Barcelona shkruan histori në Ligën e Kampionëve, asnjë klub nuk e kishte bërë më parë

Barcelona shkruan histori në Ligën e Kampionëve, asnjë klub nuk e kishte bërë më parë

Written by

in

Barcelona ka shkruar një histori të veçantë në Ligën e Kampionëve gjatë humbjes 4-2 ndaj Paris Saint-Germainit në “Parc des Princes”, duke vendosur një rekord që nuk ishte arritur më parë në këtë garë.

Skuadra e Hansi Flickut pësoi humbjen e parë në të gjitha garat këtë sezon, pavarësisht se arriti të rikthehej dy herë në rezultat gjatë pjesës së dytë.

Xavi Espart, një produkt i akademisë “La Masia” që këtë sezon po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë në ekipin e parë, dhe Lamine Yamal shënuan për Barcelonën, duke barazuar rezultatin në 2-2, pasi Desire Doue dhe Lucas Hernandez kishin kaluar dy herë PSG-në në epërsi.

Megjithatë, golat e Vitinhas dhe Fabian Ruizit në dhjetë minutat e fundit të kohës së rregullt i siguruan skuadrës së Luis Enriques një fitore të rëndësishme.

Pavarësisht humbjes, vendimet e Flickut për formacionin titullar i kanë mundësuar Barcelonës të vendosë një rekord të jashtëzakonshëm në historinë e Ligës së Kampionëve.

Sipas statistikave të OptaJoe, katalunasit janë bërë klubi i parë në histori të kësaj gare që ka startuar një ndeshje kundër kampionit në fuqi me katër futbollistë adoleshentë në formacionin titullar.

Përveç Espartit dhe Yamalit, nga minuta e parë luajtën edhe Pau Cubarsi dhe Marc Bernal. Ky i fundit dhe Espart u zëvendësuan gjatë pjesës së dytë.

Barcelona kishte mundësi ta rriste edhe më shumë numrin e futbollistëve të rinj të përfshirë në këtë përballje. Në stol ishin edhe mbrojtësi 18-vjeçar Alex Campos dhe sulmuesi Hamza Abdelkarim, por asnjëri prej tyre nuk u aktivizua.

Reprezentuesi egjiptian, Abdelkarim, ka regjistruar dy paraqitje me Barcelonën në të gjitha garat këtë sezon, ndërsa Campos ende nuk ka debutuar me ekipin e parë dhe aktualisht luan me Barcelonën B në Ligën e të Rinjve të UEFA-s./Telegrafi/