
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka parandaluar futjen në tregun e Kosovës të një sasie të madhe prej 27 tonësh misër të kontaminuar nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e substancës toksike aflatoksinë B1 mbi normat e lejuara, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit zyrtar të AUV-së, ngarkesa prej 27,000 kilogramësh misër merkantil në kokrra ishte paraqitur për import sot, më 16 nëntor 2026, në pikën kufitare të Merdarit.
Misri ishte eksportuar nga kompania serbe AGRO DOM TIM DOO (Crvenka, Serbi), ndërsa po importohej në Kosovë nga kompania pejane IDEAL GROUP SH.P.K.
45% mbi kufirin e lejuar
Gjatë kontrollit në kufi, inspektorët morën mostra për analiza laboratorike, nga të cilat rezultoi se misri përmbante aflatoksinë B1 në nivel prej 0.029 mg/kg (29 µg/kg) – çka paraqet një tejkalim prej 45% mbi kufirin maksimal të lejuar prej 0.020 mg/kg.
Nga AUV bëjnë me dije se ky misër përdoret si lëndë e parë për ushqimin e kafshëve ose përpunim të mëtejshëm. Nëse do të përdorej për ushqimin e kafshëve qumështore, kjo substancë toksike do të kalonte direkt në qumësht (në formën e aflatoksinës M1), duke rrezikuar seriozisht shëndetin e konsumatorëve.
Pas këtyre rezultateve dhe në zbatim të ligjeve në fuqi, inspektori fitosanitar kufitar ka refuzuar importin dhe ka kthyer mbrapsht të gjithë ngarkesën prej 27 tonësh, duke mos lejuar depërtimin e saj në tregun vendor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali