AUV ndalon mishin e pulës nga Brazili të importuar nga Apetit SHPK, gjendet Salmonella

AUV ndalon mishin e pulës nga Brazili të importuar nga Apetit SHPK, gjendet Salmonella

Written by

in

AUV ndalon mishin e pulës nga Brazili të importuar nga Apetit SHPK, gjendet Salmonella

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar përkohësisht shitjen dhe ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të mishit të ngrirë të pulës, të importuar nga Brazili nga kompania Apetit SHPK, pasi në mostrat e analizuara është konstatuar prania e bakterit Salmonella Minnesota.

Sipas njoftimit të AUV-së, bakteri është identifikuar gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme të mishit të importuar, të cilat janë urdhëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.

Bazuar në rezultatet laboratorike dhe në dispozitat e Ligjit për Ushqim, AUV ka vendosur ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të produkteve të identifikuara, vendosjen e tyre nën kontroll zyrtar dhe tërheqjen nga tregu.

Produktet që përfshihen në këtë vendim janë:

Coopavel – origjina Brazil, numri i aprovimit SIF 3887, LOT R-14427.

Superfrango – origjina Brazil, numri i aprovimit SIF 3404, LOT R20598.

AUV ka bërë të ditur se Salmonella Minnesota është një serotip patogjen i bakterit Salmonella enterica, prania e të cilit në ushqim paraqet rrezik potencial për shëndetin e njeriut.

Ky bakter mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale dhe të transmetohet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose përmes kontaminimit të kryqëzuar gjatë trajtimit dhe përgatitjes së mishit.

Agjencia u ka bërë thirrje konsumatorëve që posedojnë produktet me numrat e identifikuar të LOT-it të mos i konsumojnë dhe t’i kthejnë ato në pikat e shitjes.

Ndërkohë, kontrollet e jashtëzakonshme po vazhdojnë për verifikimin e të gjithë sasisë së importuar, përfshirë gjurmueshmërinë e produkteve nga hyrja në Kosovë deri te pikat e shitjes, sasitë e shpërndara dhe ato që kanë mbetur, etiketimin, datat e prodhimit dhe skadencës, certifikatat veterinare, kushtet e ruajtjes dhe analizat shtesë laboratorike.

Sipas AUV-së, operatori është përgjegjës për sigurinë dhe gjurmueshmërinë e produkteve, tërheqjen e tyre nga tregu dhe informimin e konsumatorëve.

Agjencia do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe do të përcaktojë trajtimin përfundimtar të produkteve në bazë të vlerësimit të rrezikut, përfshirë asgjësimin në rastet kur kjo është e nevojshme.

AUV ka bërë të ditur se do ta informojë publikun për rezultatet e kontrolleve dhe masat e mëtejshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali