BBC analizon shifrat e Rusisë: Gati 500 mijë ushtarë të humbur në Ukrainë

BBC analizon shifrat e Rusisë: Gati 500 mijë ushtarë të humbur në Ukrainë

Written by

in

BBC analizon shifrat e Rusisë: Gati 500 mijë ushtarë të humbur në Ukrainë

Të paktën 490 mijë ushtarë rusë janë vrarë në luftën në Ukrainë, që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022. Kjo shifër del nga të dhënat e Agjencisë ruse të Statistikave (Rosstat), të analizuara nga BBC, edicioni në rusisht.

Të dhënat e zbuluara pas një sulmi kibernetik tregojnë përmasat e humbjeve njerëzore që Rusia ka pësuar në një luftë që presidenti Vladimir Putin kishte parashikuar se do të zgjaste vetëm disa ditë, por që tashmë po i afrohet pesëvjetorit.

“BBC Russian” ka siguruar qasje në më shumë se 11 milionë regjistrime të vdekjeve, nga viti 2021 deri në shtator 2026. Të dhënat u morën pas një sulmi kibernetik të kryer nga grupi bjellorus Cyber Partisans BY dhe ai ukrainas Silent Crow, transmeton Klankosova.tv.

“Rosstat” ka pranuar se ishte cak i një sulmi kibernetik, por ka mohuar se janë zbuluar të dhëna të mbrojtura.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se vetëm Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mund të raportojë zyrtarisht humbjet ushtarake, duke kërkuar që shifrat e tjera të mos merren parasysh. Megjithatë, kjo ministri nuk ka publikuar të dhëna zyrtare për viktimat prej disa vitesh.

Numri real i të vrarëve mund të jetë mbi 640 mijë

Në bashkëpunim me mediumin e pavarur rus “Mediazona”, BBC ka krahasuar të dhënat e “Rosstat” me listën e saj të ushtarëve të vrarë, të përpiluar nga burime publike që prej fillimit të pushtimit.

Sipas analizës, janë gjetur përputhje në 90 për qind të rasteve.

Lista e BBC-së përmban 290.012 ushtarë të identifikuar si të vrarë, bazuar në raportime zyrtare, rrjete sociale, përmendore dhe varre. Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se kjo mund të përfaqësojë vetëm 45 deri në 55 për qind të numrit real të viktimave.

Kjo do të thotë se numri i ushtarëve rusë të vrarë mund të jetë nga 527.295 deri në 644.471.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se lufta është shkaku kryesor i vdekjes për shumë të rinj rusë. Në vitin 2025, 65 për qind e rusëve të moshës 18 deri në 24 vjeç që humbën jetën u vranë në luftë. Te grupmosha 25-34 vjeç, kjo përqindje ishte 59.

Vetëm te personat e moshës 45 deri në 54 vjeç, sëmundjet kardiovaskulare kanë shkaktuar më shumë vdekje sesa lufta.

20 mijë ushtarë të vrarë për 10 fshatra ukrainase

Të dhënat zbulojnë edhe përmasat e humbjeve në betejat për kontrollin e territorit ukrainas.

Rreth 20 mijë ushtarë rusë janë vrarë në luftimet për marrjen e 10 fshatrave ukrainase, të cilat para luftës kishin gjithsej rreth 12 mijë banorë, transmeton Klankosova.tv.

Në betejën për fshatin e vogël Andriivka, në jug të qytetit të Bakhmutit, në rajonin e Donetskut, janë vrarë 1.122 ushtarë rusë. Para luftës, aty jetonin vetëm 74 persona.

Rusia nuk publikon shifra për humbjet që nga fillimi i luftës, në shkurt të vitit 2022. Ndërkaq, “Rosstat” ndaloi publikimin e të dhënave për vdekjet nga shkaqe të jashtme dy vjet më parë, të cilat përdoreshin për të vlerësuar humbjet ushtarake.

Analiza e BBC-së tregon se të dhënat e publikuara nuk i përfshijnë të gjitha viktimat. Për shembull, në rastin e ushtarëve nga rajonet e pushtuara të Donetskut dhe Luhanskut, që luftuan në ushtrinë ruse, në regjistrat e “Rosstat” janë përfshirë vetëm 70 për qind e vdekjeve të identifikuara.

Rajonet më të varfra kanë pësuar humbjet më të mëdha

Sipas analizës, në vitin e parë të luftës mosha mesatare e ushtarëve rusë të vrarë ishte 34 vjeç. Deri në vitin 2025, ajo u rrit në 40 vjeç, ndër të tjera për shkak të përfshirjes së të burgosurve dhe ushtarëve të rekrutuar me kontrata.

Rajonet më të varfra të Siberisë Lindore kanë pësuar humbje joproporcionalisht të mëdha. Burrat nga Tuva, Buryatia dhe Zabaykalsky Krai kanë 20 deri në 25 herë më shumë gjasa të vriten në luftë sesa banorët e Moskës dhe Shën Petersburgut.

Analiza ka identifikuar edhe të paktën 5.017 shtetas të huaj të vrarë duke luftuar për Rusinë. Në mesin e tyre janë 1.031 shtetas uzbekë dhe 720 taxhikë. Ukrainasit janë përjashtuar nga kjo llogaritje për të shmangur përfshirjen e viktimave civile.

BBC vlerëson se shifra mund të jetë edhe më e lartë, pasi personat me shtetësi të dyfishtë regjistrohen si rusë. Po ashtu, në të dhënat e “Rosstat” nuk përmenden ushtarët koreano-veriorë të vrarë gjatë luftimeve për zmbrapsjen e inkursionit ukrainas në territorin rus, më 2024, transmeton Klankosova.tv.

BBC ka identifikuar 2.304 ushtarë koreano-veriorë të vrarë, duke analizuar pamjet satelitore dhe fotografitë zyrtare të një memoriali të ri në Penian.

Humbje shumë më të mëdha se në luftën sovjetike në Afganistan

BBC thekson se, megjithëse të dhënat e zbuluara ruse mund të mos jenë të plota, ato përputhen me tendencat e identifikuara nga hulumtimet e saj dhe tregojnë përmasat e mëdha të humbjeve të Moskës.

Në gati pesë vjet luftë, numri i ushtarëve rusë të vrarë është shumë më i lartë krahasuar me humbjet sovjetike në luftën në Afganistan, e cila përfundoi më 1989.

Gjatë asaj lufte dhjetëvjeçare, vlerësohet se u vranë rreth 15 mijë ushtarë të Ushtrisë së Kuqe, ndërsa numri i civilëve të vrarë llogaritet në rreth një milion. /Klankosova.tv