
Njohja ligjore e bashkësive civile ndërmjet personave të së njëjtës gjini, përdorimi i shtëpisë gjatë divorcit dhe rregullat për pasurinë e bashkëshortëve janë disa nga çështjet që trajton Projektkodi i ri Civil, të cilin Ministria e Drejtësisë e ka nxjerrë në konsultim publik.
Dokumenti synon të bashkojë dhe harmonizojë ligjet që aktualisht rregullojnë marrëdhëniet familjare, pronësinë, kontratat dhe trashëgiminë.
Megjithatë, shqyrtimi i projektkodit dhe krahasimi me legjislacionin në fuqi tregojnë se jo të gjitha dispozitat e tij janë risi.
Disa të drejta ekzistojnë prej vitesh, ndërsa propozimi sjell edhe rregullime më të hollësishme që mund të ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët.
Bashkësitë civile të personave të së njëjtës gjini
Ndryshimi më i dukshëm ndaj legjislacionit aktual gjendet në nenin 1138, i cili parashikon njohjen e bashkësive civile ndërmjet personave të së njëjtës gjini.
“Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara.”
Kushtet dhe procedurat për regjistrimin e bashkësive civile parashihen të përcaktohen me ligj të veçantë.
Kjo dispozitë nuk është propozim i ri i vitit 2026. Ajo ishte përfshirë edhe në projektkodin që dështoi të miratohej në Kuvend në mars të vitit 2022.
Ministria e Drejtësisë e ka ruajtur formulimin, pavarësisht kundërshtimeve që kishte shkaktuar.
Kush mund ta përdorë shtëpinë gjatë divorcit?
Një rregullim më i hollësishëm propozohet për përdorimin e banesës familjare gjatë procedurave të divorcit.
Neni 1198 parashikon që njëri bashkëshort mund t’i kërkojë gjykatës përdorimin e vetëm të shtëpisë ose një pjese të saj, derisa vazhdon kontesti martesor.
Gjykata duhet të shqyrtojë interesat e fëmijëve, dhunën eventuale në familje dhe gjendjen financiare të bashkëshortëve.
Ligji aktual për Familjen, në nenin 71, tashmë lejon masa të përkohshme për mbajtjen financiare dhe vendosjen e bashkëshortit.
Por projektkodi e përcakton më shprehimisht mundësinë e përdorimit ekskluziv të shtëpisë gjatë procesit gjyqësor.
Kjo nuk nënkupton ndryshimin e pronarit të banesës, por rregullimin e përkohshëm të përdorimit të saj.
Prona e përbashkët: Shtesë për regjistrimin e bashkëshortit
Neni 1174 parashikon se bashkëshorti, emri i të cilit nuk figuron në pronën e përbashkët, mund të kërkojë në çdo kohë regjistrimin e tij si bashkëpronar.
Edhe aktualisht, Ligji për Familjen e njeh pronësinë e përbashkët, pavarësisht nëse në dokumente figuron vetëm njëri bashkëshort.
Po ashtu, prona e përbashkët nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e të dyve.
Prandaj, ndryshimi nuk qëndron te krijimi i një të drejte të re pronësore, por te parashikimi më i shprehur i mundësisë për regjistrim.
Një tjetër dispozitë, neni 1171, trajton investimin e pasurisë së veçantë në pasurinë e përbashkët.
Sipas projektkodit, vlera e pasurisë së veçantë të investuar mbetet e pandryshuar, pavarësisht rritjes ose zvogëlimit të pasurisë së përbashkët.
Ky formulim ngre pyetje për mënyrën e llogaritjes së kontributit individual gjatë ndarjes së pasurisë.
Trashëgimia me gojë: Ndryshimi lidhet me noterin
Projektkodi përmban edhe dispozita për testamentin gojor, por kjo mundësi ekziston tashmë në Ligjin për Trashëgiminë.
Risi në formulimin e nenit 1549 është përfshirja e shprehur e noterit si institucion ku dëshmitarët mund ta paraqesin testamentin gojor.
Ligji aktual, në nenin 83, përmend paraqitjen e tij në gjykatë.
Kushti thelbësor mbetet i njëjtë: testamenti gojor lejohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, para dy dëshmitarëve.
Projektkodi ende nuk është ligj
Ministria e Drejtësisë e ka publikuar projektkodin për konsultim më 27 tetor 2026.
Afati për paraqitjen e komenteve është 16 nëntori 2026.
Pas kësaj faze, dokumenti duhet të kalojë procedurat e mëtejshme qeveritare dhe parlamentare.
Deri në miratimin dhe hyrjen e tij në fuqi, marrëdhëniet civile vazhdojnë të rregullohen nga ligjet aktuale.
Seyitgazi të provincës Eskisehir.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali