Në tryezën e diskutimit të mbajtur në Prishtinë, Qelaj ka theksuar se, sipas raportit, Dhomat e Specializuara nuk i janë nënshtruar monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Gjykata Speciale nuk i është nënshtruar monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës, duke krijuar mungesë të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, ka theksuar ai duke cituar raportin.
Sipas tij, mungesa e një elementi vendor dhe e mbikëqyrjes nga institucionet e Kosovës ngre shqetësime edhe lidhur me respektimin e standardeve për një proces të drejtë dhe të paanshëm.
Raporti i publikuar nga Avokati i Popullit trajton gjithashtu çështje që lidhen me kohëzgjatjen e paraburgimit, barazinë e armëve mes palëve, pranueshmërinë e provave, monitorimin e komunikimeve dhe pavarësinë e mekanizmave mbikëqyrës.
Në mesin e rekomandimeve, Avokati i Popullit kërkon që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të mbështesin krijimin e një mekanizmi të pavarur dhe profesional për monitorimin e procedurave gjyqësore në Dhomat e Specializuara.
Po ashtu, raporti rekomandon që shqetësimet e identifikuara t’u adresohen Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë.
Raporti ex officio synon të trajtojë çështjet e transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të standardeve të procesit të drejtë në funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Burimi: RTKLive
