Avokati i Ndërmarrjes Publike Banesore, Faton Fetahu, ka bërë të ditur se Gjykata Supreme ka prishur dy aktgjykimet e Gjykatës Komerciale, me të cilat Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ishte obliguar t’u paguante mbi 32 milionë euro tri kompanive private.
Sipas Fetahut, kjo shumë paraqiste rrezik serioz për ekzistencën dhe funksionimin e ndërmarrjes publike, duke e ekspozuar atë edhe ndaj falimentimit.
“Gjykata Supreme e ka marrë vendimin, i cili tashmë është bërë publik. Ka prishur dy aktgjykimet e Gjykatës Komerciale, me të cilat Ndërmarrja Publike Banesore ishte e detyruar, siç e dini, të paguante mbi 32 milionë euro në favor të tri kompanive private. Pra, mbi 32 milionë euro. Është një shumë e jashtëzakonshme, e cila mund të rrezikonte seriozisht ekzistencën dhe funksionimin e kësaj ndërmarrjeje, respektivisht mund ta ekspozonte lehtësisht ndaj falimentimit”, ka deklaruar Fetahu në një konferencë për media.
Ai e ka cilësuar këtë vendim si fitore për mbrojtjen e interesit publik, duke theksuar se ai shkon përtej një çështjeje të zakonshme gjyqësore.
“Ky vendim është një fitore e jashtëzakonshme për mbrojtjen e interesit publik, për rëndësinë e atij që shkon përtej një çështjeje gjyqësore. Gjykata Supreme, përmes këtij vendimi, ka qartësuar standardet themelore të procedurës civile, të së drejtës së detyrimeve dhe veçanërisht përgjegjësinë për shkaktimin e dëmit”, ka thënë ai./EO
Burimi: Dukagjini
