Basha: Ekipet punuan gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugëve nga bora

Basha: Ekipet punuan gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugëve nga bora

Written by

in

Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha ka bërë të ditur se ekipet përgjegjëse kanë punuar gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugëve nga bora, pas reshjeve të dendura që përfshinë vendin.

Përmes një postimi, Basha ka njoftuar se është intervenuar në autoudhë, si dhe në rrugët nacionale dhe rajonale, me qëllim të mbajtjes së tyre të kalueshme për qytetarët.

“Gjatë natës patëm reshje të dendura bore. Ekipet tona punuan pa ndërprerje në autoudhë dhe në rrugët nacionale e rajonale për t’i mbajtur ato të kalueshme”, ka shkruar Basha.

Ai ka bërë të ditur se gjatë intervenimeve është pastruar bora dhe është hedhur kripë për të parandaluar krijimin e ngricave.

“Puna vazhdon edhe këtë mëngjes, me ekipet e pastrimit në terren”, ka theksuar ai.

Basha ka falënderuar punëtorët që kanë qenë në terren gjatë natës, ndërsa ka apeluar te qytetarët që të shmangin udhëtimet e panevojshme për shkak të reshjeve të vazhdueshme të borës.

“Reshjet e borës po vazhdojnë edhe këtë mëngjes. I lusim ngasësit t’i shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes”, ka apeluar Basha. /Telegrafi/