit: 3.3 ari
    • Tipi i shtëpisë: C+
    • Bodrum, përdhes, kat dhe nënkulm
    • 4 dhoma gjumi
    • 2 banjo
    • Hapësirë shtesë në nënkulm
    • Dokumentacioni me Noter
    • Orientimi: Veri, Jug, Lindje, Perëndim
    • Mobilimi: Pa mobilim
    • Sistemi i ngrohjes: KEDS
    • Garazh

    Kontakti:

    Agjenti: Yll Batusha

    Email: yll.batusha@pro-rks.com

    Numri kontaktues: +383 44 888 444


  • Në Cyrih, gjithnjë e më shumë gjoba shlyhen përmes punës në komunitet

    Në Cyrih, gjithnjë e më shumë gjoba shlyhen përmes punës në komunitet

    Në Cyrih, një numër në rritje i personave po zgjedhin t’i shlyejnë gjobat përmes punës në komunitet, në vend të vuajtjes së dënimit me burg. Autoritetet thonë se kjo praktikë po rezulton e suksesshme.

    Shkeljet e shpejtësisë, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit apo udhëtimi pa biletë në transportin publik janë ndër veprat që mund të rezultojnë me gjoba të larta. Në disa raste, ato mund të arrijnë në disa mijëra franga zvicerane.

    Personat që nuk kanë mundësi t’i paguajnë gjobat kanë mundësinë që, në vend të burgimit, t’i shlyejnë ato përmes punës në komunitet raporton SRF.

    Mundësia për të zëvendësuar dënimin me punë në komunitet ekziston prej vitesh në Zvicër. Megjithatë, që nga viti 2019, numri i rasteve të tilla në nivel kombëtar ka rënë me rreth një të tretën. Për këtë arsye, kantoni i Cyrihut synoi ta ndryshojë këtë trend.

    Gati 1,400 persona e shfrytëzuan mundësinë

    Prej shtatorit të vitit 2025, kantoni i Cyrihut e menaxhon vetë të ashtuquajturën Qendër Informimi për Gjoba. Më parë, këtë shërbim në emër të kantonit e drejtonte një fondacion, transmeton Telegrafi.

    Désirée Weber Renz, përgjegjëse për qendrën, thotë se rezultatet kanë qenë pozitive.

    “Ne i kemi arritur objektivat tona. Kemi përmirësuar qasjen, i kontaktojmë personat më shpejt, mund të angazhohemi më mirë me ta dhe t’i referojmë më me efikasitet në shërbimet e përshtatshme”, deklaron ajo.

    Që nga marrja e përgjegjësisë nga kantoni në shtator 2025, qendra ka pranuar 1,388 kërkesa, pothuajse të gjitha të miratuara.

    Sipas autoriteteve, rreth 80 për qind e rasteve përfundojnë me sukses.

    Personat që zgjedhin këtë formë të dënimit angazhohen në punë të ndryshme, si mirëmbajtja e hapësirave të gjelbra, riciklimi, punëtori me punë të thjeshta artizanale apo puna në kuzhina, përfshirë atë të Spitalit të Qytetit Triemli.

    “Kemi shumë fat që kemi një portofol të madh institucionesh dhe biznesesh”, thotë Weber Renz. Aktualisht, në këtë program janë të përfshira rreth 250 vende pune, duke u mundësuar autoriteteve që të marrin parasysh interesat dhe aftësitë e personave të dënuar.

    Një alternativë që sjell përfitime për të dyja palët

    Një grua nga Cyrihu, e cila dëshiron të mbetet anonime, i ka shlyer gjobat duke punuar në larjen e enëve në Spitalin e Qytetit Triemli. Ajo ishte gjobitur për shkelje të rregullave të trafikut dhe udhëtime pa biletë në tramvaj.

    Në vend që të paguante gjobat ose të vuante dënimin në burg, ajo kreu 480 orë punë në komunitet, që korrespondojnë me rreth tre muaj punë.

    Në vitin e fundit, pothuajse 1,400 persona në kantonin e Cyrihut e kanë shfrytëzuar këtë mundësi.

    Sipas Weber Renz, kjo zgjidhje sjell përfitime për të gjithë. Personat e dënuar nuk shkëputen nga jeta e tyre e përditshme për një periudhë të gjatë, ndërsa reagimet ndaj programit kanë qenë kryesisht pozitive.

    Edhe për kantonin kjo praktikë ka përfitime financiare. Përveç shmangies së procedurave administrative që lidhen me pranimin dhe lirimin nga burgu, kursimet janë të konsiderueshme.

    “Për çdo ditë që dikush nuk e kalon në burg, kantoni i Cyrihut kursen 240 franga”, thotë Weber Renz.

    Rreth 40 për qind më shumë persona e shfrytëzojnë këtë mundësi

    Që kur kantoni mori nën menaxhim qendrën e informimit për gjobat, numri i personave që e shfrytëzojnë këtë mundësi është rritur me rreth 40 për qind, sipas Weber Renz.

    Ajo thekson se shkalla e suksesit është e lartë dhe se rreth 80 për qind e angazhimeve përfundojnë me sukses.

    “Nëse gjatë ekzekutimit të dënimit paraqiten vështirësi, ne mund t’i mbështesim shumë mirë klientet dhe klientët”, thotë ajo.

    Megjithatë, nëse puna në komunitet duhet të ndërpritet përfundimisht, për shembull për shkak të mungesës së marrëveshjeve të besueshme ose problemeve serioze, personi i dënuar duhet ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit në burg./Telegrafi/