Author: Momenti

  • Alvarez rikthehet te goli me Argjentinën, ndërsa vlera e tij bie për 10 milionë euro

    Alvarez rikthehet te goli me Argjentinën, ndërsa vlera e tij bie për 10 milionë euro

    Julian Alvarez ka gjetur golin e parë të sezonit me fanellën e Argjentinës, duke shënuar në fitoren 7-0 ndaj Burkina Fasos më 3 tetor.

    Ky gol i jep sulmuesit të Atletico Madridit një shtysë të rëndësishme pas një fillimi të vështirë të sezonit në nivel klubesh.

    Sulmuesi 26-vjeçar ka pasur pak hapësirë në formacionin e Diego Simeones në javët e para të sezonit.

    Në tri ndeshjet e para të La Ligës, Alvarez grumbulloi vetëm 83 minuta, duke u aktivizuar gjithmonë nga stoli, përpara se një mbingarkesë muskulore ta linte jashtë sfidave ndaj Real Sociedadit dhe Osasunës.

    Ai u rikthye në derbin ndaj Real Madridit, por sërish e nisi ndeshjen nga pankina dhe u aktivizua për rreth 30 minutat e fundit. Atletico triumfoi 2-1, por argjentinasi nuk arriti të regjistronte gol apo asistim.

    Situata e tij në Madrid vjen pas një vere të trazuar, gjatë së cilës Barcelona tentoi ta transferonte.

    Klubi katalanas paraqiti një ofertë prej 100 milionë eurosh dhe synoi ta mbyllte marrëveshjen gjatë muajit korrik, por Atletico Madrid refuzoi të negocionte largimin e sulmuesit.

    Madje, presidenti i klubit, Miguel Angel Gil Marin, kishte deklaruar se Atletico nuk do të pranonte oferta prej 100, 150 apo as 200 milionë eurosh për Alvarez.

    Argjentinasi ka kontratë me klubin madrilen deri në qershor të vitit 2030, ndërsa klauzola e lirimit të tij është 500 milionë euro.

    Gjatë verës, Alvarez kishte shprehur dëshirën për të kaluar te Barcelona, por transferimi nuk u realizua dhe ai u rikthye në projektin e Simeones. Ndërkohë, edhe vlera e tij në treg ka pësuar rënie, nga 120 në 110 milionë euro, sipas përditësimit të fundit të Transfermarkt.

    Kjo është një tjetër shenjë e një fillimi sezoni nën pritshmëri për sulmuesin, i cili në shtatë javët e para të sezonit të kaluar kishte shënuar gjashtë gola në La Liga.

    Goli ndaj Burkina Fasos mund të shërbejë si pikënisje për një rikthim të Alvarez në formën e tij më të mirë.

    Tashmë, objektivi i tij është ta bartë këtë moment pozitiv edhe te Atletico Madrid dhe të fitojë më shumë minuta në formacionin e Simeones. /Telegrafi/

  • Gjini: Kurti e ka dashur Gjykatën Speciale dhe qëllimisht e ka çuar vendin drejt zgjedhjeve

    Gjini: Kurti e ka dashur Gjykatën Speciale dhe qëllimisht e ka çuar vendin drejt zgjedhjeve

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se ka ndjekur një strategji të qëllimshme për ta mbajtur vendin në krizë politike dhe për ta çuar atë drejt zgjedhjeve.

    Gjini ka deklaruar se Kurti është ndër politikanët shqiptarë që, sipas tij, e ka mbështetur më së shumti Gjykatën Speciale.

    “Kurti mbase është i vetmi politikan shqiptar që me çdo qelizë të trurit e të trupit të tij e ka dashur këtë gjykatë”, ka thënë Gjini.

    Duke iu referuar qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2015, Gjini ka pretenduar se mosvotimi i themelimit të Gjykatës Speciale nga deputetët e kësaj partie ishte, sipas tij, “oportunizëm i pastër” dhe jo kundërshtim parimor.

    Sipas tij, Vetëvendosje e kishte ditur se partitë në pushtet në atë kohë do ta votonin themelimin e gjykatës dhe për këtë arsye kishte zgjedhur të mos merrte pjesë në votim.

    Gjini ka lidhur gjithashtu çështjen e Gjykatës Speciale me ardhjen e Kurtit në pushtet, duke deklaruar se “Gjykata Speciale është thelbi i arsyes se pse Kurti është në pushtet”.

    Kryetari i AAK-së ka thënë se partia e tij, që nga qershori, e kishte paralajmëruar Kurtin se vendi mund të shkonte drejt zgjedhjeve të reja.

    Ai e ka akuzuar kryeministrin se ka mbyllur të gjitha mundësitë për dalje nga bllokada politike, duke mos marrë parasysh ofertën e AAK-së, duke “poshtëruar” Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe duke luajtur, sipas tij, me Partinë Demokratike të Kosovës.

    Gjini ka argumentuar se, po të kishte pasur vërtet vullnet për shmangien e zgjedhjeve, Kurti do të kishte vepruar më herët.

    “Përndryshe nuk do të kishte pritur deri sot për ta votuar në parim ligjin. Do ta kishte bërë më herët”, ka deklaruar ai.

    Ai ka kritikuar edhe futjen e 22 projektligjeve në procedurë të përshpejtuar, si dhe kushtëzimin e votimit të ligjit për Gjykatën Speciale me votimin për presidentin.

    Sipas Gjinit, këto veprime dëshmojnë se Kurti nuk ka pasur synim real shmangien e zgjedhjeve.

    “Nëse vërtet dëshironte t’i shmangte zgjedhjet, win-win ka pasur. Por nuk deshi”, ka thënë ai.

    Duke folur për zhvillimet e fundit politike, Gjini ka reaguar edhe ndaj protestave dhe tensioneve në Prishtinë, duke përmendur përdorimin e gazit lotsjellës dhe krismat në sheshin kryesor të kryeqytetit.

    “Shohim gaz lotsjellës e krisma në sheshin kryesor të kryeqytetit, kundër vlerave tona të lirisë”, ka deklaruar Gjini.

    Ai ka kritikuar gjithashtu vendimin e Vetëvendosjes për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me mundësinë që Albulena Haxhiu të shpallë zgjedhjet.

    Gjini e ka cilësuar situatën si “kaos të programuar nga Kurti”, duke pretenduar se kryeministri nuk e do, sipas tij, “Republikën e pavarur, të lirë dhe demokratike të Kosovës”.

    Në fund, pavarësisht kritikave për situatën politike, Gjini ka thënë se Kosova do ta tejkalojë edhe këtë krizë.

    “Por Kosova jonë nuk do të shkatërrohet. Do t’i mbijetojë edhe kësaj krize. Do ta mbijetojë edhe Kurtin dhe kastën e tij të keqbërësve”, ka përfunduar ai./Telegrafi.

  • Nagavci për protestat para Kuvendit: Kjo që po shohim është e papranueshme

    Nagavci për protestat para Kuvendit: Kjo që po shohim është e papranueshme

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kritikuar situatën e krijuar gjatë protestave para Kuvendit të Kosovës, duke thënë se e drejta e protestës dhe e fjalës së lirë nuk duhet të cenojë të drejtat e të tjerëve.

    Duke folur në TV Dukagjini, Nagavci ka thënë se askush nuk ka të drejtë të pengojë lëvizjen e qytetarëve apo të sulmojë deputetët.

    Ajo ka thënë se edhe protestuesit, edhe ata që, sipas saj, po i nxisin protestat, e dinë se debati për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është dashur të zhvillohej më herët.

    “Kjo që po e shohim aktualisht është e papranueshme, e kontestuar të drejtën e protestës, fjalës së lirë. Askush nuk ka të drejtë ta pengoj të tjetrin, të drejtën e lëvizjes, të fjalës e aq më shumë të sulmojë deputetët. Jemi të vetëdijshëm, edhe ata që janë jashtë, edhe një pjesë e atyre që po nxisin protestat që ky debat në mënyrën përmbajtjesore do të duhej të kishte ndodhur në verën e vitit 20215, në gusht të vitit 2015, e jo në shtator të vitit 2026…

    Ajo që vihet re është se ka një nxitim si atëherë edhe sot. Tash më shumë që të votohet me shpejtësi, me presion dhe me tendencë për të eskaluar situatën. Në seancën e parë kur kaloi projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u mbajt pikërisht se ekzistonte vullneti dhe ishin nënshkrimet e deputetëve të LVV”, ka deklaruar Nagavci.

  • Kontrolle të përforcuara ndaj shoferëve që tejkalojnë shpejtësinë, konstatohen 628 shkelje

    Kontrolle të përforcuara ndaj shoferëve që tejkalojnë shpejtësinë, konstatohen 628 shkelje

    MPB Maqedoni njofton se dje 04.10.2026, në periudhën nga ora 14:00 deri në orën 20:00, në territorin e të gjithë shtetit, Sektori për Çështje të Trafikut pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme zhvilloi kontrolle të përforcuara drejtuar sanksionimit të shoferëve të cilët drejtojnë automjetin me shpejtësi më të madhe nga e përshkruara.

    Gjatë kontrolleve u konstatuan gjithsej 628 kundërvajtje. Nga to, 344 kundërvajtje u konstatuan te shoferët të cilët kishin tejkaluar shpejtësinë e lejuar jashtë vendbanimit, ndërsa 284 kundërvajtje u referohen shoferëve të cilët kishin tejkaluar shpejtësinë e përshkruar në vendbanim.

    “Për të gjitha kundërvajtjet e konstatuara janë ndërmarrë masat përkatëse dhe janë shqiptuar sanksione në përputhje me rregulloret ligjore. Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe 66 kundërvajtje të llojeve të tjera”.

    “Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me kontrollet e përforcuara në trafik në të gjithë territorin e shtetit, me qëllim rritjen e sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në trafik dhe uljen e rreziqeve të shkaktuara nga mosrespektimi i kufizimeve të shpejtësisë”, thonë nga MPB.

  • Pse burrat zviceranë punojnë me orar të plotë pavarësisht se duan punë me orar të pjesshëm?

    Pse burrat zviceranë punojnë me orar të plotë pavarësisht se duan punë me orar të pjesshëm?

    Një studim afatgjatë nga Universiteti i Cyrihut tregon se dëshira për punë me kohë të pjesshme rrallë bëhet realitet për burrat.

    Për analizën gjatësore, u vlerësuan të dhënat nga vitet 2004 deri në 2020. Kjo i lejoi studiuesit të gjurmonin se kur burrat zhvillojnë dëshirën për punë me kohë të pjesshme dhe nëse ata e zbatojnë atë në të vërtetë, raporton Swissinfo.

    Gjetja: Çdo vit, pothuajse dhjetë përqind e burrave që punojnë me kohë të plotë shprehin dëshirën për të zvogëluar orët e tyre të punës, por vetëm një në dhjetë e bën këtë në të vërtetë (mund t’i gjeni rezultatet e detajuara.

    Zhvillimi

    Me një shkallë punësimi me kohë të pjesshme prej 40 përqind midis të gjithë personave të punësuar, Zvicra ka shkallën e dytë më të lartë brenda OECD-së. Në krahasim ndërkombëtar, Zvicra performon mirë.

    Përqindja e burrave që punojnë me kohë të pjesshme është dyfishuar që nga viti 2000, nga rreth dhjetë përqind në mbi 20 përqind. Në mesataren e OECD-së, kjo shifër u rrit vetëm nga tetë përqind në pak më pak se 13 përqind gjatë së njëjtës periudhë.

    Pengesa

    Studimi identifikoi normat profesionale si faktorë vendimtarë. Në profesionet e ndikuara fuqimisht nga ideali i burrit që siguron familjen dhe një pritje e lartë për përkushtim profesional, pak burra zhvilluan dëshirën për punë me kohë të pjesshme ose e zbatuan atë në të vërtetë, transmeton Telegrafi.

    Anasjelltas, numri është në rritje në fushat profesionale ku promovohet përputhshmëria e punës dhe jetës private.

    Vlerësimi i autorëve të studimit

    Studimi pohon se ka pasur një rënie në modelin standard të punësimit me kohë të plotë dhe një rritje në modelet e reja të kohës së punës.

    Sipas udhëheqësit të studimit Jan Müller, kushtet që burrat të ulin orët e punës janë të favorshme në Gjermani. Java e punës me orar të plotë prej gati 42 orësh e bën një ulje tërheqëse. Për më tepër, duke pasur parasysh pagat e larta, kjo është shpesh më realiste financiarisht sesa në vendet e tjera.

    Shembulli i habitshëm

    Një shembull i një ndryshimi në norma është profesioni mjekësor. Atje, një numër gjithnjë e në rritje burrash po kalojnë në punësim me kohë të pjesshme.

    Roli i burrit si kryefamiljar ka humbur rëndësinë atje, ndërsa balancës punë-jetë i është dhënë më shumë peshë. “Kjo më habiti në një profesion të njohur për orët e gjata të punës jashtë orarit”, citohet të ketë thënë Müller në njoftimin për shtyp.

    Pamja

    Studimi zbulon mekanizmat që ndikojnë në rritjen e punës me kohë të pjesshme tek burrat. Müller theksoi se realizimi i preferencave personale të kohës së punës zvogëlon stresin dhe forcon barazinë./Telegrafi/

  • Protesta e tensionuar në Prishtinë - Policia del me njoftim

    Protesta e tensionuar në Prishtinë – Policia del me njoftim

    Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta e zhvilluar të hënën përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës ka vazhduar edhe gjatë orëve të mbrëmjes, duke bërë që situata të tensionohet.

    Sipas Policisë, një grup protestuesish kanë hedhur vazhdimisht gjësende të ndryshme, mjete piroteknike dhe fishekzjarre në drejtim të objekteve shtetërore. Policia thotë se protestuesit kanë tentuar gjithashtu të pengojnë daljen e deputetëve dhe personaliteteve nga ndërtesa e Kuvendit, ndërsa disa prej tyre janë detyruar të kthehen sërish brenda.

    Policia ka bërë të ditur se gjatë protestës u kanë bërë thirrje vazhdimisht pjesëmarrësve që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të mos pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.

    “Përderisa protesta vazhdonte të mbahej pranë objekteve shtetërore, një grup i caktuar i personave në protestë, në shenjë pakënaqësie për mosvotimin e ligjit për Specialen, në vazhdimësi kanë hedhur gjësende të ndryshme, mjete piroteknike e fishekzjarre drejt objekteve shtetërore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas autoriteteve policore, për shkak të hedhjes së vazhdueshme të mjeteve piroteknike, pengimit të qarkullimit dhe rrezikut për dëmtimin e objekteve shtetërore, zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin masa për vënien e situatës nën kontroll.

    Policia ka përdorur gaz lotsjellës, duke thënë se kjo është bërë për të mundësuar daljen e deputetëve dhe personave të tjerë nga Kuvendi dhe për të rikthyer rendin publik.

    Situata është përshkallëzuar edhe me djegien e disa kontejnerëve të mbeturinave dhe ndezjen e zjarreve në rrugë. Sipas Policisë, këto veprime kanë shkaktuar dëme materiale.

    Megjithatë, Policia ka bërë të ditur se deri në momentin e publikimit të njoftimit nuk është raportuar për ndonjë lëndim serioz të personave.

    Policia e Kosovës ka theksuar se njeh të drejtën e qytetarëve për protestë dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë paqësore dhe demokratike, ndërsa ka apeluar te protestuesit që të respektojnë ligjin, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të mos pengojnë lirinë e lëvizjes.

    Sipas Policisë, përderisa protesta vazhdon, njësitet policore do të mbeten në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e qytetarëve dhe objekteve shtetërore, si dhe për mbarëvajtjen e protestës./Telegrafi.

  • ​Haziri: Policia me urdhër të Xhelal Sveçlës po sulmon protestuesit

    ​Haziri: Policia me urdhër të Xhelal Sveçlës po sulmon protestuesit

    Organizatori i protestës para Kuvendit të Kosovës, Çlirim Haziri, ka akuzuar ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, se i ka dhënë urdhër Policisë së Kosovës për të ndërhyrë ndaj protestuesve që po kërkojnë miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Deklarata e Hazirit është bërë gjatë protestës, në momentin kur Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.

    “Përveç që kanë heshtur deri sot, sot edhe na sulmuan, na goditën. Këta policë që sot janë në numër më shumë se ne, dje ishin shumë pak e ne ishim shumë, por i ruajtëm si sytë e ballit. Sot këta morën urdhër prej Xhelal Sveçlës”, ka deklaruar Haziri.

    Haziri ka kërkuar nga deputetët që të votojnë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke kundërshtuar lidhjen e kësaj çështjeje me zgjedhjen e presidentit.

    Sipas tij, miratimi i ligjit nuk duhet të kushtëzohet me marrëveshje apo pazare politike.

    “Politika jonë, përfaqësuesit tanë kanë zgjedhur të mos e kenë ligjin për prioritet, por me ligjin e UÇK-së të kushtëzojnë pozicionet e tyre politike”, ka thënë ai, duke u bërë thirrje deputetëve që të mos e lidhin votimin e ligjit me poste politike.

    Haziri ka deklaruar gjithashtu se protestuesit do të qëndrojnë para Kuvendit dhe do të tentojnë të pengojnë largimin e deputetëve pa u miratuar ndryshimet ligjore.

    Ndërkohë, gjatë protestës situata është tensionuar, ndërsa Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës pas hedhjes së mjeteve piroteknike dhe pengimit të lëvizjes pranë objektit të Kuvendit.

    Më herët, Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me 91 vota për dhe asnjë kundër. Për miratimin përfundimtar të tij kërkohet votimi në lexim të dytë./Telegrafi.

  • Meningjiti mund të marrë jetë brenda 24 orësh: Këto janë simptomat alarmuese

    Meningjiti mund të marrë jetë brenda 24 orësh: Këto janë simptomat alarmuese

    Temperatura, dhimbja e kokës dhe ngurtësimi i qafës janë ndër simptomat kryesore, por jo çdo pacient i ka të gjitha. Forma bakteriale kërkon trajtim urgjent

    Temperatura e lartë, dhimbja e fortë e kokës dhe ngurtësimi i qafës janë ndër shenjat kryesore, por jo çdo pacient i ka të gjitha simptomat. Meningjiti bakterial është forma më e rrezikshme dhe kërkon trajtim urgjent

    Meningjiti mund të përparojë shumë shpejt dhe, në rastet më të rënda, të marrë jetë brenda më pak se 24 orësh. Pikërisht për këtë arsye, Dita Botërore e Meningjitit, e cila shënohet më 5 tetor, këtë vit përcillet me mesazhin “Tani është koha për veprim”, duke vënë theksin te parandalimi, njohja e hershme e sëmundjes dhe trajtimi në kohë.

    Meningjiti është inflamacion i meningjeve, përkatësisht i membranave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore. Ai mund të shkaktohet nga bakteret, viruset, kërpudhat dhe parazitët, por edhe nga disa gjendje jo-infektive.

    Ndër format më të shpeshta, më i rrezikshmi është meningjiti bakterial. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, afërsisht një në gjashtë persona të prekur vdes, ndërsa rreth një në pesë përballet me komplikime të rënda.

    Cilat simptoma mund të tregojnë meningjit?

    Simptomat klasike te të rriturit janë temperatura e lartë, dhimbja e kokës dhe ngurtësimi i qafës, por është e rëndësishme të dihet se jo çdo person i prekur i ka domosdoshmërisht të tria këto shenja.

    Mund të shfaqen edhe:

    • ndjeshmëri ndaj dritës;
    • të përziera ose të vjella;
    • konfuzion;
    • përgjumje e theksuar ose vështirësi për t’u zgjuar;
    • humbje e oreksit.

    Dhimbja e kokës mund të jetë shumë e fortë dhe të përhapet drejt shpinës, por te disa persona mund të jetë edhe e lehtë. Për këtë arsye, nuk duhet pritur që dhimbja të bëhet e fortë nëse janë të pranishme edhe simptoma të tjera që mund të lidhen me meningjitin.

    Te foshnjat, shenjat mund të jenë të ndryshme dhe të përfshijnë fryrjen e fontanelës, ushqyerje të dobët, nervozizëm, përgjumje, vështirësi për t’u zgjuar dhe reagime jashtëzakonisht të dobëta ndaj stimujve, transmeton Telegrafi.

    Foto: FabrikaPhoto

    Si trajtohet meningjiti?

    Trajtimi varet nga shkaktari. Meningjiti bakterial kërkon dhënie urgjente të antibiotikëve, ndërsa te meningjiti i shkaktuar nga kërpudhat përdoren antimykotikët.

    Terapia antivirale përdoret në disa infeksione virale, ndërsa pjesë e trajtimit mund të jenë edhe kortikosteroidet, barnat kundër dhimbjes dhe lëngjet intravenoze.

    Meningjiti viral, në disa raste, mund të kalojë brenda rreth një jave, por pa ekzaminim mjekësor nuk mund të përcaktohet shkaktari i simptomave. Për këtë arsye, çdo dyshim për meningjit kërkon ndihmë urgjente mjekësore.

    A mund të mbeten pasoja të përhershme?

    Meningjiti mund të shkaktojë humbje të dëgjimit ose shikimit, probleme me kujtesën dhe të menduarit, çrregullime të lëvizjes dhe kriza epileptike, ndërsa ndër komplikimet më serioze është edhe sepsa.

    Vetë meningjiti nuk transmetohet si i tillë nga një person te tjetri, por disa prej baktereve dhe viruseve që e shkaktojnë atë mund të përhapen nga njeriu te njeriu.

    A mund të parandalohet meningjiti?

    Nga disa prej shkaktarëve të meningjitit bakterial është e mundur të mbrohemi përmes vaksinimit. Në Serbi, vaksinat kundër sëmundjeve të shkaktuara nga pneumokoku dhe bakteri Haemophilus influenzae tipi b (Hib) janë pjesë e kalendarit të detyrueshëm të imunizimit të fëmijëve, ndërsa vaksina kundër meningokokut aplikohet sipas indikacioneve të caktuara.

    Megjithatë, vaksina nuk ekziston kundër të gjithë shkaktarëve të meningjitit. Një prej tyre është edhe virusi i Nilit Perëndimor, i cili transmetohet përmes pickimit të mushkonjës së infektuar dhe, në raste të rënda, mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë meningjit ose encefalit.

    Rreziku nga disa infeksione mund të zvogëlohet përmes larjes së rregullt të duarve, shmangies së kontaktit të afërt me personat e sëmurë dhe përgatitjes së sigurt të ushqimit, ndërsa për parandalimin e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor më e rëndësishmja është mbrojtja nga pickimi i mushkonjave. /Telegrafi/

  • Willian zbulon prapaskenat e transferimit te Arsenali: Arteta “më shiti një ëndërr”

    Willian zbulon prapaskenat e transferimit te Arsenali: Arteta “më shiti një ëndërr”

    Willian ka zbuluar se kishte menduar të largohej nga Arsenali vetëm tre muaj pasi iu bashkua klubit, duke pretenduar se Mikel Arteta nuk i kishte përmbushur premtimet që ia kishte bërë para transferimit.

    Ish-futbollisti brazilian ka treguar se Arteta i kishte premtuar një rol qendror në skuadër dhe se ekipi do të ndërtohej rreth tij.

    Megjithatë, Willian thotë se shumë shpejt e kuptoi se realiteti ishte ndryshe nga ajo që i ishte thënë para transferimit.

    “Unë nuk kam asgjë kundër tij. Ai është një trajner i madh brenda fushës dhe idetë e tij janë të shkëlqyera, por i mungonin disa gjëra sa i përket mënyrës së menaxhimit të ekipit”, ka thënë Willian në “The Obi One Podcast”.

    Braziliani theksoi se, sipas tij, Artetës i mungonte aspekti njerëzor në menaxhimin e lojtarëve.

    “Pjesa njerëzore i mungonte. Është diçka e rëndësishme. Brenda fushës ai është i mirë. Gjithmonë bëj shaka duke thënë se më shitën një ëndërr, por nuk ishte një ëndërr e mirë”, u shpreh ai.

    Willian iu bashkua Arsenalit në verën e vitit 2020, pas largimit nga Chelsea, por aventura e tij në “Emirates” zgjati vetëm një sezon.

    Ai zhvilloi 37 paraqitje për klubin londinez, duke shënuar vetëm një gol, përpara se të largohej me marrëveshje të dyanshme në vitin 2021.

    Duke folur për arsyen që e bindi të kalonte nga pjesa perëndimore në atë veriore të Londrës, Willian zbuloi edhe fjalët që Arteta i kishte thënë para transferimit.

    “Arteta më tha: ‘Ne do të luajmë në këtë mënyrë dhe unë dua që ti të jesh lojtari kryesor. Do ta ndërtoj ekipin rreth teje dhe dua të të jap çelësin e klubit’”, rrëfeu braziliani.

    “Kur e dëgjova këtë, sigurisht që e doja Chelsean, por isha në vitin e fundit të kontratës, isha 32 vjeç dhe po mendoja për tri vite të tjera në Londër. Familja ime e donte Londrën, kështu që vendosa të qëndroja në qytet dhe të transferohesha te Arsenali”, përfundoi Willian. /Telegrafi/

  • Gashi në takim me ish-kryetarët e Kuvendit, themelohet Këshilli joformal i ish-kryetarëve

    Gashi në takim me ish-kryetarët e Kuvendit, themelohet Këshilli joformal i ish-kryetarëve

    Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka pritur në takim ish-kryetarët e Kuvendit. Në takimin e tretë me Tito Petkovskin, Nikolla Popovskin, Trajko Veljanoskin dhe Jovan Mitreskin, Gashi e nënshkroi Vendimin për themelimin e Këshillit të ish-kryetarëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    Për idenë, përkatësisht qëllimin e miratimit të Vendimit, kryetarët e Kuvendit u informuan në dy takimet e mëparshme, të mbajtura më 21 tetor 2025 dhe 7 prill 2026.

    “Qëllimi i themelimit të Këshillit, si trup këshillëdhënës dhe konsultativ joformal, është të sigurojë vazhdimësinë e kujtesës institucionale të Kuvendit; të avancojë praktikën parlamentare dhe demokracinë dhe të ofrojë mendime profesionale dhe këshillëdhënëse për çështjet me rëndësi për punën e Kuvendit”.

    “Përveç kësaj, në takim u shkëmbyen mendime mbi çështjet e caktuara procedurale në punën e Kuvendit, çështjet që lidhen me digjitalizimin e punës së Kuvendit në kuadër të Strategjisë Nacionale për Digjitalizim, idenë e Bibliotekës së Kuvendit, si dhe çështjet e tjera aktuale me interes për punën e Kuvendit dhe çështjet me interes për shtetin”, thonë nga Kabineti i Gashit.