Author: Momenti

  • Trump thotë se fushata kundër Houthi-ve në Jemen do të shkojë "shumë mirë"

    Trump thotë se fushata kundër Houthi-ve në Jemen do të shkojë “shumë mirë”

    Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të hënën se fushata ushtarake kundër Houthive në Jemen – të cilët mbështeten nga Irani – do të “shkojë shumë mirë”.

    Komentet e Trumpit për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë erdhën në kohën kur Jemeni nisi operacionin “Agimi i Jemenit”, me qëllim rivendosjen e institucioneve shtetërore, çlirimin e kryeqytetit Sana dhe dhënien fund të grushtit të shtetit nga milicia Houthi, sipas kreut të Këshillit Presidencial të Udhëheqjes së Jemenit, Rashad al-Alimi.

    “Gjithçka do të shkojë shumë mirë. Do të shkojë shumë mirë”, u përgjigj Trump kur u pyet për mendimin e tij mbi ofensivën e re për rimarrjen e territoreve.

    Ndryshe, forcat e qeverisë së Jemenit, të mbështetura nga Arabia Saudite, kanë deklaruar se kanë vendosur nën kontroll zonën strategjike të ngushticës Bab al-Mandab, në kuadër të ofensivës së gjerë kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani.

    Ushtria jemenase tha se morën kontrollin e zonës së Bab al-Mandabit dhe aeroportit ushtarak të Dhubabit, ndërsa ndërprenë rrugën që lidh Dhubabin me qytetin e Mokhas.

    Sipas ushtrisë, qindra luftëtarë Houthi janë rrethuar në zonë.

    Forcat qeveritare kanë pretenduar gjithashtu se kanë rimarrë Mokhan, një qytet portual strategjik në Detin e Kuq.

    Megjithatë, burime qeveritare dhe ushtarake të cituara nga agjencitë ndërkombëtare kanë dhënë versione të ndryshme, duke thënë se forcat mund të kenë arritur vetëm në periferi të qytetit.

    Ofensiva tokësore po mbështetet nga një fushatë intensive ajrore saudite.

    Koalicioni i udhëhequr nga Riadi tha se rreth 100 avionë luftarakë po ofrojnë mbështetje ajrore dhe se janë goditur 324 objektiva të cilësuara si me vlerë të lartë.

    Në anën tjetër, Houthit kanë pretenduar se kanë sulmuar objektiva në Arabinë Saudite, përfshirë aeroportin ndërkombëtar të Riadit dhe objekte të kompanisë së naftës Saudi Aramco. Pretendimet për dëmet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. /Telegrafi/

  • AfD synon drejtimin e parlamentit në Saksoninë-Anhalt, BSW bëhet vendimtar

    AfD synon drejtimin e parlamentit në Saksoninë-Anhalt, BSW bëhet vendimtar

    Partia e ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), po synon të marrë për herë të parë drejtimin e një parlamenti provincial, ndërsa deputetët e Saksonisë-Anhaltit mblidhen sot për seancën e parë pas zgjedhjeve të 6 shtatorit.

    AfD ka propozuar deputetin Tobias Rausch për postin e presidentit të parlamentit provincial në Magdeburg. Rezultati i votimit pritet të ketë rëndësi përtej politikës së landit, pasi do të jetë një test i parë për marrëdhëniet mes AfD-së dhe Aleancës Sahra Wagenknecht (BSW).

    AfD fitoi zgjedhjet me 43.8 për qind të votave, duke siguruar 39 nga 83 ulëset në parlament. Si grupi më i madh parlamentar, ajo ka të drejtë të propozojë kandidatin për president, por për zgjedhjen e tij nevojitet shumicë e thjeshtë e votave të vlefshme.

    Kjo e bën vendimtar qëndrimin e BSW-së, e cila ka pesë deputetë dhe ka deklaruar se do ta mbështesë Rausch. Ndërkohë, CDU, SPD, të Gjelbrit dhe Partia e Majtë kanë bërë të ditur se do të votojnë kundër kandidatit të AfD-së, transmeton Telegrafi.

    Dega e AfD-së në Saksoninë-Anhalt është klasifikuar nga autoritetet e landit për mbrojtjen e kushtetutës si organizatë e konfirmuar e ekstremit të djathtë. Për këtë arsye, zgjedhja e një politikani të AfD-së në krye të parlamentit konsiderohet nga vëzhguesit si një zhvillim me rëndësi të veçantë politike.

    Posti nuk është thjesht ceremonial. Presidenti i parlamentit drejton seancat plenare, kryeson Këshillin e të Moshuarve dhe mbikëqyr administratën parlamentare. Politologu Nicolas Spohn tha se ndikimi i këtij posti qëndron kryesisht te çështjet procedurale dhe zbatimi i rregullores së parlamentit.

    Rausch është përpjekur të paraqesë veten si një figurë pragmatike. “Nuk jam një ekstremist, jam pragmatik”, ka deklaruar ai, duke shtuar se synon të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve dhe që debatet në parlament të jenë “të ashpra për çështjet, por të drejta ndaj individëve”.

    Megjithatë, votimi për presidentin e parlamentit nuk përcakton se kush do ta drejtojë qeverinë e landit.

    Këtë post synon ta marrë kandidati kryesor i AfD-së, Ulrich Siegmund, i cili pritet të kandidojë për postin e kryeministrit të landit në dhjetor. Për t’u zgjedhur, ai do të ketë nevojë për të paktën 42 vota.

    Pikërisht për këtë arsye, votimi i sotëm shihet si një test i parë për marrëdhëniet mes AfD-së dhe BSW-së. Mbështetja e pesë deputetëve të BSW-së për Rausch mund të jetë një sinjal i rëndësishëm për mënyrën se si do të zhvillohen marrëdhëniet mes dy forcave gjatë muajve të ardhshëm.

    Seanca inauguruese nis në orën 11:00 dhe presidenti i parlamentit do të zgjidhet me votim të fshehtë. Nëse kandidati nuk merr shumicën e nevojshme në raundin e parë, mund të zhvillohen raunde të tjera votimi.

    Ndërkohë, janë paralajmëruar edhe protesta jashtë parlamentit. Aleanca “Solidarisches Magdeburg” pritet të organizojë një demonstratë së bashku me iniciativa të tjera qytetare.

    AfD ka siguruar gjithashtu ndryshimin e planit të ulëseve në sallën e parlamentit. Si grupi më i madh, ajo do të ulet tashmë në qendër të sallës, në vend të pozicionit tradicional në skajin e djathtë.

    Deri në zgjedhjen dhe betimin e kryeministrit të ri të landit, qeveria aktuale e Saksonisë-Anhalt do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë. /Telegrafi/

  • Chelsea rikthen interesimin për yllin e Barcelonës, Xabi Alonso kërkon transferimin e tij

    Chelsea rikthen interesimin për yllin e Barcelonës, Xabi Alonso kërkon transferimin e tij

    Chelsea ka rikthyer interesimin për transferimin e Jules Konde, mbrojtësit francez të Barcelonës, të cilin klubi londinez e sheh si një objektiv për vitin 2027. Mbrojtësi është një kërkesë e trajnerit Xabi Alonso, i cili dëshiron të përforcojë repartin defensiv.

    Sipas raportimeve të Sport dhe TEAMtalk, drejtuesit e Chelseat po shqyrtojnë mundësinë për të paraqitur një ofertë zyrtare për reprezentuesin francez, ndërsa Barcelona pritet të kërkojë mbi 50 milionë euro për të dhënë dritën jeshile për largimin e tij.

    Kounde, 27-vjeçar, ka nisur nga stoli në gjashtë prej tetë ndeshjeve zyrtare të Barcelonës këtë sezon. Situata e tij ka rritur interesimin e klubit anglez, i cili e kishte kërkuar edhe në vitin 2022, përpara se francezi të zgjidhte Barcelonën, që atëherë e transferoi nga Sevilla për 50 milionë euro fikse, plus bonuse.

    Në gusht të vitit 2025, pas golit vendimtar në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Real Madridit, Kounde rinovoi kontratën me Barcelonën deri më 30 qershor 2030, duke e forcuar ndjeshëm pozitën negociuese të klubit katalanas.

    Drejtuesit e Barcelonës nuk pritet ta lehtësojë largimin e mbrojtësit gjatë sezonit pa marrë një ofertë të konsiderueshme financiare. Drejtuesit e klubit konsiderojnë se vetëm një propozim mbi 50 milionë euro do t’u mundësonte të hynin në treg për të gjetur një zëvendësues të denjë.

    Në Londër, ndërkohë, po shqyrtohet mundësia që transferimi të financohet përmes pagesave të shtyra, në mënyrë që klubi të respektojë rregulloret financiare të Ligës Premier.

    Sipas raportimeve, skautët e Chelseat pritet të ndjekin nga afër paraqitjet e Barcelonës gjatë muajve tetor dhe nëntor, për të vlerësuar nëse Koundé do të vazhdojë të ketë një rol dytësor në skuadër./Telegrafi/

  • Qorolli: Sot nuk është dita për ta çuar shtetin në prapakthim, ta votojmë Presidentin dhe Projektligjin për Specialen

    Qorolli: Sot nuk është dita për ta çuar shtetin në prapakthim, ta votojmë Presidentin dhe Projektligjin për Specialen

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorolli ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të votojë Presidentin e Republikës dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Qorolli i ka cilësuar këto dy çështje si pjesë të të njëjtit detyrim institucional, duke argumentuar se vendit i nevojiten institucione funksionale dhe vendimmarrje.

    “Sot nuk është dita për ta çuar shtetin në prapakthim: e votojmë Presidentin dhe e votojmë Projektligjin për Specialen, sepse të dyja janë pjesë e të njëjtit detyrim — t’i japim vendit institucione funksionale dhe vendimmarrje”, ka deklaruar Qorolli.

    Ai ka paralajmëruar gjithashtu për pasojat që, sipas tij, do të kishte shkuarja në zgjedhje në këtë fazë të zhvillimeve politike.

    “Shkuarja në zgjedhje e lëndon Hagën dhe Republikën tonë”, është shprehur deputeti i LVV-së.

    Qorolli ka përdorur tone të ashpra ndaj atyre që, sipas tij, po veprojnë të motivuar nga përplasjet politike, duke u bërë thirrje deputetëve që të shmangin një skenar të ri zgjedhor.

    “Do t’i bini pishman nëse veproni me këtë mllef e maraz prej foshnjorakësh politik”, ka shkruar ai. /Telegrafi/


  • Me pupla dhe një të çarë provokuese, Dua Lipa shkëlqen në sfilatën e Chanel

    Me pupla dhe një të çarë provokuese, Dua Lipa shkëlqen në sfilatën e Chanel

    Në sfilatën e Chanel në Paris, gjatë Javës së Modës, këngëtarja Dua Lipa tërhoqi të gjitha vëmendjen me një paraqitje elegante.

    Ajo kishte zgjedhur një kostum dy pjesësh deri poshtë gjunjëve, me një material të pasur me motive lulesh në nuanca të kuqe, rozë dhe kafe të errët.

    Detajet e puplave në ngjyrë rozë dhe të bardhë i dhanë veshjes një pamje veçanërisht spektakolare.

    Puplat zbukuronin skajin e jelekut, i cili mbështillej rreth qafës dhe zbriste deri te një e çarë e lartë në pjesën e këmbës.

    E çara e guximshme në anën e majtë të fundit nxori në pah këmbët e gjata të këngëtares dhe i shtoi dinamizëm gjithë kombinimit.

    Pamjen e kompletoi me këpucë klasike Chanel në ngjyrë bezhë, me majë të zezë.

    Artistja shqiptare kishte flokët të mbledhur dhe të krehur pas, ndërsa grimin e kishte në tone të ngrohta.

    Ajo zgjodhi gjithashtu byzylyk ari, mes tyre vathë të mëdhenj dhe disa unaza.

    Para fillimit të sfilatës, Dua pozoi me aktoren Alexa Demie, në shfaqje ishte e pranishme edhe në shoqërinë e emrave të njohur si Nicole Kidman, Pedro Pascal, Kristen Wiig, Sandra Huller dhe Ayo Edebiri.

    Së fundmi, Dua ishte e ftuar në koncertin e Shakirës në Madrid, ku të dyja emocionuan publikun me performancën e përbashkët të këngës “Antologia”. /Telegrafi/

  • MASh: Njoftim i rremë se më 6 tetor nuk do të zhvillohet mësimi

    MASh: Njoftim i rremë se më 6 tetor nuk do të zhvillohet mësimi

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka reaguar lidhur me një njoftim që po qarkullon në rrjetet sociale, ku pretendohet se më 6 tetor 2026 nuk do të zhvillohet procesi mësimor.

    Sipas MASh-it, ky njoftim është i rremë dhe nuk është publikuar nga Ministria.

    “MASh njofton se nuk është marrë vendim për ndërprerjen e mësimit në këtë datë dhe se procesi mësimor zhvillohet sipas orarit të rregullt”, thuhet në reagim.

    Ministria ka bërë të ditur se në materialin që po qarkullon janë përdorur pa autorizim emri dhe logoja e saj, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një njoftim zyrtar.

    MASh u ka bërë thirrje nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe qytetarëve që të mos e shpërndajnë këtë material dhe informacionet t’i marrin vetëm nga kanalet zyrtare të Ministrisë.

    Pra, mësimi më 6 tetor 2026 zhvillohet sipas orarit të rregullt, sipas njoftimit të MASh-it. /Telegrafi/

  • Komuna e Prishtinës paralajmëron vonesa në transportin publik për shkak të protestave

    Komuna e Prishtinës paralajmëron vonesa në transportin publik për shkak të protestave

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se për shkak të protestave të paralajmëruara për sot, mund të ketë vonesa në qarkullimin e transportit publik urban në kryeqytet.

    Përmes një njoftimi, Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i planifikojnë lëvizjet e tyre duke marrë parasysh vonesat e mundshme në transportin publik.

    “Ju njoftojmë se, për shkak të protestave të paralajmëruara për sot, mund të ketë vonesa në qarkullimin e transportit publik urban në Kryeqytet”, thuhet në njoftimin e Komunës.

    Komuna ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin. /Telegrafi/

  • Gjendet i vdekur një person në autostradë, polici në kërkim të shoferit që e goditi

    Gjendet i vdekur një person në autostradë, polici në kërkim të shoferit që e goditi

    Një burrë me moshë të panjohur u gjet i vdekur në anë të autostradës sot, pasi, sipas informacioneve fillestare, u godit nga një automjet, shoferi i të cilit u largua nga vendi i aksidentit.

    Personi vdiq nga plagët e marra në vendngjarje. Ekipet e policisë kryen inspektim, ndërsa shërbimet kompetente po marrin masa për të përcaktuar identitetin e të ndjerit, si dhe për të gjetur automjetin dhe shoferin që mori pjesë në aksident.

    Rastin e konfirmoi edhe Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, gjatë një paraqitjeje në televizionin Kanal 5.

    “Sot kemi një rast të tillë. Një burrë u shtyp dhe u gjet në autostradë, i vdekur në vendin e ngjarjes”, tha Toshkovski.

    Policia po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat në të cilat ndodhi tragjedia, si dhe për të identifikuar dhe gjetur shoferin që u largua nga vendi i ngjarjes.

    Më shumë detaje rreth rastit priten pas përfundimit të inspektimit dhe veprimeve hetimore të ndërmarra.

  • Një mesazh emocional nga qyteti i lindjes: Në Rosario, zhvilluan një fanellë të madhe në nder të lamtumirës së Messit

    Një mesazh emocional nga qyteti i lindjes: Në Rosario, zhvilluan një fanellë të madhe në nder të lamtumirës së Messit

    Padyshim futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, Lionel Messi do t’i japë lamtumirën fanellës së kombëtares së Argjentinës sonte (e martë).

    Ndeshja kundër Beninit, e cila do të luhet në orën 20:00 në stadiumin Monumental në Buenos Aires, do të jetë e fundit për gjeniun argjentinas.

    Përpara ndeshjes, tifozët në qytetin e lindjes së Messit, Rosario, zbuluan një fanellë të madhe të ekipit kombëtar me fjalët “FALEMINDERIT #10” të shfaqura në mënyrë të spikatur për t’i bërë nderim kapitenit të tyre.

    Përkushtimi në Rosario mbartte një mesazh emocional nga bashkëqytetarët e tij, të cilët shprehën mirënjohje të thellë për mënyrën se si ai e transformoi ekipin kombëtar.

    “Faleminderit, kapiten. Na dhe gjithçka. Na bëre të besojmë përsëri, të ëndërrojmë të pamundurën dhe na dhe momente të paharrueshme që do të mbeten me ne për gjithë jetën”.

    Letra nxori në pah realizimin e dhimbshëm se një epokë e re po agon për futbollin argjentinas pa udhëheqësin e tyre legjendar.

    “Asgjë nuk do të jetë më njësoj. Nuk jemi gati të të lëmë të shkosh, por do të të ndjekim kudo që të shkosh”, shkruante në letrën e Rosarios.

    Lamtumira e Messit me ekipin kombëtar shënon fundin e epokës së artë që i solli Argjentinës suksese të mëdha. Ai i udhëhoqi Gauçot drejt tre trofeve të mëdhenj, duke fituar dy tituj radhazi të Copa America në vitet 2021 dhe 2024, së bashku me kulmin e karrierës së tij, një fitore historike në Kupën e Botës 2022 në Katar.

    Ndeshja e sotme kundër Beninit do të jetë e 208-ta në histori të tij, dhe deri më tani ai ka shënuar 125 gola dhe ka dhënë 68 asistime.

    Vlen të theksohet se në Argjentinë kanë njoftuar tashmë se i gjithë vendi do të ndalet në minutën e 10-të të ndeshjes. /Telegrafi/

  • Imigracioni dhe shtetësia: Për çfarë votuan deputetët zviceranë këtë vjeshtë

    Imigracioni dhe shtetësia: Për çfarë votuan deputetët zviceranë këtë vjeshtë

    Gjatë sesionit vjeshtor të Parlamentit, i cili zgjati nga 14 shtatori deri më 2 tetor, deputetët zviceranë miratuan një sërë mocionesh kyçe.

    Ja disa nga vendimet që ata morën:

    ‘Taksa e imigracionit’

    Ligjvënësit miratuan idenë e vendosjes së një takse prej 4,000 frangash për shtetasit e BE-së që vendosen në vend.

    Ideja pas këtij hapi është se imigrantët e rinj përfitojnë nga infrastruktura dhe shërbimet publike të Zvicrës pa pasur kontribuar në financimin e tyre, ndaj duhet të paguajnë për përdorimin e tyre, raporton TheLocal.ch.

    Këshilli Federal gjithashtu deklaroi se e mbështet këtë taksë, “të ardhurat nga e cila do të rishpërndaheshin te popullata dhe ekonomia”.

    Tarifat universitare për shtetasit e huaj

    Gjatë diskutimeve mbi paketën e re të marrëveshjeve midis Zvicrës dhe Bashkimit Evropian, deputetët vendosën që studentët e BE-së të regjistruar në Institutet Federale të Teknologjisë në Cyrih dhe Lozanë duhet të trajtohen njësoj si studentët zviceranë për sa u përket tarifave të shkollimit.

    Sipas kushteve të marrëveshjes me Brukselin, edhe studentët zviceranë do të përfitojnë trajtim të barabartë, për sa u përket tarifave, kur studiojnë në një vend të BE-së.

    Sanksione për kompanitë që punësojnë të huaj në vend të vendasve

    Konkretisht, deputetët theksuan se kandidatët vendas duhet të kenë përparësi ndaj individëve nga shtete jashtë BE-së/EFTA-s.

    Sipas planit, punëdhënësit mund të përballen me sanksione nëse refuzojnë të punësojnë një person të vlerësuar si të përshtatshëm nga Qendra Rajonale e Punësimit (ORP), duke ia ofruar në vend të tij punën kandidatëve që “nuk konsiderohen pjesë e tregut të punës zviceran”.

    Kjo kategori përfshin shtetasit zviceranë, shtetasit e BE-së/EFTA-s, si dhe personat nga vende të treta që janë tashmë të integruar në tregun e punës të Zvicrës me leje qëndrimi të kategorisë B ose C, transmeton Telegrafi.

    Deputetët hodhën poshtë një propozim për procedurë të thjeshtuar të natyralizimit

    Nisma në fjalë propozon që e drejta për shtetësi zvicerane të jepet pas vetëm pesë viteve qëndrim të ligjshëm në Zvicër, duke e ulur këtë afat nga kufiri aktual prej dhjetë vitesh.

    Ky vendim nënkupton se anëtarët e Parlamentit do t’u bëjnë thirrje votuesve ta refuzojnë këtë nismë kur ajo të hidhet në votim në një datë ende të pacaktuar.

    Referendumi për BE-në

    Meqenëse paketa e re e marrëveshjeve të negociuara midis Bernës dhe Brukselit duhet të miratohet nga votuesit zviceranë para se të hyjë në fuqi, deputetët duhej të vendosnin nëse kjo çështje duhej t’i nënshtrohej një referendumi fakultativ apo të detyrueshëm – pra, nëse do të kërkohej miratimi vetëm nga shumica e votuesve, apo nga shumica e votuesve DHE e kantoneve, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

    Ata zgjodhën opsionin e dytë, sepse çështja në fjalë është “aq thelbësore, saqë një shumicë e thjeshtë popullore nuk do të mjaftonte”.

    Gjithashtu, një referendum fakultativ do të nënkuptonte se “të drejtat e pjesëmarrjes së kantoneve do të kufizoheshin”.

    Dhe siç theksoi Petra Gössi nga Partia Liberal-Radikale: “Paketa e marrëveshjeve i prek drejtpërdrejt kantonet. Prandaj, ato duhet të kenë një fjalë në vendimmarrje.”

    Për më tepër, një “shumicë e dyfishtë do të sillte legjitimitet më të madh dhe besim më të fortë të publikut” te rezultatet, shtoi Gössi.

    Rekomandimi për të votuar “kundër” një nisme për shkurtimin e kohës së pritjes për marrjen e shtetësisë zvicerane.

    Çfarë do të ndodhë më pas me këto çështje?

    Ato që janë miratuar vetëm nga njëra dhomë e Parlamentit do të duhet të miratohen edhe nga dhoma tjetër gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar – nga 30 nëntori deri më 18 dhjetor – para se të mund të hartohet legjislacioni i propozuar.

    Më pas, ato do t’i nënshtrohen një referendumi./Telegrafi/