Author: Momenti

  • ​PDK mblidhet në orën 10:00

    ​PDK mblidhet në orën 10:00

    Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës do të mblidhet në ora 10:00.

    Kështu kanë njoftuar anëtarë të kësaj partie.

    Në mesnatë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

    Nëse deri në këtë kohë nuk ka epilog për shefin e shtetit, Kosova do të futet në procesin e katër zgjedhor brenda dy vjetësh.

    Ndërkohë, në orën 12:00 Platforma “Jo në emrin tim” ka paralajmëruar protestë popullore ku do të kërkohet miratimi i ndryshimeve për Ligjin për Gjykatën Speciale. /KP/

  • KRU Prishtina: Ndërpritet përkohësisht furnizimi me ujë në disa zona

    KRU Prishtina: Ndërpritet përkohësisht furnizimi me ujë në disa zona

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se është ndërprerë përkohësisht furnizimi me ujë në dalje të rezervuarit Gjini, për shkak të një intervenimi teknik.

    Sipas KRU “Prishtina”, si pasojë e këtij intervenimi, pa furnizim me ujë do të mbesin përkohësisht një pjesë e Fushë Kosovës, Central Parku dhe Kalabria.

    “Furnizimi me ujë do të rikthehet pas përfundimit të intervenimit”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit.

    KRU “Prishtina” nuk ka dhënë një kohë të saktë se kur pritet të përfundojë intervenimi dhe të rikthehet furnizimi me ujë. /Telegrafi/

  • Vdes gruaja nga Klina, që u sulmua fizikisht në familje

    Vdes gruaja nga Klina, që u sulmua fizikisht në familje

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërruar jetë gruaja që po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare si pasojë e dhunës në familje.

    Rasti ka ndodhur në Klinë.

    Klinë 06.09.2026-18:30. Lidhur me rastin, më 05.10.2026 në QKUK , ka ndërruar jetë viktima femër kosovare”, thuhet në raport.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion.

    Ndryshe, një ditë më parë u raportua se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar.

    Rasti ishte cilësuar dhunë në familje dhe lëndim i rëndë trupor.

    I dyshuari ndodhet në kërkim policor. /Telegrafi/

  • Vetëm pak njerëz mund të gjejnë kafshën që dallon nga të tjerat në këtë fotografi

    Vetëm pak njerëz mund të gjejnë kafshën që dallon nga të tjerat në këtë fotografi

    Një fotografi po qarkullon në rrjetet sociale dhe po sfidon përdoruesit të gjejnë një vjedulla të fshehur mes një grupi zebrash.

    Vijat bardhezi të kafshëve e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë dallimin, duke krijuar një iluzion të vërtetë optik.

    Sipas sfidës, vetëm ata me sy të mprehtë arrijnë ta gjejnë vjedullën brenda pak sekondash.

    A e gjeni dot edhe ju?

  • Piers Morgan zbulon prapaskenat e largimit të Ronaldos: U nxeh nga trajtimi i trajnerit

    Piers Morgan zbulon prapaskenat e largimit të Ronaldos: U nxeh nga trajtimi i trajnerit

    Gazetari britanik Piers Morgan ka reaguar për situatën e krijuar rreth Cristiano Ronaldos dhe trajnerit të Portugalisë, Jorge Jesus, duke zbuluar prapaskenat që, sipas tij, çuan në largimin e yllit portugez nga grumbullimi i kombëtares.

    Morgan ka insistuar se çështja nuk ka të bëjë me para, famë apo status, por me respektin dhe premtimet që, sipas tij, i ishin bërë Ronaldos për mënyrën se si do të menaxhohej minutazhi i tij me Portugalinë.

    “Asgjë nga këto nuk ka të bëjë me paratë, famën apo diçka të tillë. Atij iu dhanë garanci të qarta se si do të përdorej. Kjo ishte një nga arsyet pse vendosi të vazhdonte karrierën me kombëtaren. Trajneri i ri, Jorge Jesus, i tha: ‘Ja çfarë dua që të bësh’”, deklaroi Morgan.

    Sipas gazetarit, marrëveshja mes Ronaldos dhe Jesus ishte që sulmuesi të luante dy ndeshjet e para, ndërsa më pas të merrte pushim në dy takimet e radhës.

    “Në ndeshjen e parë, atij iu tha se do të luante 90 minuta. Kjo ishte marrëveshja mes trajnerit dhe lojtarit dhe është e rëndësishme të kujtohet statusi i futbollistit për të cilin po flasim. Por ai u zëvendësua në minutën e 67-të, ndaj ishte disi i zemëruar”, tregoi Morgan.

    Ai shtoi se Jesus më pas i kërkoi falje Ronaldos, madje edhe presidentit të Federatës së Futbollit të Portugalisë, duke premtuar se do të dilte publikisht për të shpjeguar situatën.

    “Por ai bëri të kundërtën. Doli dhe u përpoq ta minimizonte Ronaldon dhe ta vendoste në vendin e tij, duke thënë se të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm për të. Kjo e zemëroi edhe më shumë Ronaldon”, tha Morgan.

    Sipas tij, më pas Jesus i kërkoi Ronaldos të luante rreth 30 minuta në ndeshjen ndaj Norvegjisë, pavarësisht marrëveshjes së mëparshme për t’i dhënë pushim.

    “Trajneri i tha: ‘E di që ramë dakord të të japim pushim në dy ndeshjet e ardhshme, por dua të luash 30 minuta ndaj Norvegjisë’. Ronaldo iu përgjigj: ‘Në rregull, nëse këtë dëshiron, do ta bëj’”, rrëfeu Morgan.

    Megjithatë, situata mori një tjetër drejtim. Ronaldo u nxeh për rreth 25 minuta gjatë ndeshjes ndaj Norvegjisë, por në fund nuk u aktivizua fare.

    “Ronaldo u nxeh për 25 minuta, por nuk hyri kurrë në fushë. Prandaj ishte i irrituar nga mungesa e respektit dhe nga fakti që trajneri nuk e mbajti fjalën”, theksoi Morgan.

    Sipas gazetarit britanik, për Ronaldon kjo ishte mbi të gjitha një çështje respekti.

    “Atij iu premtua një gjë, por ndodhi e kundërta. U nxeh, por nuk u përdor fare, gjë që ai e pa si një shenjë të madhe mosrespekti. Në fund, ai tha ‘në dreq me ty’, hipi në avion dhe u largua”, deklaroi Morgan.

    Morgan shtoi se Ronaldo është i bindur se Jesus kishte një qasje të ndryshme në prapaskenë nga ajo që shfaqte publikisht në konferencat për media.

    “Argumenti i tij është se ky trajner vazhdonte të dilte në konferenca për shtyp dhe të thoshte diçka krejtësisht të kundërt me atë që i thoshte Ronaldos prapa dyerve të mbyllura”, përfundoi Morgan. /Telegrafi/

  • Gjendet pa shenja jete një grua në Podujevë

    Gjendet pa shenja jete një grua në Podujevë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të hetimit të vdekjes në Podujevë.

    Rasti ka ndodhur më 04.10.2026-18:30.

    “Është raportuar se është gjetur pa shenja jete viktima femër kosovare. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore”, thuhet në raport.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion. /Telegrafi/

  • Kush mbetet në krye të shtetit nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin sot?

    Kush mbetet në krye të shtetit nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin sot?

    Kosova ka afat deri më 6 tetor për ta zgjedhur presidentin e ri. Nëse Kuvendi dështon ta bëjë këtë, çka pason është e qartë: Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por, shumë më pak e qartë është se kush do t’i ushtronte kompetencat e presidentit pas kësaj?

    Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e fundit për rastet KO256/26 dhe KO258/26, ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

    Kjo lidhet drejtpërdrejt me nenin 82 të Kushtetutës, sipas të cilit Kuvendi shpërndahet nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh nga fillimi i procedurës së zgjedhjes, shkruan Evropa e Lirë.

    Pra, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, nuk nevojitet një vendim i veçantë i Kuvendit për shpërndarjen e tij – thjesht aktivizohet dispozita kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit.

    Gjykata e kishte sqaruar këtë parim edhe më herët. Në aktgjykimin e marsit 2026, ajo kishte konstatuar se dështimi për ta zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues çon në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

    Por, këtu lind një problem tjetër kushtetues: kush mbetet në krye të shtetit?

    Në rrethana të zakonshme, kompetencat e presidentit do t’i ushtronte kryetari i Kuvendit, si ushtrues detyre i presidentit.

    Por, në situatën aktuale, kjo zgjidhje kushtetuese është komplikuar nga fakti se kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tashmë e ka ushtruar këtë detyrë për gjashtë muaj.

    Haxhiu mori detyrën e presidentes pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit më 4 prill. Por, sipas nenit 90, paragrafit 3 të Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit “nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”.

    Kjo periudhë gjashtëmujore përfundoi të dielën, më 4 tetor.

    Paqartësitë kushtetuese

    Pikërisht këtu shfaqet një paqartësi që Kushtetuta nuk e adreson shprehimisht: kush i ushtron kompetencat presidenciale pasi përfundon periudha maksimale gjashtëmujore e ushtruesit të detyrës, ndërsa presidenti i ri ende nuk është zgjedhur?

    Sipas interpretimeve të disa organizatave të shoqërisë civile në vend, kufiri gjashtë-mujor i nenit 90 është absolut. Në këtë lexim, Haxhiu nuk mund të vazhdojë t’i ushtrojë kompetencat presidenciale vetëm për shkak se ende nuk është zgjedhur presidenti i ri.

    Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi argumenton se, pas skadimit të këtij afati, vendi mbetet pa ushtrues detyre të presidentit.

    Jakaj thotë për Radion Evropës së Lirë se kjo krijon rrezik për kaos kushtetues, sepse pa president disa detyra të rëndësishme shtetërore mund të mbeten pa u ushtruar.

    “Presidenti është edhe Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nëse vendi mbetet pa president dhe pa ushtrues detyre me mandat të vlefshëm, nuk do të ketë as person që e ushtron këtë funksion”, thotë Jakaj.

    Jakaj shton se ushtruesja e detyrës ishte paraparë si zgjidhje e përkohshme, gjatë së cilës partitë politike do të duhej të arrinin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

    “Fatkeqësisht, deri tani është parë më shumë se cilës parti i takon posti, sesa procesi dhe kriteret që duhet t’i përmbushë presidenti”, vlerëson ai.

    Kështu, kjo zbrazëtirë kushtetuese krijon një problem të menjëhershëm praktik: nëse deri sot në mesnatë Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri, kush do t’i ushtronte kompetencat e tjera që Kushtetuta ia rezervon presidentit dhe kush do t’i shpallte zgjedhjet e parakohshme?

    Në një analizë të publikuar më 2 tetor, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që shqyrton ushtrimin e detyrës së presidentit përtej kufirit gjashtëmujor, vlerësoi se Kushtetuta nuk parasheh qartë se kush i ushtron kompetencat presidenciale pas përfundimit të tij.

    KDI i bëri thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentit, ose palëve të tjera të autorizuara, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarim lidhur me ushtrimin e këtyre kompetencave pas 4 tetorit dhe autoritetin për shpalljen e zgjedhjeve në rast se presidenti nuk zgjidhet.

    Deri më tani, një kërkesë e tillë nuk është bërë.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Zyrën e Presidentes nëse Haxhiu mund të vazhdojë t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të afatit gjashtëmujor, kush do t’i shpallte zgjedhjet e parakohshme në rast të shpërndarjes së Kuvendit dhe nëse për këto çështje do t’i kërkohej sqarim Gjykatës Kushtetuese, por nuk mori përgjigje.

    Gjykata Kushtetuese, deri më tani, nuk e ka zgjidhur shprehimisht këtë vakuum kushtetues, teksa, sipas KDI-së, mungesa e një mekanizmi të shprehur pasimi pas përfundimit të gjashtëmujorit krijon pasiguri për ushtrimin e kompetencave të presidentit.

    Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi disa prej këtyre kompetencave janë të nevojshme për daljen nga kriza.

    Presidenti, përkatësisht ushtruesi i detyrës së kësaj pozite, është ai që shpall zgjedhjet për Kuvendin dhe, pas zgjedhjeve, thërret mbledhjen e parë të legjislaturës së re.

    Prandaj, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, çështja nuk është vetëm se kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme, por edhe se kush do ta ketë autoritetin për t’i shpallur.

    Sipas Jakajt, meqenëse duket që nuk do të ketë një marrëveshje të shpejtë në mes të partive politike, ndoshta Kuvendi është dashur që të hënën ta zhvillojë procesin e votimit për president, edhe nëse votimi do të dështonte.

    “Në atë rast, ushtruesja e detyrës do të mund t’i thërriste partitë politike dhe të caktonte datën e zgjedhjeve të reja. Pas zgjedhjeve, Kuvendi i ri do të mblidhej brenda afatit kushtetues dhe do ta zgjidhte presidentin. Më pas, presidenti do të caktonte mandatarin për formimin e Qeverisë. Ky do të ishte një opsion urgjent për ta nxjerrë vendin nga bllokada”, thotë Jakaj për REL-in.

    Në mungesë të një interpretimi të qartë kushtetues, kjo dilemë mund të përfundojë sërish para Gjykatës Kushtetuese.

  • ​Protestë popullore sot në Prishtinë, Haziri: Ligji për UÇK-në duhet të kalojë sot

    ​Protestë popullore sot në Prishtinë, Haziri: Ligji për UÇK-në duhet të kalojë sot

    Organizatori i protestës “Jo në emrin tim!”, Çlirim Haziri ka njoftuar për mbajtjen e një proteste popullore sot në ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu”.

    Përmes një thirrje në rrjetet sociale, Haziri ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë, duke theksuar se kërkesa lidhet me miratimin e Ligjit për UÇK-në.

    “PROTESTË POPULLORE. Ligji për UÇK-në duhet të kalojë sot! Shihemi në shesh!”, ka shkruar Haziri.

    Ndërsa, protesta e djeshme ishte e tensionuar, derisa mbi 15 persona kërkuan ndihmë shëndetësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. /Telegrafi/

  • Turqia synon të arrijë pavarësi të plotë hapësinore me konstelacion satelitësh dhe infrastrukturë hapësinore

    Turqia synon të arrijë pavarësi të plotë hapësinore me konstelacion satelitësh dhe infrastrukturë hapësinore

    Turqia po investon në infrastrukturën e saj të pavarur hapësinore përmes një konstelacioni të ri vendas satelitësh për pozicionim, tha të hënën një përfaqësues i sektorit, me më shumë se 100 mjete hapësinore për të garantuar sovranitetin e saj në orbitë.

    Haluk Bayraktar, nga SAHA Istanbul, deklaroi se Turqia është shndërruar nga një importuese e teknologjisë në vitin 2002 në një prodhuese globale të teknologjisë së hapësirës ajrore, ndërsa niveli i prodhimit vendas është rritur nga 20 për qind në 80 për qind gjatë dy dekadave të fundit.

    Duke folur në hapjen e Kongresit të 77-të Ndërkombëtar të Astronautikës (IAC 2026) në qytetin jugperëndimor Antalya, Bayraktar tha se eksportet vjetore të Turqisë në fushën e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore janë rritur nga 250 milionë dollarë në plot 11 miliardë dollarë gjatë së njëjtës periudhë.

    “Tani arrijmë në vetëm një javë nivelin e eksporteve që në vitin 2002 e prodhonim gjatë një viti të tërë. Ajo që nisi në një punishte të vogël nga një grusht inxhinierësh të rinj u shndërrua në përpjekje për të projektuar dhe prodhuar me mjete vendase komponentët kritikë të mjeteve ajrore pa pilot (UAV), duke e bërë Turqinë një lider në këtë fushë, e cila përbën 65 për qind të tregut global të eksporteve të UAV-ve, si dhe një vend që eksporton teknologji në më shumë se 40 vende”, tha ai.

