Gëzim Kastrati, babai i Diana Kastratit, ka kritikuar institucionet e Kosovës për mungesën e kujdesit ndaj familjeve të viktimave të vrasjeve në familje, duke thënë se pas vrasjes së vajzës së tij, askush nga institucionet nuk ishte interesuar për gjendjen e familjes.
Në Debat Plus, Kastrati ka thënë se as ai, as bashkëshortja dhe fëmijët e tij, e as mbesa, nuk janë vizituar apo kontaktuar nga institucionet për të parë se si po përballeshin me pasojat e vrasjes.
“Nga praktika, përvoja ime, përveç që m’ka ndodh rasti, a o kon dikush nga institucionet që t’na pyet si po jetojmë. Mu apo gruan time apo fëmijët e mia, apo me vizitu si familje, shoqërisë e Republikës Kosovës, në qendër për punë sociale, në asgjë. Po as mbesën time se ka vizitu askush me e thirr, që e ka punë, ku është, a çka është, ka bon a”, ka theksuar ai.
Ai e ka cilësuar këtë si një tjetër dështim të shtetit, duke theksuar se pas vrasjes së një gruaje, institucionet duhet të kujdesen edhe për fëmijët dhe familjarët që mbesin pas.
Kastrati ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet që trajtojnë rastet e dhunës në familje, përfshirë Policinë, Qendrat për Punë Sociale, gjykatat dhe prokuroritë.
Ai ka ngritur shqetësimin se, pavarësisht rasteve të shumta të vrasjeve të grave dhe dhunës në familje, sipas tij, nuk ka pasur përgjegjësi të mjaftueshme institucionale.
“Po kthehem te kjo pjesa e parë. Kur një grua apo një person kërkon ndihmë në institucione, janë katër institucione ku mund të drejtohet: Policia, Qendra për Punë Sociale, gjykata dhe prokuroria. Por, deri sot, nga rasti im, askush nuk është larguar nga puna”, ka deklaruar Kastrati.
Ai ka kërkuar që zyrtarët që kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre të hetohen dhe të përballen me drejtësinë, duke theksuar se përgjegjësia duhet të vlerësohet për secilin institucion dhe zyrtar, sipas rolit të tij në trajtimin e rastit.
Burimi: Dukagjini
