Bashkimi ka pësuar humbjen e dytë në fazën e grupeve të “FIBA Europe Cup”, pasi të mërkurën mbrëma u mposht në shtëpi nga skuadra franceze Elan Chaloni me rezultat të thellë 94:66.
Nënkampioni i Kosovës nuk arriti të rivalizonte me francezët në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ku mysafirët e morën kontrollin e ndeshjes që në çerekun e parë.
Elan Chaloni e nisi përballjen fuqishëm, duke fituar periudhën e parë me rezultat 34:18. Epërsinë e vazhdoi edhe në çerekun e dytë, të cilin e fitoi 22:18, për të shkuar në pushim me avantazh të konsiderueshëm.
Dominimi i skuadrës franceze u bë edhe më i dukshëm në çerekun e tretë, kur Bashkimi shënoi vetëm shtatë pikë, ndërsa mysafirët realizuan 23. Kështu, para dhjetë minutave të fundit, dallimi mes skuadrave ishte rritur në 36 pikë.
Në periudhën e fundit, prizrenasit nuk arritën të ndryshonin rrjedhën e takimit, duke e mbyllur ndeshjen me disavantazh prej 28 pikësh.
Te Bashkimi, Gian Clavell ishte më efikasi me 13 pikë, ndërsa Divine Myles shtoi 11. Veton Gjecaj kontribuoi me gjashtë pikë, gjashtë kërcime dhe një asistim.
Në anën tjetër, Carl Ponsar ishte basketbollisti më i dalluar i Elan Chalonit, me 17 pikë, katër kërcime dhe dy asistime.
Pas tri ndeshjeve të zhvilluara në Grupin F, Bashkimi ka një fitore dhe dy humbje. Ndeshjen e radhës në këtë garë evropiane, skuadra prizrenase do ta luajë pas një jave në udhëtim te ekipi turk Biotekno Korfez Basket. /Telegrafi/