Author: Momenti

  • Rexhepi reagon pas incidentit para Kuvendit: “Kërkimi i faljes nuk e mbyll rastin”

    Rexhepi reagon pas incidentit para Kuvendit: “Kërkimi i faljes nuk e mbyll rastin”

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot para Kuvendit të Kosovës, ku, sipas tij, u përball me një akt të papranueshëm nga disa protestues.

    Rexhepi ka thënë se ngjarja e ka prekur edhe për shkak të historisë së familjes së tij dhe kontributit të saj në luftën e UÇK-së dhe në rrugën drejt lirisë së Kosovës.

    “Ajo që ndodhi sot më dhemb. Jo vetëm për atë që më ndodhi mua, por sepse akte të tilla nuk i bëjnë nder as Kosovës, as sakrificës së popullit tonë dhe as vlerave për të cilat luftuam”, ka shkruar Rexhepi.

    Ai ka thënë se veprime të tilla, sipas tij, nuk i bëjnë nder as personave që ndodhen në Hagë dhe po përballen me proces gjyqësor.

    Rexhepi ka bërë të ditur se disa persona të identifikuar kanë kërkuar takim me të për t’i kërkuar falje, por ka theksuar se kjo nuk e mbyll rastin.

    “Kërkimi i faljes është zgjedhje personale e secilit, por kjo nuk e mbyll rastin”, ka shkruar ai.

    Deputeti ka pretenduar gjithashtu se tashmë dihet edhe personi që, sipas tij, ka urdhëruar sulmin.

    Rexhepi ka bërë të ditur se rastin do ta procedojë më tej në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë. /Telegrafi/

  • Franca përmbys frikshëm Belgjikën dhe merr kreun

    Franca përmbys frikshëm Belgjikën dhe merr kreun

    Franca ka shënuar një fitore të madhe ndaj Belgjikës, duke e mposhtur me rezultat 4-1 në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Kombeve. Me këtë triumf, “Gjelat” shkojnë në kuotën e 10 pikëve dhe marrin kreun e grupit.

    Belgjika e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 35-të. Dodi Lukebakio pranoi një top të bukur nga Romeo Lavia dhe, nga skaji i zonës, realizoi me një goditje të fuqishme në këndin e sipërm për 1-0.

    Franca kërkoi reagimin në pjesën e dytë dhe e gjeti shumë shpejt. Në minutën e 77-të, Desire Doue barazoi rezultatin me një goditje të saktë nga jashtë zonës, pas asistimit të Lucas Da Cunhas.

    Vetëm katër minuta më vonë, Franca përmbysi gjithçka. Rayan Cherki realizoi për 2-1 në minutën e 81-të, pas një aksioni të bukur të Michael Olises, i cili pati rol vendimtar në ndërtimin e golit.

    Olise më pas mori vetë skenën. Në minutën e 88-të, sulmuesi francez pranoi pasimin e Doue brenda zonës, u lirua bukur nga kundërshtari dhe me një goditje të pakapshme shënoi për 3-1.

    Drama nuk kishte përfunduar. Në minutën e parë të kohës shtesë, Olise shënoi edhe golin e dytë personal, pas një asistimi fantastik të Desire Doue, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm dhe vulosur fitoren e Francës me rezultat 4-1.

    Me këtë fitore, Franca arrin në 10 pikë pas katër ndeshjeve dhe vendoset në krye të grupit, ndërsa Belgjika mbetet prapa në renditje pas humbjes së thellë në këtë përballje. /Telegrafi/

    Standings provided by Sofascore
  • Sharon Stone zbulon pse ka zgjedhur celibatin: “Nuk dua më vetëm marrëdhënie intime”

    Sharon Stone zbulon pse ka zgjedhur celibatin: “Nuk dua më vetëm marrëdhënie intime”

    Aktorja thotë se në këtë fazë të jetës kërkon një partner të vërtetë dhe jo lidhje kalimtare, ndërsa pranon se nuk mendon se e ka përjetuar “dashurinë e madhe” të jetës së saj

    Një nga yjet më të njohura të Hollywoodit dhe e nominuara për Oscar, Sharon Stone, ka folur hapur për jetën e saj sentimentale në moshën 68-vjeçare. Gjatë një paraqitjeje në podcastin “Breakdown”, të drejtuar nga aktorja dhe ylli i serialit “The Big Bang Theory”, Mayim Bialik, aktorja e famshme zbuloi se prej një kohe të gjatë nuk ka partner dhe tregoi edhe arsyet pse ka vendosur të jetojë në celibat.

    Sharon Stone dhe kolegia e saj prekën gjatë bisedës një sërë temash, nga përvojat e pazakonta dhe karriera e saj si aktore, deri te situata aktuale në jetën e dashurisë. Kur drejtuesja e pyeti se si është ajo kur dashuron dhe si sillet në një lidhje, Stone u përgjigj pa hezitim:

    – Unë jam vërtet një vajzë e mirë, por prej kohësh nuk kam qenë në një lidhje. Kam qenë vajzë e mirë me djem të këqij, por kam qenë vajzë e mirë edhe me djem të mirë, tha Sharon Stone, transmeton Telegrafi.

    Nga aventurat pa obligime te kërkimi për një partner të vërtetë

    Pas viteve me ulje-ngritje në jetën sentimentale, aktorja legjendare pranon se aktualisht po kalon një periudhë pa ndonjë sukses në dashuri.

    – Kam pasur fat, nuk kam pasur fat dhe ndonjëherë nuk kam pasur fare fat. Prej një kohe mjaft të gjatë nuk kam aspak fat. Tashmë prej një kohe jetoj në celibat, sepse kam arritur në një pikë ku vërtet dua të jem vetëm me dikë për të cilin më intereson – shpjegoi hapur Sharon.

    Ajo theksoi se tre djemtë e saj tashmë janë të rritur. Më i madhi, Roan, është 26 vjeç, Laird 21, ndërsa më i vogli, Quinn, 20 vjeç. Në këtë fazë të jetës, marrëdhëniet pa obligime nuk e tërheqin më dhe ajo dëshiron “dikë që do të jetë partneri i saj i jetës, jo vetëm dikë me të cilin do të ketë marrëdhënie intime”.

    – Kjo më është bërë paksa e mërzitshme. Aktualisht jam në një fazë ku nuk kam aspak fat – tregoi diva e Hollywoodit.

    Megjithatë, ajo nuk e sheh celibatin si humbje, por e përshkruan si “një fazë nëpër të cilën duhet të jesh gati të kalosh për të marrë atë që dëshiron vërtet”.

    Dy martesa dhe pyetja për “dashurinë e madhe”

    Sharon Stone ka pas vetes dy martesa. Ajo ishte e martuar me producentin Michael Greenburg nga viti 1984 deri më 1990, ndërsa me gazetarin Phil Bronstein ishte e martuar nga viti 1998 deri më 2004.

    Së bashku me Bronstein, në vitin 2000, ajo adoptoi djalin Roan, ndërsa pas divorcit adoptoi vetë edhe dy djem të tjerë – Laird në vitin 2005 dhe Quinn në vitin 2006.

    Kur drejtuesja e podcastit e pyeti nëse kishte pasur ndonjëherë dashurinë e madhe të jetës së saj, aktorja dha një përgjigje të sinqertë dhe të përmbajtur:

    – Kam pasur dashuri në jetën time, por nuk mendoj se kam pasur dashurinë e madhe të jetës sime. /Telegrafi/

  • Italia vazhdon ngjitjen në Ligën e Kombeve, Turqia fundoset pas katër ndeshjesh

    Italia vazhdon ngjitjen në Ligën e Kombeve, Turqia fundoset pas katër ndeshjesh

    Italia ka vazhduar formën e mirë në Ligën e Kombeve, duke mposhtur Turqinë me rezultat 3-1, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës A. Me këtë fitore, italianët shkojnë në kuotën e shtatë pikëve, ndërsa Turqia mbetet pa pikë pas katër ndeshjeve.

    Italia e nisi takimin më mirë dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 26-të. Gianluca Scamacca përfitoi nga një top pranë portës dhe goditja e tij përfundoi në rrjetë, pasi topi u përplas fillimisht në traversë. Avantazhi 1-0 i italianëve qëndroi deri në pushim.

    Turqia reagoi pas kthimit nga dhomat e zhveshjes dhe në minutën e 61-të arriti të barazojë rezultatin. Aral Simsir e shfrytëzoi asistimin e Eren Elmalit dhe nga afërsia dërgoi topin në rrjetë për 1-1.

    Megjithatë, Italia reagoi menjëherë. Vetëm tri minuta pas barazimit, në minutën e 64-t, Riccardo Calafiori realizoi për 2-1. Mbrojtësi italian u shkëput bukur nga mbulimi dhe, pas krosimit të Nicolò Barellas nga goditja e lirë, goditi saktë me kokë duke rikthyer epërsinë e vendasve.

    Italia kontrolloi minutat e mbetura, ndërsa Turqia kërkoi edhe një herë golin e barazimit. Në fund, italianët e vulosën fitoren në minutën e 87-të, kur Francesco Pio Esposito realizoi me një përfundim të bukur për 3-1.

    Kjo fitore e ngjit Italinë në shtatë pikë pas katër ndeshjeve, pasi e kishte nisur fushatën me humbje. Azzurrët tashmë kanë marrë një tjetër rezultat pozitiv dhe vazhdojnë luftën për objektivat e tyre në grupin e Ligës A.

    Në anën tjetër, situata është shumë më e vështirë për Turqinë. Skuadra e Vincenzo Montellës mbetet me zero pikë pas katër ndeshjeve, duke e komplikuar ndjeshëm situatën e saj në Ligën e Kombeve. /Telegrafi/

    Standings provided by Sofascore
  • Molliqaj: Ndjekja dhe dhuna ndaj nipit të Thaçit ishin të planifikuara

    Molliqaj: Ndjekja dhe dhuna ndaj nipit të Thaçit ishin të planifikuara

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar lidhur me arrestimin e nipit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

    Në një deklaratë për media, Molliqaj ka pretenduar se ndaj tij është ushtruar dhunë joproporcionale dhe se arrestimi ka qenë i paraprirë nga ndjekje e organizuar.

    “Na kanë ndjekur në mënyrë të organizuar, me plan, dhe kanë ushtruar dhunë joproporcionale ndaj tij, atje diku në sheshin ‘Zahir Pajaziti’”, ka deklaruar Molliqaj.

    Ai ka kritikuar veprimet e institucioneve, duke i cilësuar ato si më armiqësore se në të kaluarën.

    “Këto veprime janë më armiqësore se kurrë më parë”, ka thënë Molliqaj.

  • Sali: Mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë në rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut

    Sali: Mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë në rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut

    Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada Gjermane në Shkup me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman.

    Sali theksoi rëndësinë e bashkimit, solidaritetit dhe vizionit për një të ardhme të përbashkët, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe procesit të integrimit evropian.

    “Ky përvjetor na kujton fuqinë e bashkimit, solidaritetit dhe vizionit për një të ardhme të përbashkët”, shkroi Sali.
    Ai uroi Ditën e Bashkimit Gjerman dhe vlerësoi miqësinë mes dy vendeve.

  • Kushtrimi dhe Aurora pas dasmës: Faleminderit secilit që ishit pjesë e kësaj nate magjike dhe urimeve pafund

    Kushtrimi dhe Aurora pas dasmës: Faleminderit secilit që ishit pjesë e kësaj nate magjike dhe urimeve pafund

    Pas dasmës së tyre, Kushtrim Kelani dhe Aurora Rrusta, kanë ndarë me ndjekësit një klip me disa momente të bukura nga rrugëtimi i tyre së bashku.

    Krahas videos, çifti ka zgjedhur të shprehë mirënjohjen për të gjithë ata që ishin pjesë e natës së veçantë.

    “Faleminderit secilit që ishit pjesë e kësaj nate magjike dhe urimeve pafund”, thuhet në postim.

    Foto: Instagram

    Ata kanë theksuar se kjo mbrëmje do të mbetet gjithmonë në zemrat e tyre, bashkë me njerëzit që e bënë edhe më të veçantë momentin më të çmuar të jetës së tyre.

    “Zemrat tona do ta ruajë gjithmonë këtë mbrëmje dhe njerëzit që e bënë edhe më të bukur, momentin më të çmuar të jetës sonë”, thuhet në postimin e çiftit.

    Foto: Instagram

    Mesazhin e tyre e kanë përmbyllur shkurt, por me shumë emocion: “Dashni”.

    Dasma e tyre u karakterizua me atmosferë të zjarrtë, me shumë figura publike që ishin pjesë e ahengut e banorë nga Big Brother. /Telegrafi/

  • Në Zvicër, po hahet më shumë se kurrë më parë mishi i pulës

    Në Zvicër, po hahet më shumë se kurrë më parë mishi i pulës

    Konsumi i mishit të pulës në Zvicër është rritur me 83 për qind gjatë 25 viteve të fundit, duke arritur në 16.5 kilogramë për person në vit.

    Por prodhimi vendas po e ka gjithnjë e më të vështirë të përballojë kërkesën në rritje, ndërsa organizatat për mbrojtjen e kafshëve ngrenë shqetësime për kushtet e rritjes së pulave.

    Sipas shoqatës së industrisë së mishit Proviande, pula është bërë lloji i dytë më i konsumuar i mishit në Zvicër, pas mishit të derrit.

    Gjatë 25 viteve të fundit, konsumi i mishit të pulës është rritur vazhdimisht, ndërsa konsumi i llojeve të tjera të mishit ka mbetur i pandryshuar ose ka shënuar rënie, raporton SRF.

    Rrjetet sociale dhe çmimi i ulët nxisin konsumin

    Rritja e konsumit shpjegohet me disa faktorë. Një prej tyre është ndikimi i rrjeteve sociale, ku sportistë dhe figura publike promovojnë konsumin e mishit të pulës. Në Zvicrën perëndimore, veçanërisht të njohura janë edhe restorantet e ushqimit të shpejtë që ofrojnë produkte me bazë pule.

    Çmimi relativisht i ulët dhe fakti se mishi i pulës është i pranueshëm për konsumatorë nga komunitete të ndryshme fetare kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e kërkesës.

    Prodhimi zviceran nuk po e përballon kërkesën

    Oferta vendase nuk po rritet me të njëjtin ritëm. Sipas Unionit Zviceran të Fermerëve, prodhimi vendas mbulon vetëm 62 për qind të konsumit të mishit të pulës.

    Në krahasim, Zvicra ka një nivel shumë më të lartë vetëfurnizimi për llojet e tjera të mishit: rreth 97 për qind për mishin e viçit dhe 95 për qind për mishin e derrit.

    Vitin e kaluar, Zvicra importoi rreth 50,130 tonë mish pule, ndërsa rreth një e treta e importeve vinte nga Brazili, transmeton Telegrafi.

    Në fillim të shtatorit, Zvicra pezulloi si masë paraprake importet e mishit të pulës nga Brazili, për shkak të shqetësimeve lidhur me përdorimin e antibiotikëve.

    Kompanitë e mëdha të shitjes me pakicë, Migros dhe Coop, deklaruan se mungesën mund ta kompensojnë me importe nga vendet evropiane. Megjithatë, kjo situatë mund të sjellë rritje të çmimeve në javët e ardhshme.

    90 për qind e pulave janë të racës me rritje të shpejtë

    Rreth 90 për qind e mishit të pulës që konsumohet në Zvicër vjen nga pula të racës Ross 308, e cila karakterizohet nga rritja shumë e shpejtë.

    Organizatat për mbrojtjen e kafshëve e kritikojnë përdorimin e kësaj race, duke argumentuar se rritja e shpejtë mund të shkaktojë probleme për mirëqenien e kafshëve.

    Në Evropë, iniciativa European Chicken Commitment (ECC), një standard për mirëqenien e pulave, nuk lejon përdorimin e racave me rritje shumë të shpejtë.

    Rreth 400 kompani kanë nënshkruar këtë angazhim, mes tyre KFC, Burger King, Lidl France, Aldi France dhe LDC Group, prodhuesi më i madh i mishit të pulës në Evropë.

    Asnjë prej rrjeteve të mëdha zvicerane të shitjes me pakicë nuk e ka nënshkruar këtë marrëveshje, transmeton Telegrafi.

    Megjithatë, mirëqenia e pulave nuk varet vetëm nga raca, por edhe nga kushtet e rritjes dhe mbajtjes. Në këtë aspekt, standardet zvicerane konsiderohen ndër më të rreptat në botë.

    Migros ndryshon strategjinë

    Në shtator, Migros ndryshoi të gjithë linjën e markës së saj Optigal, e cila përbën rreth 40 deri në 50 për qind të shitjeve të mishit të pulës të kompanisë. Pulat e kësaj linje tashmë janë të një race me rritje më të ngadaltë.

    Këto pula rriten mesatarisht 42 ditë, krahasuar me rreth 35 ditë për racën Ross 308.

    Ndryshimi erdhi një vit pasi organizata zvicerane për mbrojtjen e kafshëve Observatoire du spécisme publikoi fotografi nga një fermë në kantonin Vaud, në pronësi të kompanisë Micarna, filial i Migros.

    Fotografitë tregonin pula që çalonin dhe shfaqnin probleme të dukshme të lidhura me peshën dhe lëkurën.

    Raca më të ngadalta, por edhe më shumë importe?

    Kalimi në racat me rritje më të ngadaltë mund të nënkuptojë ulje të prodhimit vendas dhe rritje të importeve.

    Migros ka deklaruar se synon të stabilizojë, madje edhe të rrisë, prodhimin e mishit të pulës në Zvicër. Për këtë qëllim, kompania ka bërë thirrje për 50 ferma të reja që janë të gatshme të merren me rritjen e pulave.

    Megjithatë, për shkak të rregullave aktuale të planifikimit hapësinor dhe përdorimit të tokës në Zvicër, krijimi i fermave të reja pritet të jetë një sfidë.

    Ndërsa konsumi i mishit të pulës vazhdon të rritet, Zvicra përballet kështu me një dilemë: si të përmbushë kërkesën e konsumatorëve, duke ruajtur njëkohësisht prodhimin vendas dhe standardet e larta për mirëqenien e kafshëve./Telegrafi/

    0 0

  • AI po ndryshon BMW-në, mijëra vende pune mund të preken

    AI po ndryshon BMW-në, mijëra vende pune mund të preken

    BMW ka njoftuar një plan të ri ristrukturimi që e vendos Al në qendër të strategjisë së kompanisë, duke paralajmëruar ndryshime të mëdha në menaxhim dhe në gamën e automjeteve.

    Kompania synon të përdorë më gjerësisht AI-në në zhvillimin e makinave, blerje, prodhim dhe shërbime pas shitjes.

    Si pjesë e planit, BMW do të shkurtojë me 20% pozicionet drejtuese dhe nivelet e menaxhimit deri në mesin e vitit 2027.

    Financieri i BMW-së, Walter Mertl, e ka cilësuar AI-në autonome si një “ndryshim rrënjësor”, që mund të përshpejtojë proceset dhe të reduktojë strukturat e kompanisë.

    Ndryshimet do të prekin edhe modelet e automjeteve.

    BMW ka bërë të ditur se Seria 2 Active Tourer nuk do të ketë pasardhës, ndërsa kompania planifikon të përqendrojë më shumë burime te automjetet elektrike.

    Një prej modeleve të reja do të jetë një makinë elektrike kompakte dhe më e përballueshme për tregun evropian, e planifikuar për vitin 2028 si pjesë e linjës Neue Klasse.

    BMW po zhvillon gjithashtu një program vullnetar largimesh nga puna në Gjermani, i cili sipas Reuters mund të prekë rreth 8,000 vende pune.

    Kompania synon që kombinimi i AI-së, një strukture më të vogël menaxheriale dhe një game më të fokusuar modelesh të rrisë efikasitetin dhe përfitueshmërinë. /Telegrafi/

  • Vetëm 5 minuta masazh në ditë mund t’i bëjnë mirë flokëve – por rëndësi ka si e bëni

    Vetëm 5 minuta masazh në ditë mund t’i bëjnë mirë flokëve – por rëndësi ka si e bëni

    Lëvizjet e ngadalta rrethore dhe presioni i moderuar mund të ndihmojnë kujdesin për skalpin, ndërsa fërkimi i fortë, thonjtë dhe tërheqja e flokëve mund të shkaktojnë irritim

    Nëse vini re se flokët po ju hollohen ose thjesht dëshironi t’u kushtoni më shumë kujdes, nuk është e nevojshme të blini menjëherë një serum tjetër, vaj apo trajtim të shtrenjtë. Një nga zakonet më të thjeshta mund të jetë masazhi i skalpit, për të cilin mjaftojnë vetëm disa minuta në ditë.

    Megjithatë, ka dallim mes masazhimit të butë të lëkurës së kokës dhe fërkimit energjik të flokëve. Teknika e duhur përfshin lëvizje të ngadalta rrethore dhe presion të moderuar, pa përdorur thonjtë dhe pa tërhequr flokët.

    Si ta masazhoni siç duhet skalpin

    Vendosni të dhjetë gishtat në kokë në mënyrë që të përfshini sa më shumë sipërfaqe të skalpit. Gishtat e mëdhenj vendosini mbi veshë, ndërsa të tjerët shpërndajini drejt pjesës së sipërme të kokës.

    Mos i rrëshqitni vetëm gishtat mbi flokë. Përpiquni të lëvizni butësisht vetë lëkurën e kokës nën gishta. Bëni lëvizje të ngadalta rrethore, me presion të mjaftueshëm sa të ndieni lëvizjen e lëkurës, por jo aq sa të shkaktojë dhimbje ose parehati.

    Filloni nga tëmthat dhe vija e përparme e flokëve, vazhdoni drejt majës së kokës dhe në fund kaloni te pjesa e pasme e kokës.

    Pesë minuta në ditë janë të mjaftueshme

    Për masazhin bazë të skalpit nuk është e nevojshme të ndani shumë kohë. Rreth pesë minuta në ditë mund të jenë të mjaftueshme që kjo të bëhet pjesë e rutinës suaj.

    Rregullsia është më e rëndësishme sesa masazhimi i gjatë dhe intensiv vetëm herë pas here. Rritja e flokëve është proces i ngadalshëm, prandaj nuk duhet pritur ndryshim i dukshëm brenda pak ditësh.

    Masazhi duhet të jetë i butë dhe i këndshëm, jo një trajtim që e irriton lëkurën e kokës.

    Mund ta bëni edhe gjatë larjes së flokëve

    Masazhin mund ta kombinoni edhe me larjen e flokëve. Vendosni shampon në skalp dhe masazhojeni për disa minuta me lëvizje të buta rrethore.

    Shkuma e zvogëlon fërkimin, kështu që gishtat lëvizin më lehtë pa tërhequr flokët. Nëse përdorni masazhues për skalpin, zgjidhni një model me maja të buta silikoni dhe përdoreni pa presion të fortë.

    Thonjtë dhe fërkimi i fortë nuk janë ide e mirë

    Një nga gabimet më të zakonshme është përdorimi i thonjve. Qëllimi nuk është ta gërvishtni skalpin, por ta lëvizni butësisht lëkurën e kokës.

    Nëse pas masazhit ndieni djegie, dhimbje ose irritim të theksuar, presioni ka qenë tepër i fortë.

    Nuk është e nevojshme as përdorimi i përditshëm i vajrave. Nëse përdorni vaj esencial rozmarine, ai nuk duhet aplikuar drejtpërdrejt në lëkurë, por duhet holluar në një vaj bazë, si jojoba ose argani.

    A ndihmon vërtet në rritjen e flokëve?

    Disa studime sugjerojnë se masazhi i rregullt i skalpit mund të ndikojë pozitivisht në trashësinë e fijes së flokut dhe në kushtet ku funksionojnë folikulat. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se është provuar se masazhi e përshpejton ndjeshëm rritjen e flokëve.

    Në një studim të vogël nga Japonia, meshkujt që praktikuan masazh të standardizuar për 24 javë kishin fije flokësh më të trasha, ndërsa numri i përgjithshëm i flokëve nuk ndryshoi në mënyrë domethënëse.

    Prandaj, masazhi duhet parë si pjesë e kujdesit për flokët, jo si zëvendësim për trajtimin e rënies së tyre.

    Kur masazhi nuk mjafton

    Nëse vini re hollim të theksuar ose rënie të shtuar të flokëve, duhet kërkuar shkaku. Faktorë të mundshëm janë mungesa e hekurit dhe ferritinës, çrregullimet e gjëndrës tiroide ose mungesa e vitaminës D.

    Në këto raste, është mirë të konsultoheni me mjekun. Masazhi mund të vazhdojë si pjesë e rutinës, por nuk duhet ta vonojë kërkimin e shkakut të vërtetë.

    Në fund, rutina është e thjeshtë: pesë minuta në ditë, lëvizje të ngadalta rrethore dhe presion i moderuar. Pa thonj, pa fërkim agresiv dhe pa pritshmëri për rezultate brenda natës. /Telegrafi/