
Hykmete Bajrami ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për mbështetjen ndaj sektorit të bujqësisë, duke pretenduar se raportet e ekzekutivit po demantohen nga vetë qytetarët.
Përmes një reagimi në Facebook, Bajrami ka deklaruar se ende ka dëme të pakompensuara nga viti 2023, ndërsa ka përmendur edhe dëmet e shkaktuara nga breshëri gjatë kësaj vere në komunën e Istogut, shkruan Gazeta Sinjali.
Ajo ka ngritur shqetësime edhe për moshapjen e thirrjes për grante për vitin 2026, duke iu referuar deklarimeve të bujqve.
“Për më tepër sipas bujqve ende s’qenka hapur thirrja për grante për vitin 2026. E sot data është 27 nëntor. KUR?”, ka shkruar Bajrami.
Bajrami ka akuzuar Qeverinë edhe për shpenzimin e buxhetit për qëllime zgjedhore, duke pretenduar se bujqit po detyrohen të marrin kredi me norma të larta interesi për të vazhduar veprimtarinë e tyre.
“Nuk mundesh me i thënë bujkut ‘të kam ndihmur’ kur ai ka marrë kredi në institucione mikrofinanciare me normë interesi 22%, për t’i mbjellë arat sepse ti e ke shpenzu buxhetin për zgjedhje”, ka deklaruar ajo.
Në reagimin e saj, Bajrami ka akuzuar ekzekutivin për mashtrim të qytetarëve, duke thënë se populli është shumë më i mençur sesa mendon Qeveria.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali