Author: Momenti

  • Pamje nga protesta: Policia shihet duke ushtruar dhunë ndaj një protestuesi

    Pamje nga protesta: Policia shihet duke ushtruar dhunë ndaj një protestuesi

    Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës shihen duke ushtruar dhunë ndaj një protestuesi gjatë protestës së zhvilluar në Prishtinë.

    Në pamjet zyrtarët policorë godasin qytetarin në një zonë të pandriçuar, ndërsa incidenti ngre pikëpyetje mbi mënyrën dhe nivelin e forcës së përdorur.

    Pamjet janë publikuar pas përplasjeve të shënuara gjatë protestës, ku Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

    Policia ka deklaruar më herët se ka ndërhyrë ndaj protestuesve që, sipas saj, kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë.

    Për incidentin e paraqitur në këto pamje, deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera zyrtare nga Policia e Kosovës apo Inspektorati Policor i Kosovës.

  • Dellova dhe Krasniqi lënë pas emrat e mëdhenj, dyshja e Kosovës në krye të Ligës së Kombeve

    Dellova dhe Krasniqi lënë pas emrat e mëdhenj, dyshja e Kosovës në krye të Ligës së Kombeve

    Lumbardh Dellova dhe Ilir Krasniqi po shkëlqejnë në këtë edicion të Ligës së Kombeve, me dy mbrojtësit e Kosovës që kanë regjistruar numrin më të madh të topave të rikuperuar në katër ndeshjet e para të garës.

    Sipas statistikave të UEFA-s, Dellova kryeson me 34 topa të rikuperuar, ndërsa menjëherë pas tij renditet Ilir Krasniqi me 33. Dyshja kosovare gjendet kështu në dy pozitat e para të kësaj statistike, duke lënë pas disa emra të njohur të futbollit evropian.

    Në vendin e tretë, me nga 32 rikuperime, janë Renato Veiga i Portugalisë, mbrojtësi i Villarrealit, Neco Williams i Uellsit, pjesë e Nottingham Forestit, si dhe Joachim Andersen i Danimarkës, mbrojtësi i Fulhamit.

    Lumbardh Dellova

    Pra, Dellova dhe Krasniqi kanë lënë pas në këtë statistikë lojtarë me përvojë në nivelet më të larta të futbollit evropian.

    Veiga është reprezentues i Portugalisë dhe pjesë e Villarrealit, Williams është një prej mbrojtësve kryesorë të Uellsit dhe Nottingham Forestit, ndërsa Andersen është një prej emrave të rëndësishëm të Danimarkës dhe Fulhamit.

    Ajo që e bën edhe më domethënëse paraqitjen e dyshes kosovare është vazhdimësia. Dellova dhe Krasniqi i kanë zhvilluar të katër ndeshjet nga 90 minuta, duke kompletuar nga 360 minuta lojë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

    Ilir Krasniqi

    Paraqitjet e tyre kanë qenë ndër pikat më të forta të Kosovës në këtë cikël.

    Në total, dyshja ka regjistruar 67 topa të rikuperuar, duke treguar jo vetëm qëndrueshmëri, por edhe ndikimin e madh në fazën defensive. Dellova dhe Krasniqi kanë qenë të rëndësishëm në rikthimin e posedimit dhe në stabilitetin e repartit defensiv të Kosovës.

    Për Kosovën, kjo është një tjetër statistikë që dëshmon rritjen individuale të futbollistëve.

    Dellova dhe Krasniqi, dyshja e fortë e Kosovës

    Dy mbrojtësit kosovarë në krye të një renditjeje të Ligës së Kombeve, përpara emrave si Renato Veiga, Neco Williams dhe Joachim Andersen, është padyshim një nga statistikat më interesante të këtij cikli. /Telegrafi/

  • Kush i kontrollon rezervat e naftës së Evropës dhe kur mund të çlirohen?

    Kush i kontrollon rezervat e naftës së Evropës dhe kur mund të çlirohen?

    Pas Evropës fshihet një rezervë e madhe energjetike: miliona tonë naftë bruto, dizel dhe karburante të tjera, të ruajtura për raste krizash të mëdha të furnizimi

    Por, ndërsa qeveritë po përgatiten t’i përdorin sërish këto rezerva emergjente, kush e ka në të vërtetë çelësin?

    A mundet Brukseli të urdhërojë nxjerrjen e naftës në treg, apo vendimi u takon kryeqyteteve kombëtare?

    Përgjigjja përfshin një kombinim kompleks të rregullave të BE-së, sovranitetit kombëtar dhe koordinimit ndërkombëtar.

    Komisioni Evropian përcakton rregullat dhe monitoron nëse vendet anëtare mbajnë rezerva të mjaftueshme nafte.

    Megjithatë, vetë rezervat mbeten nën kontrollin e shteteve kombëtare, ndërsa çlirimet e mëdha të koordinuara ndërkombëtarisht menaxhohen përmes Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), me seli në Paris.

    “Vendimi për çlirimin e rezervave dhe mënyra e organizimit të tij i takojnë IEA-së. Ne jemi të gatshëm të mbledhim grupin e koordinimit për naftën ose, nëse është e nevojshme, grupin e punës së BE-së për sigurinë energjetike, për të koordinuar më tej dhe për të vlerësuar situatën”, deklaroi të hënën një zëdhënës i Komisionit Evropian.

    Komentet erdhën pas njoftimit të G7 se pritet të hidhen në treg rreth 100 milionë fuçi naftë gjatë katër muajve të ardhshëm.

    Rezervat e dizelit do të përdoren më herët, me synimin për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të zbutur frikën për ndërprerje të furnizimit.

    Ende nuk është bërë e qartë se sa naftë bruto dhe sa dizel do të çlirohen.

    Para njoftimit zyrtar, diplomatë të BE-së i thanë Euronews se sasia pritej të ndahej në mënyrë të barabartë mes naftës bruto dhe dizelit.

    Në mars, vendet evropiane kontribuuan me 107.5 milionë fuçi në një çlirim emergjent prej 400 milionë fuçish të koordinuar nga IEA, pasi lufta SHBA-Izrael kundër Iranit shkaktoi tronditje në tregjet globale.

    Kontributi evropian përbënte rreth një të katërtën e totalit.

    Nga këto 107.5 milionë fuçi, 32.7 milionë erdhën nga rezervat emergjente shtetërore, ndërsa pjesa tjetër nga rezervat e detyrueshme që mbahen nga industria.

    Amerikat kontribuuan me 195.8 milionë fuçi, ndërsa rajoni Azi-Paqësor me 108.6 milionë fuçi.

    “Mburoja” 90-ditore

    Sa naftë mban realisht Evropa në rezervë për raste emergjente?

    Sipas rregullave të BE-së, çdo shtet anëtar duhet të mbajë rezerva emergjente të barabarta me të paktën 90 ditë importe neto ose 61 ditë konsum të brendshëm.

    Por nuk ekziston ndonjë rezervuar gjigant evropian i naftës që kontrollohet nga Brukseli.

    Rezervat mbahen në nivel kombëtar: drejtpërdrejt nga qeveritë, përmes agjencive të specializuara kombëtare të rezervave ose si rezerva të detyrueshme të mbajtura nga kompanitë private të industrisë.

    Shpërndarja e tyre krijon gjithashtu disa qendra të rëndësishme.

    Nga rreth 39 milionë tonë metrikë rezerva emergjente të dizelit dhe gazolit në BE – ekuivalente me rreth 290 milionë fuçi – Franca dhe Gjermania së bashku mbajnë rreth 35%.

    Edhe vende më të vogla, si Belgjika dhe Malta, mbajnë një pjesë të rezervave të tyre emergjente në Francë dhe Gjermani.

    Kjo ngre një tjetër pyetje: nëse nafta ruhet në një shtet, por i përket një shteti tjetër, kush vendos kur duhet të hapen rezervuarët?

    Në fund, vendimet kryesore mbeten në duart e qeverive kombëtare.

    Brukseli mund të përcaktojë rregullat, të monitorojë rezervat dhe të koordinojë qeveritë, por Komisioni Evropian nuk mund të urdhërojë thjesht nxjerrjen në treg të miliona fuçive naftë.

    Rezervat mbeten nën kontrollin kombëtar. Kjo do të thotë se qeveritë vendosin kur do të përdoren rezervat dhe në çfarë forme do të bëhet kontributi i secilit shtet.

    Roli i IEA-së

    Për një ndërhyrje të madhe ndërkombëtare, megjithatë, hyn në lojë një tjetër aktor: Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

    Një shtet i vetëm që nxjerr naftë nga rezervat e tij mund të ketë ndikim të kufizuar në një krizë globale furnizimi.

    Pikërisht këtu hyn IEA.

    Agjencia me seli në Paris koordinon çlirimin e rezervave emergjente mes vendeve anëtare, duke u mundësuar qeverive të nxjerrin sasi të mëdha nafte në treg në të njëjtën periudhë.

    “Është IEA ajo që menaxhon aspektin e ndikimit në çmime, ndërsa shtetet anëtare që marrin pjesë në një çlirim të mundshëm përcaktojnë nivelin e transparencës lidhur me produktet konkrete që do të nxirren në treg”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.

    Nëse një krizë furnizimi është mjaftueshëm serioze, bordi drejtues i IEA-së mund të miratojë një veprim kolektiv të koordinuar.

    Në këtë rast, 32 shtetet anëtare të agjencisë kontribuojnë në reagimin emergjent.

    Ky mekanizëm është aktivizuar tashmë dy herë që nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, duke i vendosur rezervat emergjente të naftës – zakonisht një pjesë pak e dukshme e politikës energjetike – në qendër të përpjekjeve të qeverive për të kufizuar pasojat e konfliktit.

    Tani pyetja kryesore është se si do ta realizojë Evropa pjesën e saj të kontributit.

    Një takim mes Komisionit Evropian, qeverive të BE-së dhe përfaqësuesve të industrisë së naftës, i cili fillimisht ishte planifikuar për 15 tetor, pritet të zhvillohet “me shumë gjasë në fillim të javës së ardhshme”, tha një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti.

    Qëllimi i takimit është të vlerësohet se si vendet e BE-së planifikojnë të përmbushin angazhimet e tyre ndaj IEA-së për nxjerrjen e rezervave të dizelit brenda 20 ditëve të ardhshme, si dhe planet për katër muajt në vijim.

    Me pak fjalë

    Brukseli vendos rregullat, por nuk kontrollon rezervat.

    Rezervat e naftës janë nën kontrollin e shteteve anëtare. Qeveritë kombëtare vendosin kur dhe si t’i përdorin ato, ndërsa IEA koordinon çlirimet e mëdha ndërkombëtare për të frenuar pasojat e një krize globale të furnizimit dhe për të stabilizuar tregjet. /Telegrafi/

  • Ramadani kërkon hetim për veprimet e Policisë gjatë protestës

    Ramadani kërkon hetim për veprimet e Policisë gjatë protestës

    Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar nisjen e hetimeve për veprimet e Policisë së Kosovës gjatë protestës së zhvilluar në Prishtinë, ku qytetarët kërkuan miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Ramadani ka vlerësuar se sjellja e Policisë gjatë protestës ka qenë joproporcionale, ndërsa ka kërkuar që Inspektorati Policor i Kosovës të hetojë veprimet e zyrtarëve policorë.

    Ai ka publikuar edhe fotografi të llojit të gazit lotsjellës që, sipas tij, është përdorur nga Policia gjatë ndërhyrjes ndaj protestuesve.

    Ramadani ka kërkuar që të shqyrtohet Plani Operativ i Policisë, pajisjet e përdorura dhe niveli i forcës së aplikuar gjatë protestës.

    “Duhet ta shohin me detaje Planin Operativ, nëse ka qenë i përgatitur mirë, pajisjet dhe nivelin e forcës së përdorur”, ka shkruar Ramadani.

    Ai ka bërë të ditur se, në cilësinë e anëtarit të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, do të kërkojë raportim urgjent nga drejtori i Policisë për masat e ndërmarra gjatë protestës.

    Po ashtu, Ramadani ka thënë se do të kërkojë edhe raportim nga kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës për aktivizimin dhe hetimet lidhur me veprimet e policisë.

    “Nëse s’ka tash Parlament, pas zgjedhjeve gjithsesi askush të mos mendojë se i ikën përgjegjësisë! Nuk harrohen gabimet! Nuk mund të falen ato!”, ka deklaruar ai./Telegrafi.

  • U komentua për fustanin në dasmën e Kushtrimit dhe Aurorës, flet Benita Zena

    U komentua për fustanin në dasmën e Kushtrimit dhe Aurorës, flet Benita Zena

    Një mbrëmje e veçantë ka qenë ajo e djeshmja për Kushtrim Kelanin dhe Aurora Rrustën, dy ish-banorët e Big Brother VIP Kosova, të cilët i dhanë fund beqarisë duke kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë.

    Çifti mblodhi në një prej ditëve më të rëndësishme të tyre familjarë, miq dhe emra të njohur të ekranit, mes të cilëve edhe disa prej ish-banorëve të BBVK-së.

    Një prej personazheve që tërhoqi vëmendje ishte Benita Zena, e cila mbërriti në dasmë me një Rolls-Royce, duke u komentuar që në momentet e para të mbrëmjes.

    Foto: YouTube

    Në qendër të vëmendjes ishte edhe veshja e saj.

    E pyetur nga “Prive by Liberta Spahiu” nëse kishte zgjedhur ngjyrën e duhur për një dasmë, Benita sqaroi se fustani i saj ishte në nuancën “baby blue” (kaltër), duke thënë se nuk mendon se ka shkelur ndonjë rregull me paraqitjen.

    Por intervista mori një tjetër drejtim kur Benita u pyet për Klodin, me të cilin kishte pasur raport gjatë qëndrimit në Big Brother VIP Kosova.

    Ish-banorja zgjodhi të mos komentojë për të dhe me humor deklaroi se ka harruar shumicën e ish-banorëve të formatit. /Telegrafi/

    – YouTube www.youtube.com

  • Pse kortizoli në gjak matet në orën 9 të mëngjesit? Si të përgatiteni pa stres për këtë analizë

    Pse kortizoli në gjak matet në orën 9 të mëngjesit? Si të përgatiteni pa stres për këtë analizë

    Kortizoli është zakonisht më i lartë në orët e para të ditës, prandaj analiza e mëngjesit ndihmon në vlerësimin më të saktë të funksionit të gjëndrave mbiveshkore. Stresi, mungesa e gjumit dhe disa barna mund të ndikojnë në rezultat

    Analiza e kortizolit në gjak në orën 9 të mëngjesit përdoret më së shpeshti për të vlerësuar funksionin e gjëndrave mbiveshkore. Arsyeja është e thjeshtë: kortizoli nuk qëndron në të njëjtin nivel gjatë gjithë ditës, por ndjek një ritëm të qartë ditor. Zakonisht është më i lartë në orët e para të mëngjesit dhe më pas bie gradualisht gjatë ditës, duke arritur vlerat më të ulëta rreth mesnatës.

    Pikërisht për këtë arsye, mostrat për këtë hormon merren zakonisht mes orës 8 dhe 9 të mëngjesit. Në atë periudhë kortizoli është afër kulmit të tij natyror, ndaj rezultati jep një pamje më të dobishme për të kuptuar nëse organizmi po e prodhon këtë hormon siç duhet.

    Kortizoli nuk është vetëm “hormoni i stresit”

    Kortizoli shpesh njihet si “hormoni i stresit”, por roli i tij është shumë më i gjerë. Ai prodhohet nga gjëndrat mbiveshkore dhe ndihmon në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak, tensionit të gjakut, proceseve inflamatore dhe ciklit gjumë-zgjim. Pra, është hormon thelbësor për funksionimin normal të organizmit.

    Për shkak të këtij roli të rëndësishëm, matja e tij mund të ndihmojë në diagnostikimin e disa çrregullimeve serioze hormonale.

    Pse është e rëndësishme pikërisht ora 9?

    Ora 9 nuk është zgjedhur rastësisht. Në këtë kohë, kortizoli zakonisht ka arritur nivelin më të lartë ose është ende shumë pranë tij. Kjo e bën analizën më të vlefshme, sidomos kur mjeku dyshon për funksion të ulët të gjëndrave mbiveshkore.

    Nëse analiza bëhet më vonë gjatë ditës, interpretimi bëhet më i vështirë, sepse vlerat bien natyrshëm. Një rezultat që duket i ulët pasdite mund të jetë krejt normal për atë orar, ndërsa një vlerë e mëngjesit që duket “në kufi” mund të tregojë se prodhimi i kortizolit nuk është i mjaftueshëm, transmeton Telegrafi.

    Foto: Pexels

    Çfarë sëmundjesh mund të vlerësohen me këtë analizë?

    Mjekët kërkojnë matjen e kortizolit në mëngjes sidomos kur dyshojnë për sëmundje si sëmundja e Addisonit dhe sindroma e Cushingut.

    Sëmundja e Addisonit ndodh kur gjëndrat mbiveshkore nuk prodhojnë mjaftueshëm kortizol, e shpesh edhe aldosteron. Kjo është një gjendje e rrallë, por serioze. Shenjat mund të përfshijnë lodhje të theksuar, humbje peshe, tension të ulët, dobësi muskulore, marramendje, dëshirë të shtuar për ushqime të kripura dhe errësim të lëkurës.

    Në anën tjetër është sindroma e Cushingut, që lidhet me ekspozim të zgjatur ndaj niveleve të larta të kortizolit. Simptomat mund të përfshijnë shtim në peshë, sidomos në bark dhe fytyrë, strija vjollcë, mavijosje të lehta, rritje të sheqerit në gjak, tension të lartë dhe ndryshime të humorit.

    Megjithatë, një rezultat i vetëm i rritur ose i ulët nuk mjafton për diagnozë. Ai interpretohet gjithmonë së bashku me simptomat, historinë mjekësore dhe, kur duhet, me analiza të tjera shtesë.

    Çfarë mund të ndikojë në rezultat?

    Kortizoli është shumë i ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm. Përveç sëmundjeve, në nivelin e tij mund të ndikojnë:

    • stresi akut;
    • frika nga gjilpëra ose nga marrja e gjakut;
    • mungesa e gjumit;
    • infeksionet apo sëmundjet akute;
    • aktiviteti fizik i rëndë;
    • shtatzënia;
    • disa barna, sidomos kortikosteroidet dhe pilulat kontraceptive.

    Për këtë arsye, mjeku e vlerëson gjithmonë rezultatin në kontekst dhe jo si numër të izoluar.

    Si të përgatiteni për analizën?

    Përgatitja e duhur është shumë e rëndësishme që rezultati të jetë sa më i besueshëm. Shpesh rekomandohet agjërim për 8 deri në 12 orë para analizës, ndërsa uji zakonisht lejohet. Duhet të shmangni aktivitetin fizik intensiv një ditë më parë, sepse mund ta rrisë përkohësisht kortizolin.

    Po ashtu, përpiquni të flini mirë natën para analizës, sepse mungesa e gjumit mund të ndikojë në prodhimin e hormonit. Është shumë e rëndësishme t’i tregoni mjekut ose laboratorit për të gjitha barnat dhe suplementet që merrni. Disa prej tyre mund të ndikojnë në rezultat, por terapinë nuk duhet ta ndërprisni kurrë vetë pa udhëzimin e mjekut.

    Si ta ulni stresin ditën e analizës?

    Meqë stresi mund ta rrisë kortizolin, është mirë të shkoni pak më herët në laborator që të mos nxitoheni. Gjatë pritjes, provoni frymëmarrje të ngadaltë dhe të thellë. Nëse keni frikë nga gjaku ose ndiheni shumë të tensionuar, njoftojeni personelin shëndetësor. Ndonjëherë mjaftojnë disa minuta qetësim para marrjes së mostrës që rezultati të jetë më real.

    Në fund, duhet pasur parasysh se një analizë e vetme e kortizolit është vetëm një pjesë e vlerësimit. Ajo ka vlerë të madhe, por kuptimi i saj i plotë varet nga simptomat, historia mjekësore dhe gjykimi i mjekut. /Telegrafi/

  • Nga gazi lotsjellës te shtatë golat - një mbrëmje mes dy botëve në Prishtinë

    Nga gazi lotsjellës te shtatë golat – një mbrëmje mes dy botëve në Prishtinë

    Nuk ishte një rrugëtim i zakonshëm drejt një ndeshjeje futsalli.

    Nga zyra deri te Pallati i Rinisë në Prishtinë nuk janë më shumë se disa minuta në këmbë, ndoshta pak mbi 500 metra. Një distancë aq e shkurtër, por që sonte dukej sikur ndante dy botë krejtësisht të ndryshme.

    Për të arritur në sallë, rruga më çoi përmes sheshit të Prishtinës, aty ku vazhdonin protestat lidhur me ligjin që kishte kaluar në lexim të parë dhe që lidhet me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Tym gjithandej. Turma njerëzish. Gaz lotsjellës. Njerëz me lot në sy, duke u larguar nga sheshi. Një atmosferë e rënduar, ku për disa çaste edhe frymëmarrja bëhej e vështirë.

    Edhe pse destinacioni ishte vetëm disa minuta larg, rruga dukej më e gjatë.

    Pamje nga protesta Foto/ Ridvan Slivova

    Kur më në fund mbërrita te Pallati i Rinisë, pasojat e asaj që po ndodhte jashtë ishin ende aty. Sytë u skuqën, lotët dolën dhe fyti u irritua. Por mjaftuan disa hapa brenda sallës dhe gjithçka ndryshoi.

    Brenda tre minutash, isha në një botë tjetër.

    Mbi 300 tifozë të futsallit ishin aty. Zërat, duartrokitjet, atmosfera, topi që qarkullonte në parket dhe emocionet e lojës e krijonin ndjesinë sikur jashtë nuk po ndodhte asgjë.

    Sikur protestat, tymi dhe gazi lotsjellës të ishin në një qytet tjetër.

    Por nuk ishin.

    Ishin vetëm rreth 500 metra larg.

    Dy botë paralele, pothuajse ngjitur me njëra-tjetrën.

    Dhe në këtë botën e dytë, atë sportive, pritej një ndeshje shumë më e fortë sesa ajo që u pa në parket.

    FC Prishtina 01 dhe FC Drenica nuk janë vetëm dy skuadra që u përballën sonte në kampionat. Vitin e kaluar, ato luajtën finalen e madhe të play-off-it për titullin e kampionit. Drenica atëherë shkroi historinë, duke e fituar për herë të parë titullin kampion dhe duke e rrëzuar nga froni pikërisht Prishtinën 01.

    Kryeqytetasit kishin qenë kampionë tri herë radhazi.

    Drenica ua ndërpreu atë seri.

    Pamje nga ndeshja FC Prishtina 01 – FC DrenicaFoto/ Enis Islami

    Prandaj, në letër, kjo ndeshje kishte të gjitha elementet për të qenë një përballje e fortë. Kishte historinë e sezonit të kaluar, kishte rivalitetin dhe kishte edhe një skuadër kampione që kërkonte të tregonte se nuk e kishte harruar humbjen e atij froni.

    Por në parket, historia ishte krejt tjetër.

    Prishtina 01 e kontrolloi ndeshjen pothuajse në çdo aspekt.

    Kryeqytetasit ishin më të organizuar, më agresivë, më të qartë në aksionet sulmuese dhe mbi të gjitha shumë më efikasë para portës. Drenica nuk arriti të gjente ritmin e saj dhe, me kalimin e minutave, diferenca mes dy skuadrave vetëm sa u rrit.

    Pjesa e parë u mbyll 3-1.

    Për vendasit shënuan Jakup Ramadani dhe Ramadan Alaj, ndërsa Prishtina 01 hyri në pushim me një avantazh që premtonte një pjesë të dytë edhe më interesante.

    Por ajo që ndodhi pas pushimit nuk ishte një luftë për ta kthyer ndeshjen.

    Ishte dominim.

    Drilon Maxharraj ishte një nga protagonistët kryesorë të kësaj mbrëmjeje, duke shënuar tri gola. Fitim Kransiqi shtoi dy të tjerë, ndërsa Ramadan Alaj realizoi gjithashtu dy herë.

    Në fund, tabela tregonte atë që kishte ndodhur në parket:

    Prishtina 01 – Drenica 7-1.

    Festa e një nga golave të FC Prishtina 01Foto/ Enis Islami

    Një rezultat i thellë për një ndeshje që, duke u nisur nga historia e sezonit të kaluar, premtonte shumë më tepër ekuilibër.

    Por futbolli dhe futsalli kanë edhe këtë bukuri. Historia mund të krijojë pritshmëri, rivaliteti mund ta ndezë një ndeshje, por në fund gjithçka vendoset në parket.

    Dhe sonte, Prishtina 01 ishte dukshëm më e fortë.

    Në njërën anë të qytetit, disa qindra metra larg, njerëzit protestonin mes tymit dhe gazit lotsjellës.

    Në anën tjetër, mbi 300 njerëz festonin golat e ekipit të tyre.

    Njëra botë ishte e mbushur me tension, zhurmë dhe lot.

    Tjetra me gola, duartrokitje dhe emocione sportive.

    Dhe mes tyre, vetëm disa minuta ecje.

    Vetëm rreth 500 metra.

    Dy realitete krejtësisht të ndryshme që sonte, për pak çaste, ekzistonin paralelisht në të njëjtin qytet. /Telegrafi/

  • Kryetari i Guxo i bën thirrje LDK-së për bashkëpunim: Kanë mbetur vetëm 24 orë për zgjedhjen e presidentit

    Kryetari i Guxo i bën thirrje LDK-së për bashkëpunim: Kanë mbetur vetëm 24 orë për zgjedhjen e presidentit

    Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për reflektim dhe angazhim të përbashkët, me qëllim të tejkalimit të situatës aktuale politike.

    Peci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kanë mbetur vetëm 24 orë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

    “Duke parë ngjarjet aktuale dhe duke pasur parasysh se kemi vetëm edhe 24 orë për ta zgjedhur Presidentin/-en e Kosovës, si Kryetar i Partisë Guxo i bëj thirrje LDK-së për reflektim e angazhim të përbashkët me qëllim të tejkalimit të kësaj situate”, ka shkruar Peci.

    Sipas tij, zgjedhja e presidentit do të kontribuonte në kompletimin e institucioneve të larta të vendit dhe në krijimin e stabilitetit institucional.

    “Zgjedhja e Presidentit/-es jo vetëm do t’i kompletonte institucionet tona të larta, por edhe do të krijonte stabilitet në këto kohë sfiduese”, ka deklaruar ai.

    Peci ka thënë se stabiliteti institucional është i nevojshëm edhe për përballimin e sfidave që lidhen me proceset gjyqësore në Hagë.

    Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe kompromis politik, duke theksuar se tejkalimi i situatës aktuale është në interes të Kosovës.

    “Të punojmë së bashku, të japim maksimumin që të tejkalojmë ditët e vështira që po kalon Kosova. T’ua dëshmojmë të gjithëve, po edhe vetes sonë e njëri-tjetrit, se e duam Kosovën, vendin tonë të bekuar”, ka shkruar Peci.

    “Për Kosovën ia vlen kompromisi, ia vlen tejkalimi i vetvetes, ia vlen marrëveshja. Për Kosovën ia vlen gjithçka”, ka përfunduar ai./Telegrafi/

  • Si të ruani rezultatet e humbjes së peshës në planin afatgjatë

    Si të ruani rezultatet e humbjes së peshës në planin afatgjatë

    Pas humbjes së peshës, shumë njerëz përballen me sfidën e ruajtjes së peshës së humbur.

    Kthimi te zakonet e vjetra të të ngrënit dhe zvogëlimi i aktivitetit fizik mund të zhbëjë gradualisht përpjekjet e mëparshme, prandaj është e rëndësishme që zakonet e shëndetshme të jenë pjesë e jetës së përditshme.

    Në vend të regjimeve afatshkurtra dhe të rrepta, është më e dobishme të përvetësoni zakone që mund të mbahen për muaj dhe vite.

    Foto ilustruese

    Disa ndryshime të thjeshta mund t’ju ndihmojnë të mbani peshën që keni shtuar.

    Ndryshoni zakonet tuaja, jo vetëm menynë tuaj

    Dietat zakonisht janë të kufizuara në kohë, kështu që pasi mbarojnë, njerëzit shpesh kthehen në zakonet e tyre të mëparshme të të ngrënit.

    Prandaj, një qasje më e qëndrueshme është ndryshimi gradual i zakoneve të përditshme.

    Një hap i thjeshtë mund të jetë që perimet të jenë pjesë e çdo vakti, si dhe e çdo vakti që përmban ndonjë burim proteinash.

    Ndryshime të tilla mund të mos çojnë në humbje të menjëhershme në peshë, por ato mund të ndihmojnë në përmirësimin e të ushqyerit dhe t’i bëjnë zakonet e shëndetshme pjesë të jetës së përditshme.

    Jini fizikisht aktivë

    Ushtrimet e rregullta janë të rëndësishme edhe pasi të keni arritur peshën e dëshiruar.

    Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht stërvitje intensive ose orë të tëra të kaluara në palestër.

    Ecja, çiklizmi, stërvitja, puna në kopsht apo edhe pastrimi i shtëpisë janë gjithashtu forma të aktivitetit fizik.

    Është e rëndësishme të gjeni një mënyrë lëvizjeje që ju përshtatet dhe që mund ta praktikoni rregullisht.

    Rreth 250 minuta aktivitet me intensitet të moderuar në javë mund të ndihmojnë në ruajtjen e peshës trupore, që është rreth 50 minuta aktivitet pesë ditë në javë.

    Përfshi ushtrime force

    Përveç aktiviteteve të tilla si ecja ose vrapimi, është gjithashtu e dobishme të punohet në forcën e muskujve. Stërvitja e forcës ndihmon në ruajtjen dhe ndërtimin e masës muskulore, e cila zvogëlohet natyrshëm me moshën, por edhe gjatë periudhave më të gjata të deficitit kalorik.

    Stërvitja e forcës mund të bëhet në palestër, në shtëpi ose jashtë, dhe është e rëndësishme të mbulohen grupet kryesore të muskujve të paktën dy herë në javë.

    Kushtojini vëmendje zakoneve tuaja

    Është e vështirë të ndryshosh sjellje nëse nuk e di se çfarë e shkakton atë.

    Kjo është arsyeja pse monitorimi i dietës dhe aktivitetit fizik mund të të ndihmojë të kuptosh më mirë kur dhe pse konsumon ushqime të caktuara ose anashkalon një stërvitje.

    Mund të shkruani çfarë keni ngrënë, sa keni ngrënë, ku keni qenë, si jeni ndjerë para dhe pas vaktit, sa ka zgjatur vakti dhe çfarë keni bërë ndërsa keni ngrënë.

    Është gjithashtu e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje ndjenjës suaj të ngopjes. Në këtë mënyrë, mund t’i dalloni më lehtë situatat në të cilat po hani nga zakoni, mërzitja ose arsye emocionale, në vend që të keni vërtet uri.

    Mbajtja e një ditari si ky nuk duhet të jetë një punë e përditshme. Mund të jetë gjithashtu e dobishme në kohë kur vini re se po e keni më të vështirë të ruani zakone të shëndetshme.

    Kujtoji vetes pse ke filluar

    Ruajtja e peshës së dëshiruar është më e lehtë kur keni një arsye të qartë pse vendosët të ndryshoni zakonet tuaja të jetesës.

    Për disa, mund të jetë dëshira për të pasur më shumë energji dhe për të qenë në gjendje të kalojnë më shumë kohë aktive me fëmijët e tyre, ndërsa për të tjerët, motivi mund të jetë shqetësimi shëndetësor ose një ndjenjë kënaqësie më të madhe me trupin e tyre.

    Pasi ta kesh përcaktuar arsyen, shkruaje dhe lëre diku ku do ta shohësh shpesh. Ky kujtesë mund të jetë e dobishme kur të mungon motivimi.

    Mirëmbajtja e peshës është një proces afatgjatë

    Nuk ka një zgjidhje të vetme që do të sigurojë që kilogramët e humbur të bëhen diçka e së kaluarës.

    Ruajtja e peshës së dëshiruar në përgjithësi kërkon një kombinim të një diete të ekuilibruar, ushtrimeve të rregullta, zakoneve cilësore dhe gatishmërisë për të mos i kthyer rëniet e herëpashershme në dorëzim.

    Qëllimi nuk duhet të jetë t’i përmbahesh rregullave të rrepta për një periudhë të shkurtër kohore, por të krijosh një stil jetese që mund ta mbash shumë kohë pasi të mbarojë dieta. /Telegrafi/

  • Rasti i dyshuar i murtajës në Rusi, SHBA: Po e ndjekim nga afër

    Rasti i dyshuar i murtajës në Rusi, SHBA: Po e ndjekim nga afër

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se SHBA-ja po e monitoron nga afër rastin e një studiueseje në Rusi, e cila vdiq pasi dyshohet se mund të ishte ekspozuar ndaj murtajës pneumonike.

    28-vjeçarja punonte në Institutin Kërkimor Kundër Murtajës në Irkutsk dhe ndërroi jetë nga një pneumoni me origjinë të panjohur.

    Autoritetet ruse kanë thënë se deri tani nuk ka prova se sëmundja lidhej me patogjenët me të cilët ajo punonte.

    Rreth 200 persona që kishin pasur kontakt me studiuesen po monitorohen, ndërsa një institucion ku ajo ishte trajtuar është vendosur në karantinë.

    Rubio tha se situata nuk përbën aktualisht arsye për alarm, por kërkon vëmendje dhe monitorim të vazhdueshëm.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, murtaja pneumonike është forma më e rëndë e sëmundjes dhe mund të transmetohet nga personi në person përmes grimcave të frymëmarrjes.

    Megjithatë, trajtimi i hershëm me antibiotikë mund të jetë efektiv.

    Ekspertët thonë se, nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar, rreziku i përhapjes më të gjerë mbetet i kufizuar. /Telegrafi/