    Bayraktar tha se filozofia e zhvillimit fleksibël po i jep fuqi ekosistemit industrial turk, i cili tashmë po shtrihet edhe në orbitë për të reduktuar varësinë nga teknologjia hapësinore e huaj.

    “Po ndërtojmë një infrastrukturë të fuqishme hapësinore me satelitët tanë të komunikimit dhe një konstelacion pozicionimi prej 100 satelitësh për të krijuar një sistem të pavarur navigimi”, tha ai, duke shtuar se vendi tashmë ka zhvilluar kapacitete që variojnë nga raketat sondë që arrijnë lartësi mbi 100 kilometra deri te mjetet vendase hibride për transferim orbital.

    Ai përmendi se tema e IAC-së këtë vit është “Bota ka nevojë për më shumë hapësirë”, për të cilën mendon se ka dy kuptime.

    “Qasje, në kuptimin që më shumë vende të arrijnë në orbitë me kosto më të ulët, dhe hapje e mundësive, në kuptimin e më shumë bizneseve të vogla në zinxhirin e furnizimit dhe inxhinierëve të rinj në tryezë, si dhe vendeve të cilave dikur u thuhej se hapësira nuk ishte për to”, theksoi ai.

    Ai shtoi se Turqia po investon në talentet e reja përmes nismave si TEKNOFEST, aktiviteti kryesor i mbrojtjes dhe aviacionit, i cili së fundmi organizoi për herë të parë një aktivitet në juglindje të vendit dhe tërhoqi 1,6 milionë aplikime nga studentët për garat e inxhinierisë dhe raketarisë. /AA/

  • Trump thotë se fushata kundër Houthi-ve në Jemen do të shkojë "shumë mirë"

    Trump thotë se fushata kundër Houthi-ve në Jemen do të shkojë “shumë mirë”

    Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të hënën se fushata ushtarake kundër Houthive në Jemen – të cilët mbështeten nga Irani – do të “shkojë shumë mirë”.

    Komentet e Trumpit për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë erdhën në kohën kur Jemeni nisi operacionin “Agimi i Jemenit”, me qëllim rivendosjen e institucioneve shtetërore, çlirimin e kryeqytetit Sana dhe dhënien fund të grushtit të shtetit nga milicia Houthi, sipas kreut të Këshillit Presidencial të Udhëheqjes së Jemenit, Rashad al-Alimi.

    “Gjithçka do të shkojë shumë mirë. Do të shkojë shumë mirë”, u përgjigj Trump kur u pyet për mendimin e tij mbi ofensivën e re për rimarrjen e territoreve.

    Ndryshe, forcat e qeverisë së Jemenit, të mbështetura nga Arabia Saudite, kanë deklaruar se kanë vendosur nën kontroll zonën strategjike të ngushticës Bab al-Mandab, në kuadër të ofensivës së gjerë kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani.

    Ushtria jemenase tha se morën kontrollin e zonës së Bab al-Mandabit dhe aeroportit ushtarak të Dhubabit, ndërsa ndërprenë rrugën që lidh Dhubabin me qytetin e Mokhas.

    Sipas ushtrisë, qindra luftëtarë Houthi janë rrethuar në zonë.

    Forcat qeveritare kanë pretenduar gjithashtu se kanë rimarrë Mokhan, një qytet portual strategjik në Detin e Kuq.

    Megjithatë, burime qeveritare dhe ushtarake të cituara nga agjencitë ndërkombëtare kanë dhënë versione të ndryshme, duke thënë se forcat mund të kenë arritur vetëm në periferi të qytetit.

    Ofensiva tokësore po mbështetet nga një fushatë intensive ajrore saudite.

    Koalicioni i udhëhequr nga Riadi tha se rreth 100 avionë luftarakë po ofrojnë mbështetje ajrore dhe se janë goditur 324 objektiva të cilësuara si me vlerë të lartë.

    Në anën tjetër, Houthit kanë pretenduar se kanë sulmuar objektiva në Arabinë Saudite, përfshirë aeroportin ndërkombëtar të Riadit dhe objekte të kompanisë së naftës Saudi Aramco. Pretendimet për dëmet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. /Telegrafi/