Avokati serb Bozho Preleviq ka paralajmëruar se hapja e dosjeve të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) mund të shkaktojë tronditje të mëdha politike në Serbi, duke vënë në pikëpyetje lidhjet mes shërbimeve të sigurisë, pushtetit politik dhe strukturave kriminale.
Në një intervistë për revistën serbe “Radar”, të publikuar të shtunën, Preleviq ka thënë se një nga çështjet që do të duhej të sqarohej është nëse politikani dhe ish-drejtuesi i BIA-s, Marko Parezanoviq, mund t’i përgjigjet pyetjes nëse Oliver Ivanoviq ishte nën masa të përgjimit dhe vëzhgimit në kohën kur u vra, si dhe kush kishte urdhëruar vendosjen e tij nën këto masa, raporton RTK.
“Imagjinoni çfarë tronditjeje do të shkaktohej nëse do të hapeshin dosjet”, ka deklaruar Preleviq, duke përmendur edhe mundësinë e zbulimit të përfituesve të parave nga Telekomi i Sllavisha Luçiqit.
Ai ka vlerësuar se shërbimet e sigurisë në Serbi për një kohë të gjatë kanë funksionuar pa kontroll të mjaftueshëm institucional, ndërsa një pjesë e tyre, sipas tij, në vend që të merren me mbrojtjen e qytetarëve dhe shtetit, janë përdorur për mbrojtjen e interesave të partisë në pushtet.
Preleviq, ish-gjyqtar dhe ish-bashkëministër i Punëve të Brendshme në qeverinë kalimtare pas rrëzimit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ka thënë se shërbimet e sigurisë duhet të reformohen në themel dhe të vendosen nën kontroll efektiv parlamentar dhe gjyqësor.
Sipas tij, një zgjidhje e mundshme do të ishte ndarja e funksioneve në tri struktura: shërbim informativ, kundërzbulim dhe shërbim teknik, i cili do të mund të vihej në shërbim të institucioneve të sigurisë dhe prokurorisë, sipas procedurave të qarta.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se ndryshimi i drejtuesve apo i emrit të institucioneve nuk garanton reforma reale, nëse brenda tyre mbeten të njëjtat struktura dhe praktika.
Në intervistë, Preleviq ka përmendur edhe rastin e Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit, duke pretenduar se gjatë kohës kur ai ishte në Ministrinë e Brendshme ishin iniciuar procedura penale ndaj tyre për drogë, por se prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja, ndonëse, sipas tij, ata kishin pranuar veprat.
Ai ka theksuar se lidhjet mes shërbimeve të sigurisë, drejtësisë, politikës dhe mediave përbëjnë një nga pengesat kryesore për ndryshimet demokratike në Serbi.
Preleviq ka paralajmëruar se pa reformimin e shërbimeve të sigurisë nuk mund të ketë ndryshim të qëndrueshëm të marrëdhënieve të pushtetit në vend.