
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka njoftuar se greva dhe protestat e punëtorëve teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Prishtinës do të vazhdojnë, deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Përmes një njoftimi publik, federata bën të ditur se, ndonëse Komuna e Prishtinës i ka proceduar pagat për muajin shtator, punëtorët teknikë të shkollave nuk janë paguar në përputhje me pagën minimale, transmeton Klankosova.tv.
Kreu i Sindikatës, Jusuf Azemi ka bërë të qartë se protestat dhe greva do të vazhdojnë sipas strategjisë së mëtejshme të përcaktuar nga federata, deri në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve.
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të trajtojnë këtë çështje dhe të sigurojnë realizimin e të drejtave të punëtorëve.
