Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar 5 mijë e 560 kilogramë misër të importuar nga Serbia, pasi në të është konstatuar prania e aflatoksinës B1 mbi kufijtë e lejuar. Prej kësaj sasie, 3 mijë e 270 kilogramë janë asgjësuar në Fushë Kosovë.
Sipas njoftimit të Komunës së Fushë Kosovës, asgjësimi i kësaj sasie është bërë në kompaninë “Agro Com”, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Aflatoksina B1 është substancë toksike që mund të paraqesë rrezik për shëndetin e kafshëve dhe njerëzve, nëse hyn në zinxhirin ushqimor.
Komuna e Fushë Kosovës u ka bërë thirrje fermerëve dhe tregtarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë blerjes dhe përdorimit të ushqimit për kafshë, duke verifikuar origjinën dhe cilësinë e produkteve.
Mbrojtja e shëndetit publik dhe siguria ushqimore mbeten përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe qytetarëve. /Telegrafi/