Babai dhe motra denoncojnë 27-vjeçarin për dhunë në Rahovec – dyshohet se u kërkonte para për drogë, ikën nga shtëpia pasi mëson se është lajmëruar Policia

Babai dhe motra denoncojnë 27-vjeçarin për dhunë në Rahovec – dyshohet se u kërkonte para për drogë, ikën nga shtëpia pasi mëson se është lajmëruar Policia

Written by

in

Babai dhe motra denoncojnë 27-vjeçarin për dhunë në Rahovec – dyshohet se u kërkonte para për drogë, ikën nga shtëpia pasi mëson se është lajmëruar Policia

Një familje në Rahovec është përballur sërish me një situatë të rëndë, pasi babai dhe vajza e tij kanë denoncuar djalin, përkatësisht vëllain e tyre, për dhunë të vazhdueshme psikologjike, ofendime dhe kërkesa për para. I dyshuari, i cili sipas burimeve të Sinjalit është i njohur për raste të mëhershme të dhunës në familje, është larguar nga shtëpia sapo ka kuptuar se familjarët e kishin denoncuar në Polici.

Ngjarja e fundit ka ndodhur të hënën, më 26 tetor 2026, rreth orës 16:00, në rrugën “Ramiz & Xhevdet Krasniqi” në Rahovec.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se viktimat janë babai 56-vjeçar, Q.H., dhe vajza e tij 21-vjeçare, A.H., ndërsa i dyshuari është G.H., 27-vjeçar.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dy familjarët kanë deklaruar se prej kohësh përballen me sjellje të dhunshme të 27-vjeçarit, i cili vazhdimisht i shan, i fyen dhe ushtron presion psikologjik ndaj tyre, duke u kërkuar para.

Incidenti i fundit ka ndodhur në sallonin e shtëpisë, në prani të familjarëve të tjerë, ku i dyshuari dyshohet se ka vazhduar me ofendime dhe sjellje që kanë shkaktuar ankth e shqetësim te babai dhe motra e tij.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se dyshohet që kërkesat e vazhdueshme për para lidhen me përdorimin e substancave narkotike.

Ajo që e bën edhe më shqetësues rastin është se 27-vjeçari, sipas burimeve, është përdorues i substancave narkotike dhe ka qenë i përfshirë edhe më herët në raste penale, përfshirë disa raste të dhunës në familje.

Pas incidentit, babai dhe vajza kanë kërkuar ndihmën e Policisë, ku rasti është iniciuar rreth orës 18:00.

Të dy janë intervistuar në prani të një zyrtareje të Qendrës për Punë Sociale në Rahovec. Ata kanë refuzuar trajtimin mjekësor dhe, pas përfundimit të procedurave, me dëshirën e tyre janë kthyer në shtëpi.

Ndërkohë, situata ka marrë një tjetër rrjedhë kur i dyshuari ka mësuar se familjarët e kishin denoncuar.

Sapo ka kuptuar se rasti ishte raportuar në Polici, 27-vjeçari është larguar në drejtim të panjohur, duke iu shmangur kontaktit me zyrtarët policorë.

Njësitë policore janë angazhuar për lokalizimin e tij, ndërsa për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit.

Me udhëzim të Prokurorisë, është iniciuar procedura për veprën penale “Dhuna në familje”, ndërsa veprimet e mëtejshme ndaj të dyshuarit pritet të ndërmerren pas lokalizimit të tij.

Hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali