Bayern Munich dhe Arsenali ndajnë pikët në një përballje spektakolare

Bayern Munich dhe Arsenali ndajnë pikët në një përballje spektakolare

Written by

in

Bayern Munichu dhe Arsenali kanë ndarë pikët në një nga përballjet më të rëndësishme të mbrëmjes në Ligën e Kampionëve, duke barazuar 2:2 të mërkurën në stadiumin “Allianz Arena”, në Mynih.

Të dyja skuadrat kaluan në epërsi gjatë ndeshjes, por asnjëra nuk arriti ta sigurojë fitoren në përballjen e vlefshme për xhiron e tretë të garës më prestigjioze evropiane për klube.

Arsenali kaloi i pari në epërsi në minutën e 26-të, kur Eberechi Eze realizoi për 1:0. Sulmuesi anglez ishte inkuadruar në lojë në vend të Bukayo Sakës, i cili u detyrua të largohej për shkak të lëndimit në minutën e 10-të.

Goli i Ezes u konfirmua pas rishikimit të situatës nga sistemi VAR, për shkak të dyshimeve për pozitë jashtë loje.

Megjithatë, epërsia e londinezëve zgjati vetëm dhjetë minuta. Në minutën e 35-të, Alphonso Davies barazoi shifrat në 1:1, pas asistimit të sulmuesit Harry Kane. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e takimit.

Në pjesën e dytë, Bayerni arriti ta përmbyste rezultatin. Në minutën e 61-të, Harry Kane shënoi nga pika e bardhë e penalltisë për 2:1, pasi gjyqtari akordoi penallti për lojë me dorë pas një goditjeje të sulmuesit anglez.

Kur dukej se bavarezët do ta siguronin fitoren para tifozëve të tyre, Arsenali reagoi në minutat e fundit të takimit.

Declan Rice shënoi në minutën e 82-të, pas asistimit të Viktor Gyökeresit, duke vendosur rezultatin përfundimtar 2:2 dhe duke i siguruar skuadrës londineze një pikë të rëndësishme në udhëtim.

Me këtë barazim, Bayerni regjistron barazimin e dytë në tri ndeshjet e para të kësaj faze, krahas një fitoreje.

Arsenali, ndërkaq, regjistroi barazimin e parë, pasi në dy ndeshjet paraprake kishte shënuar dy fitore.

Përballja në Mynih dhuroi një duel të fortë mes dy skuadrave pretendente, të cilat, pavarësisht rasteve dhe epërsive të krijuara, u desh të kënaqeshin me nga një pikë.

Burimi: RTKLive