Banka Botërore: Shqipëria mund të tërheqë 929 milionë dollarë investime private

Banka Botërore: Shqipëria mund të tërheqë 929 milionë dollarë investime private

Written by

in

Shqipëria ka potencial të mobilizojë deri në 929 milionë dollarë investime private dhe të krijojë nga 13 mijë deri në 18 mijë vende të reja pune në periudhën afatmesme, kryesisht në agroturizëm, menaxhimin e mbetjeve dhe digjitalizimin e pagesave.

Këto janë gjetjet e raportit të ri të Grupit të Bankës Botërore, i publikuar sot, i cili evidenton mundësitë e investimit në këta tre sektorë dhe reformat e nevojshme për t’i nxitur ato.

Sipas raportit “Diagnostikimi i Sektorit Privat në Shqipëri”, mobilizimi i kapitalit privat është thelbësor për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë, afrimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe zgjerimin e mundësive të punësimit.

Menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, Massimiliano Paolucci, duke komentuar raportin, u shpreh se vendi mund të shfrytëzojë kërkesën e lartë në turizëm, kalimin drejt ekonomisë qarkulluese dhe reformat në pagesat digjitale për të tërhequr më shumë investime private dhe për të krijuar vende pune më cilësore.

“Për ta realizuar këtë nevojiten reforma konkrete, që u ofrojnë investitorëve rregulla më të qarta, informacion më të besueshëm për tregun dhe më shumë siguri për të investuar kapitalin e tyre”, theksoi Paolucci. Në sektorin e agroturizmit, raporti vlerëson se investimet mund të ndihmojnë në zgjerimin e ofertës turistike përtej zonave bregdetare dhe sezonit veror, duke forcuar lidhjet mes turizmit dhe bujqësisë dhe duke krijuar të ardhura e punësim në zonat rurale.

Megjithatë, zhvillimi i këtij sektori përballet me pengesa që lidhen me mangësitë në certifikim, mungesën e informacionit për tregun, vështirësitë në gjetjen e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe zbatimin jo të njëtrajtshëm të rregullave. Përmirësimi i këtyre elementeve shihet si i nevojshëm për të nxitur investime me vlerë më të lartë.Një tjetër fushë me potencial është menaxhimi i mbetjeve, ku Banka Botërore evidenton mundësi për investime private në grumbullim, trajtim, riciklim dhe rikuperim materialesh. Për tërheqjen e kapitalit në këtë sektor kërkohet më shumë qartësi mbi rolin e biznesit privat, procedura më të parashikueshme për lejet, kontrata të qëndrueshme dhe të dhëna të besueshme për mbetjet.

Ndërsa digjitalizimi i pagesave vlerësohet se mund të nxisë formalizimin e ekonomisë, përfshirjen financiare dhe produktivitetin, duke krijuar mundësi të reja për bankat, kompanitë fintech dhe sipërmarrjet teknologjike.Raporti vëren se, pavarësisht përparimit ekonomik të dekadës së fundit, informaliteti, mungesa e aftësive profesionale, qasja e kufizuar në financim, mangësitë infrastrukturore dhe dobësitë në zbatimin e rregullave vijojnë të pengojnë investimet private.

Sipas të dhënave të raportit, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri është rritur nga 24% e mesatares së Bashkimit Evropian në vitin 2008, në 41% në vitin 2025, ndërsa investimet e huaja direkte kanë mbetur në nivele të larta.

 

Burimi: RTKLive