
Gazeta Sinjali raportoi dje për një grup udhëtarësh të agjencisë “Pranvera Travel”, të cilët mbetën të bllokuar për disa orë në pikën kufitare Horgosh, në anën hungareze të kufirit mes Hungarisë dhe Serbisë, derisa po udhëtonin drejt Gjermanisë.
Një udhëtar kishte raportuar për Sinjalin se pritja kishte nisur që nga ora 16:20, ndërsa udhëtarëve u ishin marrë edhe pasaportat. Sipas tij, dyshohej se në autobus ishte gjetur diçka ilegale.
“Jemi që nga ora 16:20 të bllokuar në kufirin e Hungarisë, Horgosh, nga ana e Hungarisë. Dyshohet se është gjetur diçka ilegale. As pasaportat nuk i kemi ne dhe jemi të bllokuar këtu”, kishte deklaruar udhëtari për Sinjalin.
Ndërkohë, sot pronari i agjencisë “Pranvera Travel”, rinor Nimanaj ka dhënë detaje të reja për Sinjalin lidhur me rastin, duke treguar se në njërën prej valixheve që ishte marrë si porosi private ishte gjetur diçka e kundërligjshme.
Pronari ka bërë të ditur se valixhja ishte marrë si porosi private nga kompania, por gjatë pranimit të saj nuk ishte vërejtur ngase ajo ishte e modifikuar.
Në deklarimin e tij për Sinjalin, ai ka sqaruar se në autobusin e kompanisë, i cili ishte nisur drejt Evropës, kishin marrë edhe porosi private, të cilat persona të ndryshëm ua dërgonin të afërmve të tyre në Gjermani.
“Pas një kontrolli që zgjati rreth 4–5 orë në kufirin hungarez, u konstatua se në njërën prej valixheve të dërguara si porosi kishte diçka të kundërligjshme, për të cilën ne nuk kishim asnjë dijeni”, ka deklaruar pronari.
Ai ka theksuar se kompania posedon të dhënat e personit që e kishte dorëzuar valixhen në Kosovë, si dhe të personit që priste ta pranonte në Gjermani.
“Ne posedojmë të dhënat e personit që e kishte dorëzuar valixhen (porosinë) në Kosovë, si dhe të personit që priste ta pranonte në Gjermani. Të gjitha këto informacione ua kemi deklaruar autoriteteve policore hungareze”, ka bërë të ditur ai.
Sipas pronarit, bashkëpunimi me Policinë Hungareze ka ndihmuar në sqarimin e rrethanave, pas së cilës kompanisë dhe shoferëve u është lejuar të vazhdojnë rrugëtimin.
“Falë bashkëpunimit tonë të plotë me Policinë Hungareze, rrethanat u sqaruan dhe u konstatua se kompania dhe shoferët nuk kishin dijeni apo lidhje me këtë rast, pas së cilës na u lejua të vazhdonim rrugëtimin dhe janë afër Gjermanisë”, thuhet në deklarimin e tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali