Barça e shqetësuar për gjykimin dhe ndërhyrjet ndaj Yamalit në ‘El Clasico’

Barça e shqetësuar për gjykimin dhe ndërhyrjet ndaj Yamalit në ‘El Clasico’

Written by

in

Barcelona dhe Real Madridi përballen këtë të diel në mbrëmje në “Spotify Camp Nou”, në kuadër të xhiros së dhjetë të La Ligës, në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të futbollit spanjoll.

Gazetari Jota Jordi ka zbuluar se ka biseduar me disa futbollistë të Barcelonës para kësaj përballjeje, duke bërë të ditur se dy prej temave që po shkaktojnë shqetësim në kampin katalunas janë trajtimi që mund të marrë Yamal nga kundërshtarët dhe vendimet e gjyqtarëve.

Sipas Jordi-t, brenda skuadrës ekziston shqetësimi për mënyrën se si trajneri Jose Mourinho mund t’i udhëzojë lojtarët e Real Madridit për ta neutralizuar talentin e ri spanjoll.

“Nuk do të doja ta quaja frikë, sepse kjo nuk është fjala e duhur, por ekziston një shkallë shqetësimi për mënyrën se si Jose Mourinho do t’i udhëzojë lojtarët e tij të sillen ndaj Lamine dhe çfarë do t’u kërkojë të bëjnë kundër tij”, ka deklaruar Jordi.

Ai ka theksuar se vëmendje e veçantë pritet t’u kushtohet minutave të para të takimit, kur Barcelona druhet se Yamal mund të përballet me ndërhyrje të shpeshta nga kundërshtarët.

“Ekziston shqetësim i madh për gjysmëorën e parë, veçanërisht për 10 apo 20 minutat e para me Lamine Yamalin. Ata do ta vënë në shënjestër nga të gjitha anët”, ka thënë gazetari, duke iu referuar informacioneve që pretendon se ka marrë nga futbollistët e Barcelonës.

Përveç trajtimit që mund të marrë Yamal në fushë, Jordi ka zbuluar se futbollistët katalunas kanë ngritur pikëpyetje edhe për gjykimin në këtë ndeshje.

Sipas tij, disa prej lojtarëve kanë shprehur shqetësimin për vendimet e mundshme të referimit, duke ngritur pyetjen se çfarë mund t’i presë nga gjyqtarët në këtë përballje me shumë presion.

Jordi u ka bërë thirrje edhe zyrtarëve të ndeshjes që të jenë veçanërisht të vëmendshëm ndaj ndërhyrjeve ndaj Yamalit, në mënyrë që talenti i Barcelonës të mos bëhet objekt i faulleve të vazhdueshme gjatë El Clasicos.

Përballja mes Barcelonës dhe Real Madridit pritet të jetë një nga sfidat më të ndjekura të javës, me të dyja skuadrat që synojnë një fitore me peshë në garën për titullin e kampionit të Spanjës. 

Burimi: RTKLive