Author: Momenti

  • Që nga mbrëmë para Kuvendit, protestuesve u bashkohen nxënës e studentë në mbështetje të UÇK-së

    Që nga mbrëmë para Kuvendit, protestuesve u bashkohen nxënës e studentë në mbështetje të UÇK-së

    Në protestën para Kuvendit të Kosovës, krahas protestuesve që prej mbrëmjes së së dielës kanë qëndruar në protestë, tashmë janë mbledhur edhe një numër nxënësish dhe studentësh, në mbështetje të thirrjes së iniciativës “Jo në emrin tim”.

    Protestuesit kërkojnë nga deputetët miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Iniciativa kishte bërë thirrje për tubim sot në ora 08:00, në kohën kur zhvillohen aktivitetet para seancës së Kuvendit.

    Në ndërkohë, në ora 08:00 pritet të shqyrtohet projektligji në Komisionin për Legjislacion, ndërsa në ora 09:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit, ku shqyrtimi i parë i projektligjit është pika e parë e rendit të ditës.

    Po në ora 09:00, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protestë para Kuvendit, me kërkesën që deputetët të votojnë ndryshimet ligjore.

    Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë qëndruar gjatë natës pranë Kuvendit, ndërsa në mëngjes u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen në Sheshin “Skënderbeu”. /Telegrafi/

  • Xheladini: Po vazhdojnë punimet në disa projekte infrastrukturore në Dragash

    Xheladini: Po vazhdojnë punimet në disa projekte infrastrukturore në Dragash

    Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se po vazhdojnë punimet në disa projekte infrastrukturore në këtë komunë.

    Përmes një postimi, Xheladini ka njoftuar se në rrugën Xërxë–Pllajnik po ndërtohet një mur mbrojtës, pas rrëshqitjes së dheut të shkaktuar nga vërshimet e janarit të këtij viti.

    Punimet, sipas tij, po zhvillohen me intensitet edhe në zgjerimin e rrugës në fshatin Rrenc.

    Ndërkohë, në fshatin Mlik ka përfunduar projekti për rregullimin e infrastrukturës rrugore, ndërsa së shpejti pritet të nisë edhe projekti për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e janarit.

    Xheladini ka njoftuar gjithashtu se në fshatin Kuk, pas përfundimit të mureve mbrojtëse përgjatë brigjeve të lumit, ka nisur puna për ndërtimin e një ure të re.

    Ai ka theksuar se punimet në këto projekte po zhvillohen me intensitet, duke synuar përmirësimin e infrastrukturës dhe sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. /Telegrafi/

  • E shpëtoi 3 vjeçaren që po mbytej në pishinë, Liridon Mavraj bëhet hero në Gjermani

    E shpëtoi 3 vjeçaren që po mbytej në pishinë, Liridon Mavraj bëhet hero në Gjermani

    Shqiptarët në Evropë po vazhdojnë të tregojnë heroizëm, duke qenë shpetimtarë, në momentet kyqe për shumë njerëz.

    Përpos Ajdin Limonit, që shpëtoi 4 italianë në një makinë që po digjej në Zvicër, një akt të tillë e ka bërë edhe një shqiptar tjetër në Gjermani.

    Fjala është për të riun Liridon Mavraj, i cili, sipas raportimeve të mediave gjermane, arriti ta shpëtojë një vajzë të vogël tre vjeçare, që po mbytej në një pishinë në Aschaffenburg, transmeton Telegrafi.

    Sipas rrëfimit të Mavrajt, gjithçka kishte ndodhur brenda pak minutave. Pasi bashkëshortja e tij vuri re vogëlushen në ujë dhe kërkoi ndihmë, Liridoni reagoi menjëherë. Pastaj, së bashku me rojën e pishinës, ai nisi manovrat e ndihmës së parë dhe frymëmarrjen artificiale.

    Pas rreth 30 sekondash ankthi, vogëlushja nisi të merrte frymë, hapi sytë dhe kolliti. Ajo u dërgua më pas në spital, ku, sipas raportimeve të cituara, u konfirmua se ishte jashtë rrezikut për jetën./Telegrafi/

  • Pas barazimit me Austrinë, Kosova rikthehet në vazon e dytë për Evropianin 2028 – Shqipëria në të katërtën

    Pas barazimit me Austrinë, Kosova rikthehet në vazon e dytë për Evropianin 2028 – Shqipëria në të katërtën

    Me situatën aktuale, Kombëtarja e Kosovës do të renditet në vazon e dytë, kur të tërhiqet shorti për Kampionatin Evropian Euro 2028.

    “Dardanët” morën një pikë si nikoqir i Austrisë, ndërsa Irlanda gaboi gjithashtu duke u ndalur nga Izraeli.

    Kësisoj, “Football Meets Data” ka publikuar zhvillimet e fundit, me Kosovën që zë një vend në vazon e dytë për shortin e “Euro 2028”.

    Fatkeqësisht, Shqipëria renditet në vazon e katërt, gjë që lë të hapur mundësinë për të qenë në të njëjtin grup kualifikues të Evropianit së ardhshëm.

    Megjithatë, kjo nuk është renditja finale, meqenëse edhe dy sfida do të zhvillohen në mesin e muajit nëntor. Thënë ndryshe, Kosova me patjetër duhet ta sigurojë së paku vendin e dytë në grup për ta ruajtur këtë pozitë në vazon e dytë.

    Rikujtojmë, “Dardanët” do të përballen me Izraelin në Prishtinë më 11 nëntor, kurse tre ditë më vonë udhëtojnë për në Dublin, ku i pret Irlanda./Telegrafi/

  • Moti sot në Maqedoninë e Veriut

    Moti sot në Maqedoninë e Veriut

    Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe vranësira.

    Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtime të ndryshme.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga -3 deri 6, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 22 deri 29 gradë celsius.

    Në ditët në vijim moti do të jetë kryesisht i ngrohtë./Telegrafi/

  • Mëngjes i freskët dhe temperatura që rriten gjatë ditës, si pritet moti ditën e sotme

    Mëngjes i freskët dhe temperatura që rriten gjatë ditës, si pritet moti ditën e sotme

    Dita e sotme nis me mot të kthjellët dhe kushte të favorshme atmosferike, ndërsa temperaturat janë të freskëta në mëngjes dhe pritet të shënojnë një rritje gjatë ditës.

    Sipas të dhënave të regjistruara në orët e para të mëngjesit, temperatura është 9°C, ndërsa moti paraqitet i kthjellët. Temperatura e ndjeshme është 8°C, për shkak të ndikimit të erës.

    Gjatë ditës, temperatura maksimale pritet të arrijë në 25°C, rreth 4 gradë mbi mesataren ditore prej 21°C.

    Era aktualisht fryn me shpejtësi rreth 5 km/h, nga drejtimi lindje, ndërsa shpejtësia e shpërthimeve të erës arrin deri në 10 km/h.

    Përgjatë ditës nuk parashikohen reshje në Tiranë. Sipas të dhënave në aplikacion, sasia e reshjeve për sot është 0 mm, ndërsa dukshmëria është shumë e mirë, deri në 33 kilometra.

    Lindja e diellit sot është në orën 06:41, ndërsa perëndimi në 18:15. Indeksi UV në orët e para të mëngjesit është 0, në nivel të ulët.

    Lagështia e ajrit është 54%, me pikën e vesës në 2°C, ndërsa presioni atmosferik regjistrohet në 1024 hPa.

    Në përgjithësi, të dhënat tregojnë për një ditë të kthjellët, të thatë dhe me temperatura relativisht të ngrohta për këtë periudhë. /tch/

  • PDK reagon para seancës për Ligjin e Speciales: Për UÇK-në, çlirimtarët e drejtësinë

    PDK reagon para seancës për Ligjin e Speciales: Për UÇK-në, çlirimtarët e drejtësinë

    Para nisjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike të Kosovës.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, PDK ka përcjellë një mesazh të shkurtër lidhur me zhvillimet në Kuvend, duke shkruar: “Për UÇK-në! Për çlirimtarët! Për drejtësinë!”

    Reagimi i PDK-së vjen në kohën kur deputetët po shqyrtojnë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit që lidhet me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Projektligji i propozuar nga PDK-ja synon, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, bartjen në Kosovë të rasteve që konsiderohen jashtë këtij juridiksioni, mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

    Ndryshimet në ligj janë propozuar pasi Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. /Telegrafi/

  • Ngjyrat e vjeshtës 2026: Pesë nuancat që do t’i shohim kudo këtë sezon

    Ngjyrat e vjeshtës 2026: Pesë nuancat që do t’i shohim kudo këtë sezon

    Kafeja çokollatë mbetet në krye, ndërsa e gjelbra ulliri, e kuqja intensive, mahagoni dhe vjollca mbretërore sjellin kombinime më të guximshme dhe më të sofistikuara

    Ngjyrat e vjeshtës 2026 tashmë po dallohen mjaft qartë për të kuptuar se si do të duket gardëroba në muajt e ardhshëm. Pothuajse çdo sezon mode përfundon duke u identifikuar me disa nuanca karakteristike, dhe këtë herë fokusi është te tonet e ngrohta, të thella dhe të lehta për t’u kombinuar.

    Këtë vjeshtë nuk po nisim nga zero. Kafeja çokollatë, të cilën e kemi veshur shumë edhe vitin e kaluar, mbetet një nga ngjyrat kryesore. Krahas saj vijnë e gjelbra ulliri, e kuqja intensive, mahagoni dhe vjollca mbretërore.

    Kafeja çokollatë mbetet në qendër

    Nëse vitin e kaluar keni blerë një çantë kafe, xhaketë lëkure apo pallto, këtë sezon mund t’i riktheni pa hezitim. Kafeja çokollatë vazhdon të jetë një nga nuancat më të rëndësishme, sidomos kur është e thellë dhe e pasur, më afër çokollatës së zezë sesa tonit klasik camel.

    Avantazhi i saj është se mund ta zëvendësojë shumë lehtë të zezën. Një xhaketë lëkure kafe me bluzë të bardhë dhe xhinse të errëta duket më e butë, ndërsa një çantë çokollatë mund të kombinohet edhe me një veshje tërësisht të zezë.

    Foto: Instagram/@ines.frassint

    Si ta vishni: Në vend të toneve identike, kombinoni disa nuanca kafeje. Pantallona kafe të errët, triko më e çelët dhe çantë çokollatë krijojnë një pamje më interesante. Shkon shumë mirë edhe me bojëqielli ose me të gjelbrën ulliri.

    E gjelbra ulliri po sillet si ngjyrë neutrale

    E gjelbra ulliri ka aftësinë të sjellë ngjyrë në kombinim dhe njëkohësisht të funksionojë pothuajse si neutrale. Ajo kombinohet mirë me kafen, grinë, të zezën, kremin dhe xhinset.

    Këtë sezon nuk mbetet vetëm te parkat apo veshjet me frymë ushtarake. Po shfaqet gjithnjë e më shumë te trikot, pantallonat e gjera, fundet, këmishët dhe çantat prej kamoshi.

    Foto: Instagram/@ines.frassint

    Si ta vishni: Një xhaketë ulliri, këmishë e bardhë dhe xhinse janë një formulë e sigurt për çdo ditë. Për një pamje më të rafinuar, një triko ulliri mund të kombinohet me pantallona ose fund gri dhe bizhuteri të arta.

    E kuqja rikthehet në versionin më të fortë

    Këtë vjeshtë nuk bëhet fjalë për bordo, të kuqe tullë apo tone të zbehura. Rikthehet e kuqja e pastër dhe intensive.

    Ajo nuk ka pse të kufizohet vetëm te aksesorët. Një triko e kuqe, fustan apo pallto mund të bëhet elementi kryesor i veshjes, ndërsa pjesa tjetër mund të mbetet e thjeshtë.

    Foto: Instagram/@nadiyalyalko

    Si ta vishni: Një trench i kuq me xhinse blu dhe mokasina është një nga kombinimet më të lehta. E kuqja duket shumë mirë edhe me grinë. Nëse nuk dëshironi një pjesë të madhe në këtë ngjyrë, mjaftojnë balerina ose një çantë e kuqe.

    Mahagoni është alternativa më e ngrohtë ndaj bordosë

    Për ata që e konsiderojnë bordonë paksa të parashikueshme për vjeshtë, mahagoni është një alternativë më e freskët. Kjo nuancë ndodhet mes të kuqes së errët, kafes dhe toneve të verës, prandaj ka thellësi, por njëkohësisht duket më e ngrohtë.

    Ajo funksionon veçanërisht mirë te lëkura, kamoshi, leshi dhe sateni, ndaj është ideale për çanta, çizme, funde dhe xhaketa.

    Foto: Instagram/ @gigischmitz_

    Si ta vishni: Një çantë mahagoni është mënyra më e lehtë për ta futur në garderobë. Kombinohet shumë mirë me triko krem, xhinse të errëta dhe kafen çokollatë. Edhe rozë e zbehtë me mahagoni krijon një kombinim interesant.

    Vjollca mbretërore është surpriza e sezonit

    Pas lavandës, kumbullës dhe toneve më të zbehta, vjollca mbretërore vjen si një surprizë. Është e thellë, e ngopur dhe nuk përpiqet aspak të duket neutrale.

    Pikërisht për këtë arsye është më e efektshme kur përdoret në një pjesë të vetme. Një triko, fund saten apo çantë janë më se të mjaftueshme.

    Foto: Instagram/@ fannyekstrand

    Si ta vishni: Me kafe çokollatë duket më e ngrohtë dhe më elegante, ndërsa me të gjelbrën ulliri krijon një kombinim më të pazakontë.

    Si t’i kombinojmë ngjyrat e vjeshtës 2026

    Kombinimet më interesante nuk do të qëndrojnë domosdoshmërisht brenda së njëjtës paletë. Kafeja çokollatë shkon shumë mirë me të gjelbrën ulliri, mahagoni me grinë, ndërsa e kuqja intensive mund ta gjallërojë një kombinim klasik me xhinse dhe xhaketë kafe.

    Vjollca mbretërore është pak më sfiduese, por me kafe të errët ose gri bëhet shumë më e lehtë për t’u veshur.

    Ngjyrat e vjeshtës 2026 funksionojnë më së miri te pjesët që përdorim çdo ditë: triko, pantallona të prera mirë, xhaketa lëkure, mokasina apo çanta. Në vend të një modeli tjetër të zi, këtë sezon mund të zgjidhni çokollatë ose mahagoni; në vend të trikos gri, ulliri ose vjollcë.

    Nëse gjykojmë nga nuancat që po dominojnë sezonin, garderoba e kësaj vjeshte do të jetë dukshëm më e ngrohtë, më e pasur dhe më interesante. Kafeja çokollatë mbetet baza, por këtë herë nuk do të jetë vetëm. /Telegrafi/

  • Pushteti që nuk e sheh veten me syrin e ikjes, e sheh me syrin e pronarit

    Pushteti që nuk e sheh veten me syrin e ikjes, e sheh me syrin e pronarit

    Është gjithmonë problem për një politikan kur aktivitetin e vet, pushtetin apo administrimin e institucioneve nuk i shikon me syrin e ikjes. Është problem kur, që në çastin e fitores politike, nuk e sheh realitetin me syrin e ikjes.

    Dallimi mes një politikani civil dhe atij tribal është se, që në momentin e fitores, i pari mendon se si të ikë me nder, ndërsa politikani tribal, edhe kur ikën, mendon se si të fitojë pa nder. Dallimi qëndron te përgjegjësia civile, e cila përkthehet në përgjegjësi politike. I pari e njeh këtë përgjegjësi dhe vepron në përputhje me të; i dyti, edhe pse e njeh, abuzon me të. Për fatin tonë të keq, politikani tribal ka qenë modeli i tranzicionit tonë, ai është kthyer në një model ekskluziv pushteti, një model tranzicional i cili nuk mbërrin kurrë në destinacion, i cili qëndron aty e përveç vetes shikon të tjerët me syrin e ikjes, sepse destinacioni i tij nuk është demokracia. Është pushteti.

    Që nga viti 2013, kur kjo mazhorancë socialiste me në krye Edi Ramën fituan zgjedhjet e “një milion shuplakave” ndaj një lideri tjetër tribal, jo vetëm që nuk e pa kurrë këtë besim popullor me syrin e ikjes, por edhe tronditjet e mëdha që kanë shoqëruar pushtetin e saj – nga Saimir Tahiri te Lefter Koka, nga Alqi Bllako te Vangjush Dako, nga Arben Ahmetaj te Ilir Beqaj, nga Jurgis Çyrbja te Erion Veliaj, nga Belinda Balluku te Vlora Hyseni – janë servirur si mundësi, madje si dëshmi e një pushteti që po lufton korrupsionin. Në këtë logjikë, nuk ka më rëndësi ngjarja dhe as përgjegjësia politike, rëndësi ka vazhdimësia e pushtetit dhe bindja se “askush dhe asgjë nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë”. E, këtu jemi pastaj në atë pikë sa “rastësia” kërkon më shumë “rastësi”, deri kur përjashtimet nga rregulli shumohen, e kur ato shumohen, atëherë duhet shqyrtuar vetë rregulli.

    Askush sot nuk është në gjendje që të përcaktojë, pas 13 vjetësh në pushtet, se sa raste figurash politike të zgjedhura, të emëruara dhe të promovuara nga vetë kryeministri Rama, do të duhen të mbushin faqet e para të mediave derisa “përgjegjësia individuale” të shndërrohet në përgjegjësi politike të vetë sistemit dhe kreut që i ka përzgjedhur këta njerëz. Përpjekja për të ndarë kryeministrin Rama nga administrata e tij, se gjoja të gjitha problemet dhe keqqeverisja janë shkaktuar nga mosfunksionimi i administratës publike, është alibia më qesharake. Nuk është as edhe politike si tezë. Është në kufijtë e provincializmit tribal.

    Domethënë, për këtë arsye Rama papritmas, vetëm pas 13 vitesh në pushtet, zbuloi se duhet një “Besë” me shqiptarët. Sa herë që në Shqipëri ka pasur protesta qytetare apo studentore – se ato partiaket i ka shumë qejf ai – aq herë Rama është distancuar nga vetvetja. Gjithmonë fajin e ka pasur administrata e tij dhe kurrë ai. Bile ai ka shpejtuar të jetë me protestuesit në shesh kundra vetë Ramës. Edhe në protestën e fundit ai u bë me flamingot. Ndërsa kur skandalet e njerëzve të tij mbulojnë mediat, ai distancohet dhe në ndihmë i vjen dardha. Problemi është se aq shumë dardha e kumbulla po fermentohen, sa tashmë janë bërë një reçel i mykur e toksik. Ka një rregull i cili na mëson se si të ndajmë rastet individuale dhe sporadike të korrupsionit me një sistem të tërë korruptiv që përfundon me kapjen e shtetit.

    Është kur fenomeni bëhet i vazhdueshëm, sistematik e pastaj bëhet sistemik duke lëvizur gjithmonë e më lart në piramidën shtetërore. Në këtë rast nuk funksionon alibia se përgjegjësia është personale, sepse shtrirja e gjatë në kohë dhe numri i madh i rasteve në nivele të larta, ngrenë pyetje të tipit: Cilat janë mekanizmat e parandalimit që qeveria ndërmori pasi skandalet u bënë publike? Çfarë bënë institucionet e kontrollit? A u reformuan procedurat e përzgjedhjes së figurave politike? Përse për 13 vjet natyra e skandalit është pothuaj e njëjtë? Të mos dish gjë, aq më tepër duke qenë kryeministër, është më e rëndë se të jesh bashkëpunëtor në skandal, sepse ai që bashkëpunon ka thyer një herë ligjin, ndërsa ai që nuk di gjë e ka thyer disa herë atë.

    Padijenia ka gjithmonë një autor. “Nuk e dija” është më e rëndë sepse të ngarkon me përgjegjësinë e tipit: “përse nuk e dite?” dhe pastaj, “çfarë sistemi kishe ndërtuar që të lejoi të mos e dije?”. Padijenia kthehet vetë subjekt i llogaridhënies e për pasojë kthehet në faj politik. Në të gjitha rastet e përgjegjësive institucionale, publike apo private qofshin ato, përgjegjësia ndjek rrugën e hierarkisë duke mbërritur në majë, aty ku problemi duhej të eliminohet. Në çdo hierarki përgjegjësia ngjitet lart, vetëm në Shqipëri, kur arrin pranë majës, ajo papritur bëhet personale. Ky është problemi i një pushteti që nuk e sheh veten me syrin e ikjes, për shkak se me kalimin e kohës, fillon ta shohë shtetin me syrin e pronarit.

    Nëse Kushtetuta i ngarkon kryeministrit kontrollin e punës së ministrave, deri ku mund të përdoret politikisht “nuk e dija” si shfajësim, sepse është normale që në një demokraci përgjegjësia të ndjekë rrugën e hierarkisë, jo vetëm të autorit, por edhe të pushtetit që e ka për detyrë të kontrollojë e të parandalojë. Precedenti se padijenia është pafajësi është i rrezikshëm për modelin se si ne kemi ndërtuar shtetin tonë. E kemi lënë krimin vetëm individual, ndërsa përgjegjësinë e funksionimit të shtetit e kemi lënë jetime. Pas skandalit të parë zakonisht kërkohet autori, por pas të dhjetit kërkohet sistemi që lejoi të njëmbëdhjetin.

    E këtu, me të drejtë, mund të mendojmë se padijenia pranohet për një ose dy raste, por jo kur skandali bëhet vetë sistemi. Sa herë mund të mos dijë një kryeministër para se mosdija të pushojë së qenuri një shpjegim? Si mund të mos dijë një kryeministër me pushtet të gjatë dhe të centralizuar informacioni? Të mos njohësh mënyrën e funksionimit të pushtetit që vetë ke ndërtuar, kësaj i thonë paaftësi.

    Me shfajësimin e kryeministrit deduktojmë se çdo sukses i qeverisë është produkt i lidershipit, ndërsa çdo skandal pushteti është produkt ekskluziv i individit. Pra, në suksese jemi arkitektët e tij, ndërsa në skandale jemi thjesht kalimtarë të rastit. Jo, nuk është ashtu! Por kur modeli korruptiv përsëritet me vite, dyshimi zhvendoset nga personi te mekanizmi që e prodhon atë. Atëherë duhet të shikosh arkitekturën e pushtetit, e kjo e fundit e ka gjithmonë një arkitekt politik. /Gazeta “Panorama”/

  • Në mbështetje të protestës për UÇK-në, studentët thirrje për mobilizim sot në ora 08:00

    Në mbështetje të protestës për UÇK-në, studentët thirrje për mobilizim sot në ora 08:00

    Parlamentet studentore, organizatat dhe këshillat e studentëve nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren kanë shprehur mbështetje për protestën gjithëpopullore të iniciativës “Jo në emrin tim”, e cila mbahet sot, më 5 tetor, në ora 08:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

    Mbështetjen për protestën dhe kërkesën për miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së e kanë shprehur:

    Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”;

    Parlamenti Studentor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren;

    Organizata studentore “Unioni Demokratik Studentor”;

    Organizata studentore “Reforma”;

    Këshilli Studentor i Fakultetit Juridik të UP-së;

    Këshilli Studentor i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit;

    Këshilli i Studentëve i Fakultetit Filozofik.

    Përmes shpërndarjes së thirrjes për protestë, përfaqësuesit studentorë u janë bashkuar mobilizimit për pjesëmarrje dhe kërkesës drejtuar deputetëve për miratimin e ligjit.

    “Ligji për UÇK-në duhet të kalojë sot!”, është mesazhi i afishes së protestës, e cila është shpërndarë edhe nga përfaqësuesit studentorë.

    Tubimi zhvillohet në mëngjesin kur Kuvendi pritet të mblidhet për shqyrtimin e projektligjit.

    Ndërkohë, organizatori Çlirim Haziri ka njoftuar se protestuesit do të qëndrojnë gjatë gjithë natës në shesh, për t’i pritur deputetët para fillimit të seancës.

    Mbështetja e strukturave studentore i bashkohet kërkesës së protestuesve, të cilët prej 19 ditësh po kërkojnë miratimin e ligjit që mbron UÇK-në dhe çlirimtarët. /Telegrafi/